Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, në të njëjtën kohë kur qytetarë të shumtë po protestonin duke kërkuar dënimin maksimal për fajtorin.
Vrasja që tronditi Kosovën e më gjerë, po hetohet nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, teksa detaje nga akti mizor po dalin nga momenti në moment.
Marigonës iu dha lamtumira e fundit dje më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt.
Vrasja mizore e 18-vjeçares, Marigona Osmani në Ferizaj
Ishte martuar vetëm dy muaj më parë, ndërkaq personi me të cilin ajo zgjodhi të kalonte jetën do të bëhej i dyshuari kryesor për vrasjen e saj.
Marigona Osmani dyshohet se u keqtrajtua fizikisht e psikikisht dy ditë me radhë, deri në vdekje.
Për 18-vjeçaren nga Ferizaj, ende nuk ka raport të autopsisë, përveç një certifikate e cila i është dorëzuar familjes të së ndjerës, me t’ua dorëzuar trupin Mjekësia Ligjore.
Nazlije Balaj, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, ka thënë se në atë certifikatë përmendet qartë se në rastin e vrasjes së 18 vjeçares, ka të bëhet me poli-traumë.
“Nuk ka ende raport të autopsisë, por ka certifikatë të autopsisë. Sepse raporti i autopsisë përmbyllet kur të mbyllen të gjitha analizat laboratorike. Çertifikata e autopsisë, i lëshohet familjes, dhe në të është e shkruar qartë dhe saktë se në këtë rast kemi të bëjmë me politraumë”.
Por se çka do të thotë saktësisht politrauma, ajo shpjegon:
“Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”, tha Balaj.
E lanë pa shenja jete para Emergjencës në Ferizaj, si u arrestuan Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu?
Gjithçka nisi me një pamje nga Emergjenca e Ferizajt, për të vazhduar më pastaj me kërkime intensive nga Policia e Kosovës të cilët me ndihmën e qytetarëve arritën të arrestojnë të dyshuarit.
Pak orë pas pamjeve nga Emergjenca u arrestua Arbër Sejdiu, 32-vjeçar, i cili edhe më herët ishte i akuzuar për vepra penale, e tashmë është i akuzuar edhe për vrasjen e Marigonës.
Arrestimi i Sejdiut mori vetëm disa orë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, i caktoi masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të nesërmen, Policia e Kosovës shpalli në kërkim edhe publikisht duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve, Dardan Krivaqen, personi i cili ishte martuar për dy muaj më parë me Marigona Osmanin, e që dyshohet se e vrau mizorisht.
Gjatë gjithë kësaj kohe pati reagime të shumta publike, teksa Policia vazhdimisht ndihmohej nga qytetarët për lokalizimin e Krivaqës.
Teksa, Krivaqa kërkohej gjithandej, avokati Avni Hysiqi, refuzoi të mbronte Arbër Sejdiun.
“Nuk po du mu deklaru kurgjo lidhur me rastin sepse është shumë ndjeshëm. Ai nuk ka deklaruar asgjë vetëm ka thënë se i kam dëgju disa bërtima. Bile unë as nuk do ta mbroj fare, pasi rasti është shumë i ndjeshëm. Nuk do ta pranoj këtë rast, le ta gjen një avokat tjetër se unë as që merrem me të”, ka thënë avokati Avni Hysiqi, i caktuar si mbrojtës sipas detyrës zyrtare për të dyshuarin A.S.
Në ndërkohë që qytetarë të shumtë u mblodhën për të protestuar përballë stacionit policor në Ferizaj, u dha lajmi se i dyshuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa u arrestua nga Policia e Kosovës, në një fshat në afërsi të Ferizajt.
Me pranga në duar e kokën ulur, ai u fut në Stacionin Policor në Ferizaj, për të mos e thënë asnjë fjalë para zyrtarëve hetues, duke zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Varrimi i Marigona Osmanit, mbuluar me flamurin kombëtar
Si heroinat, nën flamurin kombëtar kuq e zi, familjarë e miq të familjes Osmani, po i jepnin lamtumirën e fundit 18-vjeçares, Marigonë, e cila sipas informacioneve të publikuara ishte keqtrajtuar dy ditë psiqikisht e fizikisht deri në vdekje.
Në këtë ceremoni varrimi kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Gjatë ceremonisë së varrimit, në emër të familjes, kushëriri Fetush Osmani ka kërkuar drejtësi për Marigonën.
“Sot ne e kemi një dhimbje, pikëllim shumë të madh. Por, kjo prezencë e juaja e të gjithëve, duke filluar nga organet dhe krejt ju që jeni këtu, na i lehtësoni që këtë dhimbje të madhe ta ndajmë së bashku. Prandaj edhe një herë besoj në besim të plot që organet e Kosovës do ta qojnë drejtësinë deri në fund. Inshallah ose dashtë Zoti që kjo të jetë rasti i fundit dhe fjala përfundimtare e saj të jetë Stop. Sepse të rinjtë kanë nevojë të gëzojnë lirinë, të gëzojnë drejtësinë, kanë nevojë të gëzojnë lumturinë”, ka thënë ai.
Babai i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë se vonë e ka kuptuar se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur vepra kriminale.
Muhabi Osmani shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një person të dyshuar për disa vepra penale.
“Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij personi i cili familjen time e goditi keq. Jemi shumë te shqetësuar për këtë që më ka ndodhë”, ka thënë ai.
Neglizhenca e mundshme nga Gjykata për rastet e mëparshme të Dardan Krivaqës e Arber Sejdiut
Duke qenë se të dy të dyshuarit për vrasjen mizore kanë pasur edhe vepra të tjera penale, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është zotuar se do të marrë masa në rast se del se ka pasur neglizhencë nga gjykata ose nga gjyqtarë të caktuar në rastet e mëparshme të Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se për rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaji do të kërkojë përgjegjësi nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.
“Pos këtij rasti që përfundoi me vrasje shohim një tjetër skandal në sistemin gjyqësorë pasi shohim se i dyshuari kryesor kishte aktakuzë të ngritur që nga viti 2013. Pra shtrohet pyetja se si ka mundësi që një person i tillë të jetë i lirë apo pse deri më tani nuk ka pasur një shqyrtim gjyqësor. Për këtë rast duhet të na flasë Këshilli Gjyqësor dhe shpresoj se nuk do të konsiderojnë këtë deklaratë timen si ndërhyrje në drejtësi”, tha Haxhiu, përcjell Telegrafi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), më pastaj ka paralajmëruar se do të iniciojë procedurë disiplinore nëse konstatohet se ka pasur neglizhencë nga ana e Gjykatës në lidhje me rastet e Dardan Krivaqës dhe Arber Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
“Pas pranimit të këtyre të dhënave, KGjK thotë se në konsultim me anëtarët e Këshillit, i ka vlerësuar dhe analizuar këto të dhëna, me ç’rast ka dërguar kërkesë tek autoriteti kompetent për të shqyrtuar neglizhencën eventuale lidhur me shqyrtimin e këtij rasti nga gjykata dhe gjyqtarët përkatës”, thuhet në komunikatë.
Reagime të shumta e protesta para Policisë në Ferizaj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministrat: Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, e fytyra të tjera publike nga fusha të ndryshme reaguan ashpër për këtë rast.
Për personin që ofron informacione të vlefshme për arrestimin e Dardan Krivaqës, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ofroi edhe shpërblim, gjë kjo e cila u refuzua nga qytetari i cili kishte lajmëruar policinë për vendndodhjen e Krivaqës.
Lidhur me rastin, reagimet kanë qenë të shumta nga politikanë e personazhe publike, të cilët theksuan se është një tmerr ajo që përjetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë.
Qytetarë të shumtë ishin mbledhur dje para stacionit policor në Ferizaj dhe kanë protestuar në shenjë revolte ndaj vrasjes së 18-vjeçares në këtë qytet.
Protestuesit në shenjë revolte kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të policëve.
Me parulla të shumta dhe thirrje për drejtësi protestuesit kanë kërkuar dënim maksimal për vrasësit e 18-vjeçares, ndërsa në shenjë revolte kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAhmeti: Akuzat e Qeverisë ndaj Prokurorisë Speciale janë skandaloze
Haziri: Në Vetëvendosje janë të pakënaqurit e PDK-së
Personi që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje
Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit në Gjilan
Sonte tërmet në Maqedoni
Haziri: LDK-ja nuk e pranon draft-statutin e Asociacionit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit