Tregu muzikor mund të jetë jo i favorshëm, publiku mund të pëlqejë diçka tjetër ose mund të kënaqet thjesht me një performancë, mirëpo zërat e tyre nuk mund t’i harrosh dhe t’i anashkalosh asnjëherë. Mjafton ta dëgjosh një interpretim për t’u futur në një botë tjetër.
Kështu, me gjithë numrin e madh të këngëtarëve performues, skena muzikore shqiptare numëron edhe shumë këngëtarë me vokale të fuqishme e të jashtëzakonshme.

Dhe kur flitet për këtë kategori, ajo që gjithmonë përmendet e veçohet edhe nga vet kolegët e saj, është këngëtarja e njohur, Aurela Gaçe, transmeton emisioni “Express” në KTV.


Interpretimet e saj të rrëqethin, qoftë për shkak të vokalit, por edhe emocionit që ajo përcjell. Ka fituar shumë çmime për vokalin më të mirë, e derisa të shumta janë edhe çmimet e para, sa ku ajo merr pjesë, është e sigurt se fitorja i takon asaj. “Jetoj”, “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”, “Shpirti i shpirtit tim” e “Akoma jo” janë vetëm disa prej këngëve, në të cilat Gaçe ka dhënë shpirtin e saj interpretues. Ajo njihet edhe për energjinë e madhe që përçon në skenë.

Ani pse pa ndonjë sukses, këngëtarja pati një prezantim dinjitoz edhe në skenën e Festivalit Evropian të Këngës “Eurosong”.

Kur jemi te skena e këtij festivali, kemi edhe disa të tjera të cilat treguan se shqiptarët kanë këngëtare të mrekullueshme. Një nga to është edhe kosovarja Rona Nishliu. Me “Suus”, Rona vërtet emocionoi gjithë publikun evropian, madje bëri që dikush edhe të përlotet. Për shkak të vokalit të saj, ajo edhe sot e kësaj dite vazhdon të përmendet nga mediat e huaja kur flitet për “Eurovizionin”.

Kësisoj, publiku nuk ngurroi të japë as votën, duke e renditur Nishliun në vendin e pestë dhe ky mbetet suksesi më i madh shqiptar deri tash në këtë garë muzikore.