Kombëtarja e Shqipërisë e ka përmbyllur një vit aspak të mirë sa i përket rezultateve në fushën e lojës.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian Christian Panucci e kishin nisur me humbje një ndeshje miqësore vitin 2018.

Ndeshja e parë në vitin 2018 për Shqipërinë ishte në shtëpi ku u mposht në miqësore nga Norvegjia 0-1 falë një goli në minutën e 70-të nga Rosted.

Në majin e vitit që kemi lënë pas, Shqipëria u përballë në një ndeshje miqësore me Kosovën në Zurich të Zvicrës.

Kuqezinjtë ishin favoritë, por në fushë nuk treguan thuajse asgjë duke pësuar humbje me rezultat të thellë 0-3.

Për më keq, në këtë takim Shqipëria nuk e gjuajti asnjë shut në gol për gjatë 80 minutave lojë.

Me humbje Shqipëria vazhdoi edhe në qershor, përsëri në një ndeshje miqësore kur kësaj radhe na mposhti Ukraina me rezultat të thellë 1-4.

Yarmolenko dhe Konoplyanka me nga dy gola realizuan për ukrainasit, ndërsa Emanuel Ndoj shënoi golin e vetëm për Shqipërinë.

Kuqezinjtë dëshpëruan edhe në Ligën e Kombeve

Kombëtarja shqiptare ishte në Ligën C të Ligës së Kombeve në Grupin 1 së bashku me Skocinë dhe Izraelin.

Shqipëria e nisi mirë kampanjën në Ligën e Kombeve, pasi në ndeshjen e parë arriti një fitore në shtëpi ndaj Izraelit me rezultat minimal 1-0, falë golit të shënuar nga Taulant Xhaka.

Tri ditë më vonë pas kësaj fitore, Shqipëria u mposhtë në udhëtim te Skocia me rezultat 2-0.

Kombëtarja shqiptare pësoi edhe dy humbje të tjera në Ligën e Kombeve, 2-0 në udhëtim te Izraeli dhe u turpërua para tifozëve të vet nga Skocia 0-4.

Kësisoj Kuqezinjtë përfunduan në vendin e fundit në Grupin 1, por shpëtuan fatmirësisht pa rënë nga Liga C.

Gjatë vitit 2018, Shqipëria zhvilloi edhe dy ndeshje të tjera miqësore, ku barazoi me Jordanin pa gola 0-0 dhe në ndeshjen e fundit e mposhti Uellsin me rezultat minimal 1-0 falë golit nga Bekim Balaj.

Shorti për kualifikimet e kampionatit evropian, Kuqezinjtë përballen me kampionët e Botës

Kombëtarja shqiptare do të kërkojë ta përsërisë suksesin e vitit 2016 kur arriti kualifikimin në kampionatin evropian.

Kuqezinjtë tani janë në Grupin H, një grup që ka shumë skuadra të barabarta.

Nga vazo e parë në këtë grup është kampioni në fuqi i botës, Franca.

Ndërkohë Turqia dhe Islanda janë dy kundërshtarët direkt të Shqipërisë për njërën pozitë që i dërgon në Kampionatin Evropian.

Dy kombëtaret tjera në këtë grup janë edhe Moldavia dhe Andorra, një grup që shihet i kalueshëm për Kuqezinjtë.

Ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian, Shqipëria do t’i nisë më 22 mars dhe ndeshjen e parë e zhvillon në shtëpi përballë Turqisë.

Orari i Shqipërisë:

Shqipëri-Turqi, 22 Mars 2019
Andorra-Shqipëri, 25 Mars 2019
Islandë-Shqipëri, 8 Qershor 2019
Shqipëri-Moldavi, 11 Qershor 2019
Francë-Shqipëri, 7 Shtator 2019
Shqipëri-Islandë, 10 Shtator 2019
Turqi-Shqipëri, 11 Tetor 2019
Moldavi-Shqipëri, 14 Tetor 2019
Shqipëri-Andorra, 16 Nëntor 2019
Shqipëri-Francë, 19 Nëntor 2019

Nuk ndryshon pozitë në ranglistën e FIFA-s

Kombëtarja shqiptare nuk e ka pasur vitin e saj më të mirë, pasi ka pësuar shumë humbje.

Por në ranglistën e FIFA-së, Shqipëria nuk ka ndryshuar fare pozitë gjatë vitit 2018.

Shqipëria e nisi në pozitën e 60-të vitin 2018, ndërsa gjatë muajve kishte rënie.

Por në fund të vitit, falë fitores kundër Uellsit, Shqipëria e ka përmbyllur përsëri në të njëjtën pozitë me 1372 pikë. /Telegrafi/