“Tingujt shqiptarë frymëzuan ‘The Odyssey’”, Edi Rama zbulon vizitën e kompozitorit të njohur Ludwig Göransson në jug të Shqipërisë


Kryeministri Edi Rama ka ndarë një mesazh krenarie për përfshirjen e elementeve të muzikës tradicionale shqiptare në një nga produksionet më të mëdha kinematografike të viteve të fundit, filmin “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan.
Rama bëri të ditur se kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka vizituar jugun e Shqipërisë, ku është njohur nga afër me iso-polifoninë shqiptare, pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Sipas tij, tingujt e iso-polifonisë dhe të fyellit dyjar kanë shërbyer si burim frymëzimi për kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, një projekt shumë i pritur i Hollywood-it, ku marrin pjesë disa prej aktorëve më të njohur të kinemasë botërore.
“Shqipëria dhe vlerat e saj vazhdojnë të frymëzojnë deri në produksionet më të mëdha të Hollivudit”, shkroi Rama, duke e cilësuar këtë një moment krenarie për kulturën shqiptare.
Vizita e Göransson në jug të vendit dhe përfshirja e elementeve të muzikës tradicionale shqiptare në një film të një regjisori si Christopher Nolan kanë rikthyer vëmendjen ndërkombëtare te trashëgimia muzikore e Shqipërisë. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com














































