LAJMI I FUNDIT:

Universiteti mesjetar i Durrësit dhe Jafeti biblik që i krijoi shqiptarët mitikë

Universiteti mesjetar i Durrësit dhe Jafeti biblik që i krijoi shqiptarët mitikë

“Zanafilla” e Dhiatës së Vjetër thotë se Noa – profeti që me varkë gjigante e shpëtoi njerëzimin nga përmbytja apokaliptike – kishte tre djem: Shemin (nga i cili thuhet se e kanë origjinën popujt semitë, si izraelitët dhe arabët), Hamin (që cilësohet paraardhës i popujve hamidë, si egjiptianët e lashtë, etiopianët dhe berberët) dhe Jafetin (emri i të cilit ndërlidhet me indoevropianët). Problemi është se cili popull është “legjitim” e kush “kopil” i trashëgimtarëve të Noas. Kështu, Abrahami – trashëgimtar i gjeneratës së nëntë të linjës që e nis Shemi – nga gruaja legjitime Sara e kishte djalin Isak që konsiderohet si baba i hebrenjve, e nga dashnorja Haxhere djalin Ismail – babanë e arabëve.

Po sipas Dhiatës së Vjetër, Jafeti i kishte shtatë djem. Meshehu ishte i parafundit. Ai ishte babai i ilirëve. Çuditërisht, armenët dhe gjeorgjianët po ashtu thonë se janë trashëgimtarë të tij. Mirëpo, fakti që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, është dëshmi se ata janë jo veç të poshtër po edhe kopilë! E, kjo temë – pra “origjina biblike” e shqiptarëve, e popullit më të lashtë në botë dhe jo vetëm – mbase është ligjëruar denjësisht në “Universitetin” mesjetar të Durrësit, për çka osmanët me origjinë inferiore mongole e “mbyllën” nga xhelozia. Dikush mund të kërkojë dëshmi, por ato hiç s’kanë rëndësi…!?


Se fajet për dekadencën shqiptare i kanë osmanët, këtë e ka “dëshmuar” Dorian Hatibi – një emër që nuk flet shumë, por “vepra” e vogël e të cilit është e madhe në epokën e injorancës. Para gati dy vitesh ai e publikoi një shkrim të shkurtë në profilin e tij në Facebook, me të cilin shkaktoi histeri masive në mediat elektronike dhe në rrjetet sociale. Kjo histeri nuk ka të ndalur, përderisa nuk i shihet fundi “luftës” virtuale mes islamofobëve dhe myslimanëve “puritanë e të fortë”. Kështu, në ndonjë nga “betejat” mes të dy palëve injorante, nga pala “përparimtare perëndimore” – në mesin e të cilëve njerëz që thirren në art, në kulturë e në shkencë – shpërndahet sërish shkrimi i Hatibit ku ndër të tjera thuhet se shqiptarët në Mesjetën e vonshme kishin qytete të zhvilluara sa Marseja apo Parisi, sa Firence apo Venediku; se filozofët humanistë shqiptarë bënin “kërdi” në Evropën e atëhershme; se kur Amerika banohej nga indianët primitivë dhe bota kishte shumë kanibalë, qytetet shqiptare kishin statute e qeveriseshin me demokraci…

E çfarë ndodhi pastaj? Sipas Hatibit: “Asgjë! Thjeshtë erdhi turku”. Shqiptarët pra e morën tatëpjetën dhe, “fakti” i parë në shkrimin e tij që e “dëshmon” mbrapshtinë që ua solli turku, është ky: “Kishim një universitet në vitin 1380, në Durrës. Që të krijoni idenë: Gjermania e ka hapur universitetin e parë gjashtë vjet pas Durrësit”!

Obsesioni për Universitetin mesjetar të Durrësit nis më 1993, në mediat e Kosovës. Autorësia i takon historianit Jahja Drançolli. Sipas tij, ky universitet themelohet më 1380 në Durrës, porse nga frika prej sulmeve osmane, në vitin 1396 bartet në Zarë.

Ç’është e vërteta, Durrësi përmendet edhe në historikun e publikuar në ueb-faqen e Universitetit të Zarës. Aty ndër të tjera thuhet: “Rektori i parë i universitetit (‘sveučilište’, siç shkruhet në kroatisht – v.j.) ishte ‘Ivan iz Drača’ (Gjon Durrësaku – v.j.), gjë që lidhet me faktin se Universiteti i Përgjithshëm i Zarës (Studium Generale – v.j.) ka trashëguar shkollën e mëparshme të hapur në Durrës (‘učilište’ në kroatisht – v.j.), që është tërhequr në Zarë për shkak të kërcënimeve përherë e më të mëdha turke në Evropën juglindore”.

Pra, në Durrës ka pasur shkollë e jo universitet. Ajo shkollë, si dhe Universiteti i Zarës më vonë, është themeluar nga Rendi kishtar dominikan që i jepte llogari Mjeshtrit të Rendit të Predikuesve (që atë kohë ishte Rajmondi i Kapuas), si dhe Papës (në ato 16 vite ishin tre – Urbani VI, Klementi VII dhe Benedikti XIII). Por, jo shqiptarëve. Pastaj, ndikimi i Republikës së Venedikut në Durrës ishte dominues që nga shekulli XIII, sidomos në aspektin ekonomik, ndërsa më 1350 e merr tërësisht qytetin nën sundim. E, kur është fjala te kërcënimet nga Lindja që u bënë shkas që “Universiteti” i Durrësit të bartet në Zarë, duhet cekur se Durrësi bie në duar të osmanëve 105 vjet më vonë – në gusht 1501. Pra, “universitetin” as nuk e hapën shqiptarët e as nuk e mbyllën turqit.

Gënjeshtrat historike kanë shkaktuar përherë vuajtje. Arabët dhe izraelitët urrehen pikërisht për shkak të “Zanafillës” – për nënën grua apo dashnore! Hitleri imponoi te gjermanët mitin e racës superiore ariane, e japonezët atë të trashëgimisë hyjnore. Në rastet më të fundit, gjenocidi në Ruandë rrënjët i ka te hipotezat e evropianëve se popullata tutsi është hamide, diçka që shumica hutu nuk e pranonte dhe ia atribuonte vetes. Ndërkaq, bindja se serbët janë popull hyjnor, me Kosovën si djep të “civilizimit” të tyre, shkaktoi luftërat më të tmerrshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Kur është fjala te gënjeshtrat, shqiptarët fatkeqësisht kanë plot të përbashkëta me serbët. Flasin për “Universitet” të Durrësit e për Akademinë romake të Apolonisë, ndërkohë që dokumenti i parë i njohur i shkruar në gjuhën shqipe është “Formula e pagëzimit” (1462). Flasin për primitivët e Amerikës, të kontinentit me shumë civilizime, e nuk e njohin veten. Krahasohen me dy vatra të kulturës, me Firencen e Venedikun, e tek në shekullin XX bëhen me alfabet. Flasin për vuajtjet nën Perandorinë Osmane dhe harrojnë se gjatë atij sundimi më shumë kanë luftuar me njëri-tjetrin. Flasin për pellazgët – pra shqiptarët, të cilët sipas historianit Skender Rizaj janë të vjetër së paku dy milionë vjet – e nuk i dinë saktë gjërat që kanë ndodhur para një muaji. E kanë gjuhën përplot huazime, e janë të prirë të besojnë se shqipja si gjuhë amtare, familjare, popullore, fetare, shkencore dhe letrare përdorej prej njeriut të parë biblik, shqiptarit Adam, emri i të cilit rrjedh nga fjalët Atë dhe Amë…! Kjo është arsyeja se pse nëpër media, andej te serbët dominojnë historianët e sojit të Jovan Deretiqit, e këtej historianët e fantashkencës si Fahri Xharra. Dhe, meqë ata që besojnë në gënjeshtra nuk dinë të bëjnë shkencë, për të dy popujt historinë e besueshme do të vazhdojnë ta shkruajnë të huajt të cilët askund nuk do t’i përmendin, as Universitetin mesjetar të Durrësit e aq më pak serbët si popull hyjnor.

Gënjeshtrat serbe i kanë vuajtur sidomos shqiptarët në Kosovë. Për to, akademiku që cilësohet si babai i kombit serb, Dobrica Çosiq, ka thënë: “Gënjejmë për ta mashtruar veten e për ta ngushëlluar tjetrin; gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë; gënjejmë për ndershmërinë. Gënjejmë për lirinë. Gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb dhe një dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë krijuese, me imagjinatë, kreativitet” (“Deobe”, 1961).

Po sipas Çosiqit, “gënjeshtra është në qenësinë e serbëve”, se “në këtë shtet çdo gënjeshtër në fund bëhet e vërtetë” dhe se “serbët shumë herë i ka shpëtuar gënjeshtra”! Por, ai po ashtu ka thënë se “gënjeshtra është interes shtetëror serb”. E, për dallim nga serbët që përfitojnë për të pësuar të tjerët, shqiptarët nuk e njohin interesin shtetëror. As kombëtar. Prandaj, edhe kur rrejnë, e gënjejnë dhe e dëmtojnë veç veten!