Euro bie, importuesit fitojnë: Kursimi potencial në Shqipëri arrin 5.7 miliardë euro

Rënia e euros dhe forcimi i lekut gjatë viteve të fundit nuk është përkthyer vetëm në një kurs më të favorshëm këmbimi. Për bizneset që importojnë mallra nga Europa si dhe e gjithë bota, kjo ka nënkuptuar një kosto më të ulët dhe fitime më të larta.
Nëse analizojmë të dhënat e tregtisë së jashtme për periudhën 2022 deri në korrik të këtij viti vihet re se efekti potencial është i konsiderueshëm, I cili arrin deri në 5.7 miliardë euro ndërsa për mallrat vetëm nga Europa importuesit kanë siguruar një kursim potencial si pasojë e efektit të kursit të këmbimit në 2.9 mld euro në pothuajse 5 vite.
Nëse marrim vlerën e importeve të raportuara në lekë, të konvertuar në euro me kursin mesatar të secilit vit dhe më pas të llogarisim sa do të kushtonte i njëjti volum importesh nëse euro do të kishte qëndruar në nivelin e vitit 2022. Na rezulton se sa më shumë është forcuar leku, aq më e madhe është dhe diferenca.
Referuar vitit aktual kursi I këmbimit ka rënë me 23.63 lekë për euro krahasuar me vitin 2022. Teksa importet total 7 mujori 2026 arritën në 5.6 mld euro, me rënien e kursit përkthehet në 132.6 mld lekë të kursyera për importuesit apo rreth 1.1 mld euro.
Referuar 5 viteve të fundit kursimi potencial arrin në 568 miliardë lekësh ose rreth 5.7 miliardë euro nëse llogaritim të gjitha importet .
Por kjo është skema maksimale. Për një vlerësim më të përqendruar analizën e kufizojmë tek llogaritja e importeve nga Bashkimi Europian të cilat përbëjnë mbi gjysmën e tregtisë së Shqipërisë.
Edhe këtu shifra mbetet e madhe rreth 286 miliardë lekë, ose afërsisht 2.9 miliardë euro kursim potencial, nga viti 2023 deri në korrik 2026.
Në teori një importues që blen një produkt 100 euro sot, paguan shumë më pak lekë sesa do të paguante për të njëjtin produkt kur euro ishte në nivelet e vitit 2022.
Megjithatë as 568 miliardë lekët dhe as 286 miliardë lekët nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht fitimin neto të importuesve. Ato tregojnë kursimin potencial në koston e importeve nga ndryshimi i kursit të këmbimit ndërsa përfitimi real i kompanive varet nga monedha e kontratave, rritja e çmimeve të mallrave, kostot e transportit dhe energjisë.
Por për ne konsumatorët, a është reflektuar ky përfitim në çmimet që paguajmë?
Nëse kostoja e blerjes në lekë është ulur ndjeshëm për një pjesë të importeve, pritshmëria do të ishte që të paktën një pjesë e këtij efekti të shfaqej edhe në çmimet në treg./Top Channel


































