Të shpëtohet së paku Llamkosi!

- Letër e hapur kryeministrit Hashim Thaçi për ekonominë e shkatërruar të Vushtrrisë -
Procesi i privatizimit për komunën e Vushtrrisë, ka rezultuar një proces krejtësisht të dështuar, jotransparent dhe korruptiv. Duke qenë se Vushtrria kishte së paku tri fabrika të mëdha, popullsia e atjeshme ishte në të shumtë e angazhuar në to. Në fabrikën e tekstilit Vushtex (ish Poleti), në fabrikën e Llaqeve dhe Ngjyrave Extra dhe në Fabrikën e Llamarinës Llamkos ishin të punësuar rreth 4.000 punëtorë.
Gjatë dhe pas procesit të privatizimit këto fabrika, dikur krenaria e këtij qyteti, ndërruan natyrën e funksionimit dhe dedikimit. E gjithë punëtoria mbeti pa punë dhe sot Vushtrria rangohet ndër regjionet më të varfra në Kosovë.
Vushteksi, po e zëmë, është shndërruar në deponi mallrash gjithfarë dhe tjetërsimi i natyrës së tij duhet dhe do të jetë në fokus të interesimeve të Qeverisë, sepse edhe aty, gjatë procesit të privatizimit janë kultivuar praktika të dyshimta. Janë 3.000 vende pune që janë humbur vetëm me këtë rast, ndërsa zhvillimet e likuidimit të kësaj fabrike janë krejtësisht jotransparente.
Por sot, pas shumë tentimeve të mia që këtë çështje ta paraqes në Kuvend, dua të shpreh publikisht indinjatën time të thellë për zhvillimet më të reja në fabrikën Llamkos. Rreth 500 punëtorë të kësaj fabrike ka disa muaj që nuk kanë marrë pagat e tyre. Për më shumë ata janë krejtësisht të pasigurt për të ardhmen e fabrikës së tyre.
Siç dihet z. Kryeministër, kjo fabrikë është privatizuar me spinn-off special nga një afarist bullgar, për të cilin gjatë procesit të konkurrimit AKM ka qenë në dijeni se operatori i tij para organeve përkatëse bullgare veç kishte paraqitur kërkesën për fillim të insolvencës, pra ishte një operator ekonomik në shuarje, gjë kjo që do të duhej ta përjashtonte automatikisht këtë operator nga proces konkurrimit.
Ky fakt do të duhej të merrej parasysh nga AKM, por me gjithë vërejtjet që janë bërë në këtë drejtim, kjo agjenci (atëbotë administruar nga ndërkombëtarët dhe nga vendorët) ka injoruar këtë fakt dhe ka shpallur operatorin bullgar fitues. Kontrata e privatizimit është nënshkruar në korrik 2005, me zotimin se do të investoheshin 15 milionë euro, respektivisht fabrika do të punësonte 500 punëtorë. Investimet kanë qenë diku 15% të premtimeve dhe janë punësuar 50 punëtorë më pak se që parashihte kontrata.
Për të mos mjaftuar me kaq, ky operator ka marrë kredi nga Reiffeisen Bank duke lënë si hipotekë fabrikën e Llamkosit. Në ndërkohë operatori bullgar ka falimentuar dhe Llamkosi është sjellë në një gjendje me kontest pronësor. AKM në maj 2008 ka marrë vendim për inicimin e procedurës së ushtrimit të tërheqjes së aksioneve për Llamkosin, të cilin vendim e ka rikonfirmuar edhe AKP.
Z. Kryeministër, që nga gushti 2008 punëtorët e Llamkosit nuk kanë marrë pagat e tyre. Ata kanë protestuar edhe para qeverisë, por kanë hasur në veshë të shurdhër. Kanë protestuar edhe para Kuvendit të Komunës në Vushtrri, dhe unë i kam përcjellur nga afër këto zhvillime, duke u përpjekur, si përfaqësues popullit, të jem me ta në këto kohë të rënda për ta dhe familjet e tyre.
Tani ata po bëhen gati që të futen në grevë urie. Një grevë e tillë nuk do t’i bënte mirë as gjendjes së gjithmbarshme dhe as imazhit të qeverisjes, andaj Ju lus, z. Kryeministër, që të vini dhe të bëhemi bashkë në mënyrë që ju si qeveri dhe ne si përfaqësues të popullit së bashku me organet udhëheqëse dhe sindikatën e Llamkosit, të shpëtojmë këtë fabrikë nga shkatërrimi. Me këtë rast pa bukën e përditshme do të mbeteshin rreth 500 familje, gjë që do të rëndonte ndjeshëm gjendjen edhe ashtu shumë të rëndë të popullatës së kësaj ane.
Dua të Ju informoj poashtu, se bashkë me disa kolegë deputetë kam përgatitur kërkesën për debat/interpelancë parlamentare rreth gjendjes në këtë fabrikë.
Duke q enë i vetëdijshëm për veprimtarinë e ngjeshur dhe obligimet e shumta që keni, kërkoj që të përkushtoheni edhe njëherë me tërë mundësitë që keni në mënyrë që ky kapitull i dhembshëm me këtë fabrikë të ketë një fund më me fat.
(Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës)





































