U fut për ta pastruar bunarin, vdes 75-vjeçari në Gjilan


Një person ka humbur jetën në fshatin Dobërçan të Gjilanit, pasi dyshohet se ka rënë në një pusetë gjatë pastrimit të saj.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se njësitet policore kanë reaguar menjëherë pas pranimit të njoftimit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, rreth orës 14:23 të datës 29.06.2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacion për incidentin në fshatin Dobërçan, ku dyshohet se viktima ka rënë në pusetë derisa ishte duke e pastruar atë.
“Nga hetimet e para dyshohet se një person ka rënë në një pusetë derisa ishte duke e pastruar atë”, ka deklaruar Hashani.
Në operacionin e kërkimit dhe nxjerrjes së viktimës janë përfshirë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë bërë zbrazjen e pusetës. Pas nxjerrjes, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, i cili është i lindur në vitin 1951.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe njësitet e forenzikës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia po heton rrethanat e plota të rastit.
































