Anglia dhe Gana marrin nga një pikë në ndeshjen e dytë të Grupit L


Anglia zhgënjeu në ndeshjen e dytë të Grupit L të Kupës së Botës, duke barazuar pa gola 0-0 ndaj Ganës në stadiumin “Gillette” në Foxborough. Përfaqësuesja afrikane shkaktoi befasi të madhe dhe i komplikoi menjëherë llogaritë në grup.
Anglezët dominuan pjesën më të madhe të takimit dhe që në fillim ushtruan presion ndaj mbrojtjes ganeze. Jude Bellingham dhe Noni Madueke ishin ndër më aktivët në fazën ofensive, ndërsa Declan Rice pati dy tentativa të mira, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Në minutën e 37-të, Madueke krosoi për Bellingham, por goditja me kokë e mesfushorit përfundoi mbi traversë.
Gana u mbrojt me disiplinë dhe kërcënoi vetëm në fundin e pjesës së parë me Antoine Semenyo, por mbrojtja angleze reagoi në kohë për të larguar rrezikun.

Në pjesën e dytë, afrikanët u treguan më të guximshëm dhe në minutën e 50-të ishin pranë golit, por krosi i Marvin Senayas nuk gjeti askënd në zonë. Anglia reagoi menjëherë me raste të njëpasnjëshme të Madueke dhe Anthony Gordon, por portieri i Ganës dhe mbrojtja e tij qëndruan të pathyeshëm.
Momenti më i rrezikshëm për Ganën erdhi në minutën e 79-të, kur Prince Adu doli përballë Jordan Pickford, por aksioni u anulua për pozicion jashtë loje.

Në fundin dramatik të takimit, Anglia humbi dy mundësi të arta për të siguruar fitoren. Fillimisht, Nico O’Reilly goditi traversën me kokë nga afërsia, ndërsa menjëherë më pas Harry Kane nuk arriti të shfrytëzojë topin e kthyer, duke gjuajtur mbi portë nga një distancë e shkurtër.
Pavarësisht dominimit dhe rasteve të shumta, Anglia nuk arriti të gjejë golin, ndërsa Gana festoi një pikë të madhe që e mban plotësisht në garë për kualifikimin në fazën tjetër. /Telegrafi/











































