LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzë për posedim dhe shitje të drogës

Aktakuzë për posedim dhe shitje të drogës
Foto: Arkiv

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër K.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas Kodit Penal të Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më datë 14.10.2019, rreth orës 16:20 në Prizren, i pandehuri K.K. posedon me qëllim të shitjes substanca psikotrope dhe narkotikë të llojit marihuanë dhe një sasi e llojit kokainë të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë.


Pas kontrollimit nga ana e policisë të banesës së tij, është gjetur se posedon 9 qese plastike me substancë të llojit marihuanë me peshë 12.08 gramë, një qese plastike të substancës narkotike të llojit kokainë me peshë 1.53 gramë, një qese plastike me substancë narkotike e llojit LSD, tre kapsolla me mbishkrim trodon, një cigare me substancë e llojit marihuanë me peshë 0.44 gramë, katër gavanoza qelqi me substancë të llojit marihuanë me peshë 99 gramë, 17 gramë, 28 gramë, dhe 5 gramë, një pjatë qeramike me mbetje të narkotikëve të llojit kokainë, një peshore digjitale me mbishkrimin AVEC, një mulli për bluarjen e marihuanës me mbishkrimin Marley dhe 115 qese të zbrazëta.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.