LAJMI I FUNDIT:

Viti i realizimit të ëndrrave për Zymer Bytyqin – transferimi te Konya, debutimi me Përfaqësuesen e Kosovës dhe në garë për titullin e kampionit në Turqi

Viti i realizimit të ëndrrave për Zymer Bytyqin – transferimi te Konya, debutimi me Përfaqësuesen e Kosovës dhe në garë për titullin e kampionit në Turqi

Zymer Bytyqi nuk do ta harrojë lehtë vitin 2021, edhe pse në të ardhmen mund të ketë vite edhe më të mira në karrierë.

Viti që tanimë ka shkuar është viti më i mirë në karrierën e sulmuesit të Kosovës, pasi ka arritur shumë gjëra në jetën profesionale.


Me të filluar viti 2021, Bytyqi bëri hapin e madh në karrierën e tij, kur u largua nga skuadra norvegjeze Viking pas një eksperience të jashtëzakonshme për të kaluar në kampionatin turk, ku nënshkroi me skuadrën Konyaspor.

Përpos kalimit në Konyaspor, Bytyqi gjatë vitit 2021 arriti të bëj edhe debutimin zyrtar me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, derisa në edicionin 2021/22 me skuadrën aktuale është në garë për titullin e kampionit së bashku me Trabzonsporin, duke lënë mbrapa gjigantët turk si Galatasaray, Fenerbahce e Besiktas.

Në një rrëfim special për Telegrafin, Bytyqi flet për vitin 2021, që e cilëson si vit të realizimit të ëndrrave.

Viti nisi mbarë, duke nënshkruar kontratën më të mirë deri më tani me Konyan

Futbolli norvegjez është mjaftë i mirë dhe si kampionat është cilësorë, por sa i përket aspektit financiar nuk qëndron shumë lartë në Evropë.

Kalimi te Konya njëherit ishte kontrata e jetës deri më tani për Bytyqin, pasi ai fiton jashtëzakonisht shumë tek kjo skuadër.

Bytyqi nuk dëshiron të flas shumë për aspektin financiar, por ndalet tek ai sportiv.

“Ka qenë një vit për tu mbajtur në mend, pasi më kanë ndodhur shumë gjëra të mira”, thotë fillimisht Bytyqi për Telegrafin.

“Në fillim të janarit kam nënshkruar për Konyan, edhe pse kisha shumë oferta në tavolinë. Pasi nuk ka ndodhur asgjë me to, tani i përmendi vetëm kampionatet nga ku kam marrë oferta si Gjermania, Holanda, Belgjika, Zvicra, Polonia, Suedia, Danimarka apo Franca e Anglia”.

“Oferta e Konyas ka qenë më e mira, pasi kisha edhe disa skuadra tjera në Turqi që më donin. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Me të filluar aventurën te Konya, gjithçka shkoi mbarë për të duke zënë vend në formacionin bazë dhe duke u bërë ndër lojtarët më të rëndësishëm tek kjo skuadër.

“Kam punuar shumë që nga arritja në Konya dhe normalisht është shpërblyer mundi duke zënë vend në formacionin bazë. Unë e njoh vetëm time dhe e di se çfarë jap për skuadër, por them të drejtën nuk e kam pritur as vet se në një periudhë kohore shumë të shpejtë u bëra lojtar i padiskutueshëm në formacionin bazë”, u shpreh Bytyqi.

Në vitin e parë te Konya, Bytyqi shënoi dy gola, asistoi një gjashtë të tjerë dhe ishte i pandalshëm në krahun e majtë të sulmit.

Qershia mbi tortë, ftesa nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe debutimi me Dardanët

Falë paraqitjeve fantastike te Konya, Bytyqi u bë cak i tri Përfaqësueseve që donin ta kishin në radhët e veta.

Telegrafi e kishte vizituar sulmuesin në Konya, ku ai kishte treguar në prill të vitit 2021 se kërkohej me ngulm nga Shqipëria e Norvegjia, por që tanimë kishte vendosur për ta përfaqësuar Kosovën.

“Sigurisht që momenti më i mirë në karrierën time ka qenë ftesa nga Përfaqësuesja e Kosovës, pastaj edhe debutimi”.

“Unë kam qenë ndër të parët që e kam pranuar Kosovën në vitin 2014, pastaj kam luajtur edhe miqësore ndaj Suedisë, por debutimi në një ndeshje zyrtare ka qenë diçka e jashtëzakonshme që nuk do ta harrojë kurrë”, vazhdoi tutje Bytyqi.

25-vjeçari bëri debutimin me Dardanët në maj, pastaj ishte i grumbulluar edhe në ndeshjet e muajit qershor, shtator e tetor, derisa në nëntor i humbi ato shkaku i lëndimit.

“Mund ta quaj rikthimi te Kosova ka qenë shumë i mirë. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe ambientimin nuk e kam pasur aspak të vështirë. Për mua si futbollist nuk ka gjë më të mirë se sa kur vesh fanellën e vendit tim dhe jap gjithçka nga vetja për Kosovën”, vazhdoi tutje Bytyqi.

Në vitin 2022, Bytyqi synon që ta gjej edhe golin e parë me fanellën e Dardanëve.

“Na pret një vit shumë i ngjeshur sa i përket ndeshjeve të kombëtareve, por ne duhet të bëjmë shumë më mirë. Nuk kemi pasur një vit me rezultate të mira, por këtë vit duam të bëjmë gjëra të mëdha”.

“Kemi shumë ndeshje dhe synojmë që të marrim më të mirën e mundshme fillimisht në Ligën e Kombeve. Besoj që është edhe viti i duhur ku do të vije edhe goli im i parë me Kosovën, edhe pse për mua rëndësi ka vetëm rezultati pozitiv i Përfaqësueses e jo se kush shënon”, tha Bytyqi.

Së bashku me Konyan në garë për titullin e kampionit

Edicioni 2021/22 ka nisur për mrekulli për Konyan, pasi ky klub si rrallë herë më parë në historinë e saj është në garë për titullin e kampionit.

Pas 19 xhirove në elitën e futbollit turk, Konya e sheh vetën në pozitën e dytë me 39 pikë, shtatë më pak se lideri Trabzonspor.

Bytyqi tek kjo skuadër është së bashku me dy futbollistët tjerë shqiptarë, si Sokol Cikalleshi dhe Endri Çekiçi, ku që të tre kanë dhënë kontribut të madh në këto 19 xhirot e para.

Reprezentuesi i Kosovës është njëri nga futbollistët që ka luajtur më së shumti këtë edicion për Konyan dhe natyrisht ndër më të rëndësishmit e trajnerit Ilhan Palut.

25-vjeçari ka luajtur në 18 takime, duke shënuar një gol e duke asistuar në katër të tjerë, por që çdo aksion fillon nga këmbët e tij.

Falë paraqitjeve të jashtëzakonshme të Bytyqit dhe gjithë klubit, Konya po lufton për titullin e kampionit.

“Jemi duke kaluar nëpër një moment të jashtëzakonshëm, uroj që këto rezultate të mira të na përcjellin edhe gjatë vitit 2022”, thotë Bytyqi për Telegrafin.

Konya ka mundur të ketë më shumë pikë, por bën disa gabime edhe pse kishin epërsi në rezultat.

“Me pak më shumë përqendrim kemi mundur të kemi shumë më shumë pikë, ndoshta edhe të ishim lider. Padyshim që barazimi që na dhemb më së shumti ka qenë me Trabzonsporin 2-2, ku ishim duke fituar dhe kishim një futbollist më shumë në fushë dhe e dominuam totalisht kundërshtarin”.

“Gjithsesi ne po vazhdojmë të bëjmë lojën tonë dhe besojmë se mund ta arrijmë liderin në krye të tabelës”, vazhdon tutje Bytyqi.

Konya në historinë e saj ka të fituar një Kupë të Turqisë dhe një Superkupë, por tanimë në këtë qytet të madh kanë filluar të ëndërrojnë edhe për titullin.

“Të ëndërrosh nuk kushton asgjë. E dimë të gjithë në klub se është një punë e madhe, por do të tentojmë t’i fitojmë ndeshjet një pas një dhe në fund pse jo edhe titullin. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, tha Bytyqi.

Konya pas 19 xhirove ka lënë mbrapa gjigantët e futbollit turk si Fenerbahcen me shtatë pikë mbrapa, Besiktasin me 11 mbrapa si dhe Galatasarayn me 12 pikë. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Xabi Alonso po përgatit një transferim befasues nga Real Madridi

Xabi Alonso po përgatit një transferim befasues nga Real Madridi

Bundesliga

"Mendova se mi theu të gjithë dhëmbët" - Evander Holyfield zbuloi se cili boksier e goditi më fort

Boks
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – ​​njëra ka të bëjë me Guardiolën

Zbulohen dy kërkesat që Laporta ia bëri Xavit në një takim urgjent – ​​njëra ka të bëjë me Guardiolën

La Liga
A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

La Liga
Alvaro Morata po vuan pasojat e “sëmundjes më të dhimbshme të njohur”

Alvaro Morata po vuan pasojat e “sëmundjes më të dhimbshme të njohur”

La Liga
Kalo në kategori