eksperti-banner

Protestat në Shqipëri kundër projektit turistik të Jared Kushnerit janë përshkallëzuar në një përplasje diplomatike me Iranin, siç e ka titulluar media prestigjioze ndërkombëtare Euronews, në një shkrim analitik ku pasqyrohet gjerësisht ajo çfarë po ndodh në Shqipëri gjatë dy javëve të fundit.

Sipas Euronews, kryeministri Edi Rama e ka mbështetur narrativën e tij duke sugjeruar se si protestat, ashtu edhe vëmendja mediatike, po nxiten pjesërisht nga një luftë hibride e mbështetur nga Teherani. Kreu i qeverisë ka deklaruar se Irani është një aktor keqdashës që u përfshi menjëherë në këtë situatë, duke kujtuar se vendi ndodhet në një konflikt të vazhdueshëm kibernetik me të prej disa vitesh, shkruan media e madhe europiane.


Euronews citon edhe zëdhënësin e ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili u shpreh publikisht se ishte vetë kryeministri shqiptar ai që e nisi këtë përplasje dhe se tashmë qeveria duhet të përballet me pasojat e pakënaqësisë së pastër të brendshme qytetare.

Euronews përmend edhe ekspertin amerikan të sigurisë dhe diplomacisë, Christopher Hyland, sipas të cilit ndonëse shqetësimet për mjedisin janë legjitime, shndërrimi i tyre në retorika izoluese apo paragjykuese ndaj besimeve fetare të partnerëve në një investim prej 4 miliardë dollarësh është jashtëzakonisht i rrezikshëm.

Në mbyllje të analizës, Euronews tregon se përplasja mes palëve ka kaluar në rrjetet sociale, ku Irani hedh poshtë akuzat për përfshirje në çështjet e Shqipërisë dhe insiston që kryeministri shqiptar të dëgjojë zërin e qytetarëve të tij, jo të kërkojë faktorë të jashtëm.