Sebastian Vettel e ka mirëpritur rikthimin në formë të Ferrarit gjatë Çmimit të Madh të Amerikës, por theksoi se ekipit i është dashur shumë kohë për të kuptuar gabimet në programin e vet të zhvillimit.

Katër herë kampioni i botës në Formulën 1, i cili mbajti gjallë shpresat për titull me vendin e katërt, pas krahëve të Lewis Hamilton me Mercedes, ka thënë se skuadra nuk e kishte kuptuar çfarë kishte shkuar keq me përmirësimet e tyre.

Bolidi i Sebastian Vettel (Foto: Charles Coates/Getty Images/Guliver)

Ferrari braktisi përditësimet më të fundit dhe iu rikthye specifikimeve të vjetra të makinës në pistën e Austin të Teksasit, ndaj dhe u shpërblye me fitoren e parë të Kimi Raikkonen për “kokëkuqen” që prej vitit 2009.

Shpresat e gjermanit për fitore, për të ngushtuar diferencën për titull, pësuan një goditje të fortë kur Vettel u përplas me Red Bullin e Daniel Ricciardos në xhiron e parë, transmeton Top Channel.

Lajmet për FORMULA 1 Lajmet për FORMULA 1

“Ju mund ta konsideroni si një lajm të mirë, por edhe si një lajm të keq. U desh shumë kohë! Nëse neve na u desh të ktheheshim te një makinë konkurruese e tre apo katër muajve më parë, sigurisht që nuk mund të jetë lajm i mirë. Për ne, në aspektin teknik, e rëndësishme është të kuptojmë se çfarë shkoi keq”, ka deklaruar ai, duke shtuar se nuk ka një shpjegim të thjeshtë.

Sebastian Vettel (Foto: Mark Thompson/Getty Images/Guliver)

“Me bindje mund të them se kemi parë një makinë jo aq të fuqishme sa më parë, por për sa kohë që nuk e kupton çfarë shkon keq, atëherë nuk ke si ta dish që gjërat nuk po shkojnë mirë. E sigurt është që kemi bërë diçka gabim dhe nuk e kemi kuptuar ende edhe sot, madje as kur ka nisur saktësisht gabimi”, ka theksuar gjermani i Ferrarit.

Në fund ai tha se, edhe gabime të tjera, përfshi këtu ato të strategjisë nga skuadra, kanë ndihmuar në zmadhimin e problemeve bazike me përmirësimin e makinës.