Trippier mund të përfundojë në Serie A, dy skuadra të mëdha në garë për anglezin

E ardhmja e Kieran Trippier mbetet e hapur, pasi mbrojtësi i djathtë ka vendosur të mos rinovojë kontratën me Newcastle United dhe pritet të largohet si lojtar i lirë këtë verë.
Në moshën 35-vjeçare, anglezi po shqyrton me kujdes opsionet për hapin e radhës në karrierë. Përvoja dhe cilësia e tij kanë tërhequr interes nga disa kampionate, përfshirë Ligën Premier, Ligue 1, MLS dhe Arabinë Saudite.
Sipas raportimeve nga Sports Boom, dy klube franceze, Paris FC dhe Monaco kanë shprehur interes konkret për shërbimet e tij.

Megjithatë, pista italiane po fiton gjithnjë e më shumë terren. Como dhe Roma janë duke punuar për ta bindur Trippier që të transferohet në Serie A, duke e parë atë si një përforcim me eksperiencë për sezonin e ardhshëm.
Me largimin nga “The Magpies” që duket i pashmangshëm, Trippier pritet të jetë një nga emrat më interesantë në tregun e verës, ndërsa vendimi i tij final mund të ndikojë në disa projekte ambicioze në Evropë dhe më gjerë./Telegrafi/





















































