LAJMI I FUNDIT:

Turqia paralajmëron për përhapjen e krizës nga Gaza në Siri

Turqia paralajmëron për përhapjen e krizës nga Gaza në Siri

Ministria e Jashtme turke ka nënvizuar nevojën për të parandaluar përhapjen e konfliktit në Gaza të Palestinës në Siri.

Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, zëvendësministri i Jashtëm, Ahmet Yildiz zhvilloi bisedime dypalëshe në margjinat e Takimeve të Astanës në kryeqytetin e Kazakistanit.


Yildiz “përcolli mesazhet tona për bashkëbiseduesit tanë për të shmangur çdo reflektim të zhvillimeve në Gaza në Siri dhe për të rigjallëruar menjëherë procesin politik për zgjidhjen e çështjeve humanitare dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme brenda kuadrit të Rezolutës 2254 të KS të OKB-së”, citohet të jetë thënë në një njoftim.

Ndryshe, një raund i ri bisedimesh për zgjidhjen siriane filloi të mërkurën.

Pjesëmarrësit e formatit të Astanës, i cili përfshin Iranin, Rusinë, Sirinë, Turqinë dhe OKB-në, u mblodhën për takimin e tyre të 21-të për të diskutuar efektin e situatës në Gaza në Siri pas sulmeve të reja nga Izraeli.

Përfaqësues nga Jordania, Iraku dhe Libani, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq pritet të marrin pjesë si vëzhgues. /Telegrafi/