LAJMI I FUNDIT:

Vizita e presidentit të Këshillit Evropian në Kosovë, Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore

Vizita e presidentit të Këshillit Evropian në Kosovë, Policia njofton për ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore
Foto: Ilustrim

Më 14 dhe 15 qershor 2022 në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, së bashku me një delegacion shoqërues.

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në Kosovë.


“Në kohën e ardhjes (pasdite) me 14 qershor, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në drejtim të kryeqytetit në rrugët ku lëviz eskorta, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta”, thuhet në njoftim.

Po ashtu edhe në ditën e kthimit (pasdite) më 15 qershor, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës nga kryeqyteti në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës.

Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. /Telegrafi/