“Jam mirë”, Jamal Musiala sqaron arsyen pse u rrëzua që dy herë radhazi

Jamal Musiala ka reaguar pas dy episodeve shqetësuese gjatë ndeshjeve të Bayern Munichut, duke sqaruar se çfarë po i shkakton rrëzimet e tij të papritura.
23-vjeçari u rrëzua për herë të dytë brenda pak ditësh gjatë fitores 4-2 të Bayernit ndaj Heidenheimit të martën. Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në fitoren 3-1 ndaj RB Leipzigut të shtunën, kur reprezentuesi gjerman u rrëzua në fushë dhe më pas u largua pas ndërhyrjes së stafit mjekësor.
Pas incidentit të fundit, Musiala ka reaguar përmes Instagramit për t’i qetësuar tifozët dhe për të shpjeguar gjendjen e tij.
“Para së gjithash – jam mirë! Jam veçanërisht mirënjohës për të gjitha mesazhet dhe mbështetjen tuaj. E kuptoj se shumë prej jush janë të shqetësuar. Sot dua t’ju qetësoj dhe t’ju shpjegoj pak më shumë”.
“Jam diagnostikuar me episode të shkurtra, të përkohshme, por lehtësisht të trajtueshme të mungesës së vetëdijes, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik. Këto mund të shkaktojnë episodet që kanë ndodhur së fundmi, si ndaj Leipzigut dhe tani në Heidenheim”.

Musiala ka theksuar se është duke marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe se është optimist për gjendjen e tij.
“E di se në shikim të parë mund të duken të frikshme, por për mua, aktualisht, ato janë pjesë e përditshmërisë. Po marr trajtimin më të mirë të mundshëm mjekësor për këtë dhe jam shumë optimist. Bayerni dhe njerëzit e mi të afërt janë gjithmonë pranë meje dhe më mbështesin në këtë rrugëtim”.
“E rëndësishmja është se nuk ka ndonjë rrezik tjetër për shëndetin. Në konsultim të ngushtë dhe komunikim të rregullt me specialistët, ishte dëshira ime personale ta përballoj këtë sfidë dhe, me miratimin e specialistëve neurologjikë, të vazhdoj të fokusohem në atë që më ndihmon më shumë në rikuperimin tim: thjesht të jetoj jetën time të përditshme dhe të vazhdoj të ndjek pasionin tim për të luajtur futboll.”
Musiala ka theksuar se e ka marrë vetë përgjegjësinë për këtë vendim dhe se ndihet mirë për rrugëtimin e tij të rikuperimit.
“Në përgjithësi, kam një ndjenjë shumë të mirë dhe besoj se jam në rrugën e duhur.”
“Ajo që më ndihmon më së shumti në këtë rrugëtim është të vazhdoj të luftoj për fitore dhe trofe me ekipin tim, së bashku me mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë të më kuptoni pak më mirë. Në të njëjtën kohë, kërkoj mirëkuptimin tuaj që këtë çështje dua ta mbaj brenda rrethit tim më të afërt të njerëzve të besuar, klubit dhe specialistëve”, ka përfunduar Musiala./Telegrafi/








































