Vinicius Junior kërkon një marrëveshje “historike” për të rinovuar kontratën me Real Madridin, por negociatat mes palëve aktualisht kanë ngecur për shkak të diferencës së madhe mes kërkesave të lojtarit dhe ofertës së klubit.

Sipas gazetarit Mario Cortegana, i cili foli në kanalin e Inaki Angulos në YouTube, drejtuesit e Real Madridit besojnë se kërkesat financiare të sulmuesit brazilian janë të vështira për t’u përmbushur dhe klubi ka pak hapësirë për manovrim.


Të dyja palët vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre, ndërsa për të arritur një marrëveshje priten kompromise nga të dyja anët.

Vinicius është në vitin e fundit të kontratës me “Los Blancos”, ndërsa presioni mbi klubin madrilen po rritet për ta zgjidhur situatën para muajit janar, kur lojtari do të ketë të drejtë të negociojë me klubet e huaja për një transferim të mundshëm.

Kërkesa e Viniciusit është diku mes 20 dhe 30 milionë euro neto në sezon. Diferenca mes tij dhe Real Madridit besohet të jetë një nga arsyet kryesore pse rinovimi ende nuk është finalizuar. Braziliani aktualisht fiton rreth 18 milionë euro neto në vit.

Raportimet bëjnë të ditur se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për rinovimin, Real Madridi është i gatshëm të shqyrtojë edhe shitjen e tij gjatë kësaj vere, në mënyrë që të mos rrezikojë ta humbasë brazilianin pa përfituar financiarisht në fund të kontratës.

Megjithatë, dëshira e Viniciusit mbetet qëndrimi në “Santiago Bernabeu”. Braziliani e konsideron Real Madridin klubin e ëndrrave të tij dhe preferon të vazhdojë karrierën te gjiganti spanjoll. /Telegrafi/

telegrafi sport app