Thaçi: Do ta ndihmoj sportin kosovar

Në prani të ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Memli Krasniqi, Kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, dhe qindra sportistëve kulminantë, Thaçi i ka siguruar sportistët kosovarë se do t’i mbështesë gjithmonë, deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare të sportit.
“Sonte dëshiroj të theksoj se Kosova është njohur nga 110 shtete më të fuqishme ndërkombëtare, por anëtarësimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, është një lloj i anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sepse sporti kosovar është njohur dhe pranuar nga e gjithë bota. Tani neve na mbetet një angazhim edhe më i madh”, ka thënë Thaçi, transmeton Koha.
Thaçi kujton kohën para dy vjetësh, në vitin 2012, së bashku me presidenten Jahjaga ishin në Olimpiadën Londra 2012, ku ishte prezente edhe simboli olimpik kosovar dhe shqiptar, Majlinda Kelmendi.
“Në atë kohë Majlinda simbolizonte shtetin e Kosovës, ishte himni dhe flamuri i Kosovës. Në atë kohë kemi biseduar edhe për hapat tonë të mëtutjeshëm. Në atë periudhë i kam premtuar Majlindës dhe ju premtoj edhe sonte juve të gjithëve, që do ta kemi nderin së bashku të jemi përësri sikur në Londër 2012, edhe në Rio 2016”, është shprehur Thaçi.
“Natyrisht, në atë kohë, unë kam pasur një këshillë për Majlindën pas betejës që zhvilloi në atë mbrëmje jo të lehtë për të, por krenare për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, për trajnerin e saj, edhe për presidenten dhe për mua si kryeministër i vendit. Dhe këshilla ime ka qenë që ‘kur të fillosh të fitosh Majlidë, nuk do të ndalesh’. I thash se po të flas nga përvoja ime politike, që kur filluam t’i fitojmë zgjedhjet më nuk u ndalëm. Prandaj, ne i fituam zgjedhjet dhe do të jemi në Rio 2016”, ka thënë kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.
Thaçi ka thënë se tani neve si institucione të vendit, si sport kosovar, na mbetet që të punojmë edhe më tepër, në veçanti që Kosova të anëtarësohet edhe në UEFA, edhe në FIFA dhe në FIBA. /Telegrafi/



















































