Nëse lajmi kryesor i javës së kaluar te Real Madridi ishte përplasja mes Aurelien Tchouamenit dhe Fede Valverde-s, trajneri Alvaro Arbeloa ishte shumë i prirur ta zhvendoste vëmendjen te personi që e nxori historinë në media.

Brenda pak orësh nga incidenti i ndodhur në qendrën stërvitore të Real Madridit, detajet e asaj që kishte ndodhur u bënë lajm në mbarë botën.


Pas ngjarjes, Arbeloa u përpoq ta mbyllte çështjen që lidhej me Valverde-n dhe Tchouameni-n, duke theksuar se të dy ishin disiplinuar nga klubi dhe se kishin kërkuar falje për sjelljen e tyre.

Ajo që e “trishtoi” Arbeloan ishte personi që e kishte rrjedhur historinë te shtypi, duke e quajtur veprimin “joloyal ndaj klubit” dhe “tradhti”. Ndërkohë, raportimet qarkulluan se kishte nisur kërkimi për “nishanin” brenda dhomës së zhveshjes.

Sipas një raportimi nga Estadio Deportivo, Arbeloa dyshonte se mesfushori Dani Ceballos ishte prapa këtyre ngjarjeve, dhe tash ata pretendojnë se pikërisht kështu ka qenë.

Thuhet se 29-vjeçari ka folur me persona jashtë klubit, duke përmendur miq dhe të njohur, për incidentin dhe detajet e asaj që ndodhi.

Arbeloa ka mohuar se është prishur me lojtarë, por ka raportime të shumta se mes Ceballosit dhe trajnerit të Real Madridit nuk ekziston asnjë marrëdhënie. Për këtë janë dhënë motive të ndryshme, por sidoqoftë, ai është lënë jashtë skuadrave të fundit të Realit dhe nuk ka luajtur që nga shkurti.

Ceballos, i cili ka kontratë deri në vitin 2027, pritet të largohet nga klubi këtë verë, çfarëdo që të ndodhë.

Mesufshori spanjoll ishte pranë kalimit te Marseille gushtin e kaluar, por u tërhoq në momentet e fundit, ndërsa javët e fundit është lidhur edhe me Ajaxin./Telegrafi/

telegrafi sport app