Këngëtarja Albulena Ukaj ka ndarë me ndjekësit një mesazh tejet emocional për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, duke zbuluar se një projekt muzikor i tyre kishte mbetur i papërfunduar.

Përmes një postimi prekës, Ukaj ka treguar se kënga ishte lënë “në mes” me shpresën se një ditë do ta përfundonin bashkë, por pas ndarjes nga jeta të mikut të saj, ajo ka vendosur ta publikojë si homazh për kujtimin e tij, shkruan IndeksOnline.


“Kjo këngë mbeti përgjysmë, ashtu siç mbeti bosh një pjesë e zemrës sime kur ti ike. E lamë në mes me shpresën se do ta përfundonim bashkë një ditë. Sot po e publikoj për ty, për kujtimin tënd dhe për të gjithë ata që të deshën”, ka shkruar ajo.

Në mesazhin e saj, këngëtarja thekson se megjithëse Shpati nuk është më për ta dëgjuar këngën, zëri i tij do të mbetet i gjallë përherë.

“Nuk je më këtu për ta dëgjuar, por zëri yt do të jetojë përgjithmonë. Më mungon, mik. U prehsh në paqe”, përfundon postimi.

Kujtojmë se Shpat Kasapi ndërroi jetë papritmas në nëntor të vitit të kaluar, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe publiku që e deshi për vite me radhë. /Telegrafi/