Albin Krasniqi po rilind te Prishtina, katër gola në tri ndeshje - lojtari më vendimtar në elitë në këtë fillim sezoni

Albin Krasniqi po e nis në mënyrën më të mirë sezonin e ri me Prishtinën, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës bardhekaltër në këtë fillim kampionati.
Sulmuesi ka realizuar katër gola në tri paraqitje, duke shënuar dy herë në fitoren 4-2 ndaj Ballkanit, ndërsa nga një gol ka realizuar në triumfet ndaj Llapit (4-0) dhe Vushtrrisë (1-0).
Fal paraqitjeve të tij, por edhe të bashkëlojtarëve, Prishtina aktualisht ka 3 fitore nga 3 ndeshje dhe qëndron në krye të renditjes.

Forma e tij është veçanërisht domethënëse duke pasur parasysh periudhën jo të lehtë që ka kaluar gjatë vitit të fundit.
Krasniqi ishte larguar nga Prishtina para një viti, duke kaluar te Kolos, por aventura e tij në futbollin ukrainas zgjati vetëm gjashtë muaj. Sulmuesi nuk arriti të përshtatej me futbollin ukrainas dhe më pas u rikthye te klubi kryeqytetas.
Sezoni i kaluar, ndërkohë, nuk ishte ai që Krasniqi do të dëshironte. Lëndimet dhe ndryshimet e shpeshta në stafin teknik të Prishtinës, nga Afrim Tovërlani te Alban Dragusha, ndikuan që ai të mos gjente vazhdimësinë e nevojshme.
Por këtë sezon, situata duket krejtësisht ndryshe. Nën drejtimin e Orges Shehit, Krasniqi po shfaqet si një lojtar më i pjekur, më i sigurt dhe më produktiv. Katër golat në tri ndeshje janë dëshmia më e mirë për këtë.

Një tjetër element interesant është mënyra se si Shehi po e përdor atë. Trajneri shqiptar nuk e ka kufizuar Krasniqin në vetëm një rol, por e ka aktivizuar në disa pozita, duke ia ndryshuar edhe gjatë ndeshjeve detyrat.
Krasniqi shpesh kalon nga roli i mesfushorit në atë të mesfushorit ofensiv, ndërsa në raste të caktuara përdoret edhe në krah, në varësi të nevojave të skuadrës.
Ky fleksibilitet duket se po i përshtatet shumë lojtarit, i cili po e shfrytëzon hapësirën e krijuar nga Shehi për të qenë vazhdimisht i përfshirë në aksionet sulmuese.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Albin Krasniqi mund të jetë një nga figurat kryesore të Prishtinës këtë sezon. Pas një viti me shumë pengesa, duket se 25-vjeçari ka gjetur sërish veten dhe po e tregon këtë me atë që futbollistët dinë më së miri – me gola. /Telegrafi/








































