"Vetëm klubi e di pse e kanë rikthyer”, legjenda e Real Madridit befason me deklaratën për Mourinhon

Ish-drejtori sportiv i Real Madridit, Jorge Valdano, ka komentuar për herë të parë mundësinë e rikthimit të Jose Mourinhos në stolin e klubit madrilen, duke theksuar se koha ka ndryshuar gjithçka dhe se e kaluara nuk duhet të përdoret si kriter për të gjykuar atë që mund të ndodhë.
Në një intervistë për gazetën portugeze A Bola, Valdano foli hapur për mundësinë që Mourinho të rikthehet në "Santiago Bernabeu", rreth 15 vjet pas periudhës së tyre të përbashkët, e cila përfundoi me tensione dhe dorëheqjen e tij nga posti i drejtorit sportiv në vitin 2011.
I pyetur nëse "Special One" mund ta udhëheqë këtë herë Real Madridin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve, Valdano pati dyshimet e tij.
“Kanë kaluar pothuajse 15 vjet. Futbolli nuk është më ai që ishte, shoqëria nuk është më ajo që ishte, Florentino Perez nuk është më ai që ishte dhe as Mourinho nuk do të jetë i njëjti. Prandaj, mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Sipas tij, përplasjet që kishte me Mourinhon në të kaluarën nuk duhet të ndikojnë në mënyrën se si vlerësohet një rikthim i mundshëm i portugezit.
Valdano shtoi se Real Madridi nuk ka shumë alternativa në treg për postin e trajnerit.
“Florentino zgjodhi një profil tjetër trajneri dhe e vërteta është se opsionet që ka Real Madridi janë të pakta. Po zvogëlohen gjithnjë e më shumë. Nuk e di cili është qëllimi i rikthimit të Jose Mourinhos në këtë detyrë, këtë e di vetëm klubi”, deklaroi ai.
Në fund, ish-drejtori sportiv rikujtoi periudhën e vështirë që kaloi me Mourinhon në sezonet 2010-2011, kur mosmarrëveshjet për mënyrën e drejtimit të skuadrës çuan në largimin e tij nga klubi.
“Jam njeriu që mban më pak mëri në botë. Mosmarrëveshjet nuk zgjasin shumë për mua dhe i lë pas me shumë lehtësi”, përfundoi Valdano./Telegrafi/


















































