Nga të shtënat me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në lagjen Arbëria, mbetën dy persona të plagosur të cilët janë në gjendje të rëndë në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës, Naser Syla në një prononcim për Telegrafin ka thënë se njëri nga të plagosurit është në sallë të operacionit dhe tjetri po ashtu në gjendje të rëndë është në observim.


“Dy të plagosurit e kanë gjendjen e rëndë. Njëri është në gjendje të rëndë në observim ndërsa tjetri prej orës 04:00 të mëngjesit është ende në sallë të operacionit në gjendje të rëndë”, ka thënë Syla.

Edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, bëri të ditur se si pasojë e të shtënave dy persona kanë mbetur të plagosur.

“Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa policia është duke punuar për ndriçimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar ai.

Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Aktualisht, hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e rastit. /Telegrafi/