LAJMI I FUNDIT:

Ulet numri i kurorëzimeve në Dibër

Ulet numri i kurorëzimeve në Dibër

Gjatë vitit që kaloi, respektivisht gjatë vitit 2023 në komunën e Dibrës vërehet një ulje e kurorëzimeve. Përfaqësues të institucioneve kompetente thonë se proceset e migrimit ndikojnë negativisht në numrin e martesave, meqë migrojnë kryesisht të rinjtë. Kur jemi tek nataliteti dhe mortaliteti, në vitin 2023 nuk ka ndryshime të mëdha në krahasim me vitet e kaluara. Nataliteti dhe mortaliteti në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë pothuajse nuk ka ndryshime të mëdha gjatë dy dekadave të fundit përveç faktit se gjatë viteve të pandemisë Kovid-19 ka qenë i dyfishuar numri i mortalitetit në të dy komunat në fjalë.

Institucionet kompetente në Dibër thonë se gjatë vitit 2023 numri i kurorëzimeve është 180. Në krahasim me vitet e kaluara ka një ulje meqë mesatarisht dy dhe tre vite më parë në Dibër ka patur 200 martesa. Burimet e njëjta sqarojnë se braktisja e vendlindjes nga ana e të rinjve është shkaku kryesor që vërehet ulje e numrit të martesave. Mes kurorëzimeve ka edhe çifte të cilët jetojnë në shtetet të jashtme por që ai numër është i ulët në krahasim me kurorëzimet që çiftet dibrane i bëjnë në shtete ku kanë migruar, siç janë Italia, Zvicra, Gjermania, disa shtete të tjera të Unionit Evropian por edhe SHBA-ja. Për shkak të marrjes të dokumenteve dhe pasaportave të shteteve në fjalë, çiftet e reja që migrojnë, një pjesë dërmuese të tyre preferojnë që të marrin pasaportat amerikane dhe të shteteve evropiane


Ndryshime të mëdha rreth natalitetit dhe mortalitetin në komunën e Dibrës gjatë vitit që kaloi nuk vërehen në krahasim me vitet e kaluara. Sipas të dhënave të Drejtorisë për udhëheqjen e librave Amë në Maqedoninë e Veriut, zyra rajonale Dibër në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 150 lindje. Bëhet fjalë për një numër përafërsisht të njëjtë të lindjeve me vitet e të fundit, respektivisht 2021, 2022. Por, edhe kësaj here pjesa dërmuese e lindjeve është realizuar jo në Spitalin e Dibrës por në Spitalet e Strugës, Ohrit dhe Shkupit. Në Spitalin e Dibrës janë regjistruar vetëm një e pesta e lindjeve.

Kur bëhet fjalë për mortalitetin gjatë vitit 2023 kanë ndërruar jetë afro 100 persona. Ky numër faktikisht është i ngjashëm me vitet e mëparshme përveç dy vitet e pandemisë kur numri i vdekjeve ishte mbi 200 brenda një viti. Poashtu në këtë drejtim duhet theksuar edhe faktin se që nga pavarësimi i vendit numri i vdekjeve ka qenë mes 80-110 persona në vit, por duhet theksuar se në numrin e përgjithshëm të vdekjeve janë edhe ata të komunës rurale të Qendër Zhupës./Koha.mk/