LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje për Radoiçiqin: Dikur në Prishtinë i largohej fletarresti, sot me kërkesë nga Prishtina i lëshohet urdhërarrest nga Interpol-i

Vetëvendosje për Radoiçiqin: Dikur në Prishtinë i largohej fletarresti, sot me kërkesë nga Prishtina i lëshohet urdhërarrest nga Interpol-i

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Rodoiçiq është përfshirë në listën e kuqe të INTERPOL-it. Radoiçiq kishte pranuar se ka qenë organizatori për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Për këto zhvillime ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, të cilët thotë se sot me kërkesë të Prishtinës, atij i është lëshuar urdhërerrest nga ana e INTERPOL-it, transmeton Telegrafi.


“Dikur në Prishtinë endej me vetura zyrtare, sot në veri i është konfiskuar gjithçka e madje edhe villa me barkë. Dikur në Prishtinë i largohej fletarresti, sot me kërkesë nga Prishtina i lëshohet urdhërarrest edhe nga Interpol”, thotë LVV.

Siç thotë LVV, dallimi është evident dhe se nuk ka më kompromis me krimin e në dëm të Republikës.

Ndryshe, Ditë më parë u bë e ditur se INTERPOL ka përfshirë në listë të kuqe Milan Radoiçiqin, ish nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Lajmin për Telegrafin e kishte konfirmuar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Ministri Rashiq bëri të ditur për Telegrafin se urdhri për flet-arrest është lëshuar me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Çka është “Red Notice” që INTERPOL-i i lëshon për personat në kërkim

Në njoftimin e INTERPOL-it thuhet se një “Red Notice” paralajmëron policinë në mbarë botën për të arratisurit e kërkuar ndërkombëtarisht

“Kriminelët mund të ikin në një vend tjetër në përpjekje për t’i shmangur drejtësisë. Një “Red Notice” paralajmëron policinë në mbarë botën për të arratisurit e kërkuar ndërkombëtarisht”.

Një “Red Notice” është një kërkesë për zbatimin e ligjit në mbarë botën për të gjetur dhe arrestuar përkohësisht një person në pritje të ekstradimit, dorëzimit ose veprimeve të ngjashme ligjore.

“Ai bazohet në një urdhër arresti ose një urdhër gjykate të lëshuar nga autoritetet gjyqësore në vendin kërkues.

Vendet anëtare zbatojnë ligjet e tyre për të vendosur nëse do të arrestojnë një person”, thuhet më tutje në ueb-faqen e INTERPOL-it.

“Red Notice” përmban dy lloje kryesore të informacionit:

Informacion për identifikimin e personit të kërkuar, si emri, data e lindjes, kombësia, ngjyra e flokëve dhe syve, fotografi dhe shenja gishtash nëse ka.

Informacion në lidhje me krimin për të cilin ata kërkohen, i cili zakonisht mund të jetë vrasje, përdhunim, abuzim me fëmijët ose grabitje me armë.

“Red Notice” publikohen nga INTERPOL me kërkesë të një vendi anëtar dhe duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregullat e INTERPOL-it.

Një “Red Notice” është një alarm ndërkombëtar për një person të kërkuar por nuk është një urdhër arrest.

Pse janë të rëndësishme “Red Notice”?

“Red Notice” janë të rëndësishme sepse përdoren për të njoftuar njëkohësisht policinë në të gjitha vendet anëtare për të arratisurit e kërkuar ndërkombëtarisht.

“Red Notice” ndihmojnë në sjelljen e të arratisurve para drejtësisë, ndonjëherë shumë vite pas kryerjes së krimit origjinal.

A janë personat e kërkuar nga INTERPOL-i?

Jo, ata kërkohen nga një vend ose një gjykatë ndërkombëtare.

INTERPOL nuk mund të detyrojë autoritetet e zbatimit të ligjit në asnjë vend të arrestojnë dikë që është subjekt i një “Red Notice”.

Çdo vend anëtar vendos se çfarë vlere ligjore i jep një “Red Notice” dhe autoritetit të oficerëve të tij të zbatimit të ligjit për të kryer arrestime. /Telegrafi/