LAJMI I FUNDIT:

Veliaj merr vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar

Veliaj merr vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar

Pasi planet e Edi Ramës për të dhënë me koncesion 8500 metra katrorë truall të Teatrit Kombëtar dështuan, tashmë flamurin e protagonistit e ka marrë në dorë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili nuk ka pritur po ka marrë dje vendimin për të shembur Teatrin Kombëtar. Votimi është kryer nëpërmjet email–it që u është dërguar anëtarëve, dhe nuk është zhvilluar as ndonjë mbledhje formale online. Vendimi hyn në fuqi dhjetë ditë pas marrjes së vendimit, sipas nenit 55 të qeverisjes vendore. Pra, pas datës 24 maj.

Regjisori Robert Budina, gjatë një daljeje televizive denoncoi një mesazh të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, sipas të cilit thuhet se i kërkon Veliajt shembjen e Teatrit brenda ditës së martë. Vetë kryeministri dje në mbrëmje u shpreh se prishja e Teatrit është një ëndërr e tij 20-vjeçare, por nga ana tjetër ka shkarkuar përgjegjësinë nga vetja kur tha se ky nuk është më problem i tij, por i Bashkisë së Tiranës.


Këshilli Bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, përbëhet vetëm nga anëtarë të PS-së në shumicën dërrmuese dhe ndonjë anëtar i partive aleate. E thënë ndryshe, kryetari i Bashkisë dhe këshilli tashmë e kish vendosur paraprakisht vendimin, dhe votimi ka qenë formal.

Por, megjithëse Veliaj kërkon të imponojë me çdo kusht shembjen e Teatrit, duket se s’do e ketë të lehtë. Jo më kot Rama, e kaloi topin në fushën e tij, duke kuptuar dhe kostot që mbart ndërmarrja e këtij akti. Menjëherë, sapo policët bashkiakë u paraqitën në dyert e Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Tetarit u gjend aty dhe kërcënoi se çdo tentativë nga ana e Veliajt për ta shembur godinën do kishte pasoja të rënda. Kjo aleancë, që ka mbledhur rreth saj artistë, intelektualë, regjisorë dhe qytetarë të thjeshtë, prej dy vjetësh ka bërë një rezistencë të admirueshme në dyert e institucionit.

Malorja u bë dhe më e rrëpirët për Veliajn, i cili duket se ka marrë një barrë më të madhe se sa mban realisht. Kjo pasi rezistencës së tyre iu bashkua dje institucionalisht dhe presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

Ky i fundit, prej kohësh ka shprehur mbështetjen e tij ndaj artistëve madje ka firmosur dhe një marrëveshje me ta. Lajmi për marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak u dha gjatë kohës kur Basha kish mbërritur mes artistëve në Teatrin Kombëtar. Kreu i opozitës komentoi dhe vendimin e marrë në urgjencë e sipër me urdhër të Veliajt.

“Bashkia e Tiranës ka një kryebashkiak të paligjshëm. Këshilli është inekzistent, i paligjshëm. Për sa kohë të jetë ky njeri në krye të punës, batërdia do të vazhdojë. Zgjedhjet do të vazhdojnë. Kjo dhunë, kjo vjedhje, grabitje, zhvatje e pronave të shqiptarëve, ka një dhe vetëm një emër, Edi Rama. PD ka qenë pranë artistëve në çdo sekondë. Ndaj iu bëj thirrje qytetarëve që të mbrojnë këta njerëz. Po mbrojnë shumë më shumë se sa një godinë. Po mbrojnë vijën e fundit, pas së cilës vjen diktatura”, tha Basha.

Vendimi u mor në të njëjtën ditë kur presidenti Ilir Meta, çështjen e teatrit dhe kalimin në pronësi Bashkisë së Tiranës ia dërgoi Gjykatës Kushtetuese. Meta në deklaratën e tij u shpreh se s’duhet të bëhet asnjë veprim pa pritur vendimin e kësaj gjykate.

I pyetur se ku do jetë presidenti në rast se fadromat i afrohen teatrit, ai u përgjigj: “Presidenti është gjithmonë në krye të detyrës së tij në mbrojtje të Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publik. Dhe do të jetë gjithmonë në krye të detyrës. Për sa i takon ndonjë karagjozi që kërkon të bëjë prova force me Presidentin apo nuk e di me kë tjetër, duhet ta ketë të qartë se Presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë, i ka bërë paralajmërimet të përsëritura”.

Reagime të ashpra nuk kanë munguar as nga artistët, apo aktorët e shoqërisë civile. Shkrimtari dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, tha dje se nga ana e qeverisë, apo e Bashkisë s’mund të ndërmerret asnjë veprim pa pritur gjykatën kushtetuese.

“Me prishjen e Teatrit, Shqipëria humbet një godinë historike dhe humbet në imazh në arenën ndërkombëtare. Turpi, në rast përplasje me artistët dhe aktivistët që mbrojnë Teatrin, do t’i ngelet qeverisë dhe policisë”, tha Mustafaj.

Analisti Fatos Lubonja tha se nuk kemi të bëjmë thjesht me një godinë që qeveria kërkon ta shembë, por me një shkollë që do u lihet brezave. Sipas tij, Veliaj kërkon të bëjë biznes me truallin e teatrit, ashtu siç kërkon të bëjë biznes dhe me prishjen e shkollës “Sami Frashëri”. Sipas tij, shkolla ishte krejt në rregull dhe e qëndrueshme nga ana strukturore pas tërmetit, dhe kjo e dalë nga vlerësimi i ekspertëve: “Por Veliaj e shembi, sepse aty do bëhet biznes, do bëhen ndërtime, e njëjta gjë do ndodhë dhe me teatrin”.

Për aktorin, Ylli Demneri është e papranueshme dhe heshtja e aktorëve që prej shumë vjetësh kanë interpretuar në këtë skenë. Demneri thotë se qeveria do e këtë të pamundur ta shembë teatrin, pasi do përballet me rezistencën e të gjithë qytetarëve.

“Është e pamundur! Do kesh të gjithë artistët në rrugë. Do ketë revoltë dhe manifestime të përditshme. Ka teatër 2 mijëvjeçarë dhe nuk kanë një arkitekturë kushedi. Më pëlqejnë teatrot e vjetër dhe duhet t’i ruajmë ato. Nuk kemi fatin të kemi shumë monumente kulture. Historia e Shqipërisë dhe Tiranës ka qenë e tmerrshme. Ato pak monumente që kemi duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Është shenjtëruar ky teatër”, thotë Demneri. /Mapo/

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
KATËR GJËRA

KATËR GJËRA

Poezi
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
DUART E NËNËS

DUART E NËNËS

Poezi
Kalo në kategori