eksperti-banner

Kanë kaluar pothuajse 30 vjet që kur aktorja Frances Fisher interpretoi personazhin e Ruth DeWitt Bukater në filmin e famshëm “Titanic”, por ajo vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut edhe sot.

Ylli i filmit ikonik u shfaq së fundmi në mbrëmjen gala të 33-të “Race To Erase MS” në Los Anxhelos, ku pozoi e buzëqeshur para fotografëve dhe dëshmoi se vitet nuk e kanë zbehur sharmin e saj.


Sot 74-vjeçare, Fisher vazhdon të identifikohet nga shumë fansa me rolin e nënës së Rose-s, personazhit të interpretuar nga Kate Winslet në një prej filmave më të suksesshëm të të gjitha kohërave.

Në një intervistë të fundit, aktorja u shpreh se është jashtëzakonisht krenare për vajzën e saj, Francesca Eastwood, e cila ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në aktrim. Fisher tha se shpreson që një ditë të ketë mundësinë të ndajë ekranin me të bijën, të cilën e ka nga lidhja me aktorin dhe regjisorin legjendar Clint Eastwood.

“Jam shumë krenare për të. Është jashtëzakonisht e talentuar dhe mezi pres ditën kur do të mund të punojmë së bashku”, u shpreh aktorja.

Francesca Eastwood ka krijuar identitetin e saj në industrinë e filmit me role në filmin “Old” të regjisorit M. Night Shyamalan, si dhe në serialin e njohur “Twin Peaks: The Return”.

Megjithëse gjatë karrierës së saj ka luajtur në shumë projekte, Frances Fisher mbetet më e njohura për publikun si Ruth DeWitt Bukater, nëna strikte e Rose-s në filmin “Titanic”, i cili u publikua në vitin 1997.

Filmi ka rikthyer së fundmi vëmendjen e publikut pas përfshirjes në platformën Netflix, gjë që e ka gëzuar veçanërisht aktoren.

Ndërkohë, Fisher vazhdon të jetë aktive në botën e kinemasë. Një nga projektet e saj më të fundit është filmi western “Rust”, ku luan përkrah aktorit Alec Baldwin. Filmi u publikua gjatë vitit 2025 dhe shënon një tjetër kapitull në karrierën e gjatë të aktores amerikane. /Telegrafi/