Trust Music sjell EP-n e parë me producentët And dhe Marc, një projekt që patjetër duhet të dëgjohet

And dhe Marc janë dy producentë të rinj që janë pjesë e label-it Trust Music.
Të njohur për qasjen e tyre të hapur ndaj stileve të ndryshme dhe eksperimentimeve kreative, ata nuk vendosin kufij kur vjen puna te krijimi apo bashkëpunimi me artistë e krijues që ndajnë të njëjtin vizion muzikor.
Të shtunën, ata lansuan EP-n e parë të tyre nën Trust Music. Në këtë projekt, dëgjuesit kanë mundësinë të njoftohen me disa prej emrave të rinj të industrisë muzikore në Kosovë, si Jolle, ilothegoat dhe Dabo, artistë që me stilin dhe energjinë e tyre e kanë pasuruar edhe më shumë këtë EP.
Muzika që kanë krijuar And dhe Marc përfshin shumë stile të ndryshme: prej Electronic Music, Techno, Tech House, Drum n Bass, e deri te Hip Hop e Miami Bass. Ata nuk janë përqendruar veç në një zhanër, por kanë sjellë një projekt të larmishëm ku secili mundet me gjetë diçka që i pëlqen. Kjo liri kreative i dallon prej të tjerëve dhe sjell një frymë të re që mungon shpesh në skenën tonë muzikore.
EP-ja quhet "Trust Music", dhe përmes këtij projekti ata kanë dashur të tregojnë idenë që qëndron pas gjithë label-it: të kenë besim në muzikë. Sipas tyre, muzika nuk është veç për përfitim, ajo ka fuqinë me bashku njerëz, të frymëzojnë dhe të sjellin diçka ndryshe në shoqëri.
Kështu që, nëse doni të dëgjoni diçka ndryshe, me zëra të rinj e me rryma të ndryshme muzikore, ia vlen shumë t’ia jepni një dëgjim kësaj EP-je. And dhe Marc kanë punuar me zemër dhe e kanë sjellë një projekt që krejt mund të kënaqeni duke e dëgjuar. /Telegrafi/































































