Jamal Musiala ka shkaktuar shqetësim të madh pasi pësoi kolapsin e dytë në fushë brenda vetëm katër ditësh. Tani, një neurolog i njohur ka dhënë më shumë detaje rreth gjendjes së mundshme që po prek yllin e Bayern Munichut.

Musiala shkaktoi shqetësim të madh pasi u rrëzua në fushë për herë të dytë brenda katër ditësh, gjatë fitores së Bayern Munichut në miqësoren ndaj Heidenheimit. 23-vjeçari dukej i hutuar dhe kishte nevojë për trajtim mjekësor para se të largohej nga fusha me ndihmën e stafit, pas një episodi të ngjashëm dhe shqetësues në ndeshjen ndaj Leipzigut.


Drejtori sportiv Max Eberl konfirmoi se klubi është plotësisht në dijeni të situatës dhe po e mbështet lojtarin.

Më vonë, Musiala publikoi një deklaratë ku zbuloi se është diagnostikuar me kriza të përkohshme dhe të shkurtra të mungesës, të shkaktuara nga një çrregullim neurologjik.

Pas këtyre episodeve, mediumi gjerman BILD kontaktoi profesor Christoph Kleinschnitz, drejtuesin e departamentit të neurologjisë në Spitalin Universitar të Essenit, për të marrë një vlerësim profesional.

“Nga këndvështrimi neurologjik, kjo potencialisht mund të jetë një krizë epileptike. Mund të bëhet fjalë për një formë të epilepsisë së mungesës, pasi simptoma të tilla si periudhat e shkurtra të mosreagimit janë në përputhje me të”, shpjegoi neurologu i njohur.

“Megjithatë, do të na duhej t’i dinim të gjitha rezultatet e ekzaminimeve neurologjike për të bërë një vlerësim të tillë”.

“Është një gjendje që mund të trajtohet, por do të kërkonte terapi afatgjatë. Musiala mund të vazhdojë të luajë futboll”.

Tani prioriteti është që Musiala të menaxhojë këtë gjendje të sapodiagnostikuar neurologjike, krahas rikuperimit nga dëmtimet e mëdha ortopedike që ka pësuar.

Fatmirësisht, ekspertët shprehen optimistë se, me trajtimin e duhur afatgjatë, kjo gjendje nuk pritet t’i japë fund karrierës së tij profesionale./Telegrafi/

telegrafi sport app