LAJMI I FUNDIT:

Të gjitha bankat turke ndalojnë përdorimin e sistemit rus të pagesave ‘Mir’

Të gjitha bankat turke ndalojnë përdorimin e sistemit rus të pagesave ‘Mir’

Tri banka turke planifikojnë të dalin nga sistemi rus i pagesave “Mir” për shkak të paralajmërimeve për sanksione ekonomike.

Siç raporton Bloomberg, Turkiye Halk Bankası, TC Ziraat Bankası dhe Turkiye Vakıflar Bankasi planifikojnë të ndalojnë përpunimin e pagesave duke përdorur këtë sistem, pas vendimeve të ngjashme nga dy nga bankat kryesore private të Turqisë.


Presidenti Rexhep Tajip Erdogan javën e kaluar diskutoi alternativat ndaj këtij sistemi me zyrtarët e tij të lartë të financave, të cilët kishin zhvilluar gjithashtu diskutime me homologët e tyre rusë. Erdogan deri më sot nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore lidhur me pushtimin rus të Ukrainës dhe ka shërbyer si ndërmjetës në një marrëveshje të grurit të mbështetur nga OKB-ja.

Mirëpo, pezullimet e “Mir” shënojnë një ndryshim delikate në qëndrimin e tij neutral pasi udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Turqia, një destinacion popullor për rusët që ikin nga lufta në Ukrainë dhe thirrja për mobilizim e presidentit Vladimir Putin këtë muaj, pritet të shpallë një vendim zyrtar për kartat “Mir” brenda kësaj jave.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Rusisë vlerësohet të ketë një kartë “Mir”, të cilën Rusia filloi ta zhvillonte në vitin 2015 për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Disa banka në vende të tjera miqësore me Rusinë, përfshirë Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Taxhikistanin kanë pezulluar gjithashtu përdorimin e sistemit. Armenia, Bjellorusia dhe Kirgistani mbeten vendet e pakta që ende pranojnë kartat “Mir”.

Pezullimet e “Mir” kufizojnë aftësinë e shtetasve rusë jashtë vendit për të kryer transaksione pa para, pasi sanksionet perëndimore i bënë të papërdorshme kartat e tyre Visa dhe MasterCard të lëshuara nga Rusia.

Departamenti amerikan i Thesarit këtë muaj paralajmëroi bankat jashtë Shteteve të Bashkuara se marrëveshja me “Mir”, “do të rrezikonte të mbështeste përpjekjet e Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve të SHBA”.

Pas pezullimit të Turqisë, Vietnami dhe Koreja e Jugut mbeten të vetmet kombe që nuk janë ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik që pranojnë “Mir”. /Telegrafi/