Sonte Sigal Prishtina-Cibona

‘Bardhekaltrit’ do të sprovojnë forcat me 18 herë kampioni i Kroacisë, e fituesi i shumë kupave, por edhe ish tre herë kampion i ish-Jugosllavisë.
Një nga klubet më të famshme jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë mbrëmë ka zbritur vendin tonë, dhe tashmë kroatët e Cibonës janë të gatshëm për tu përballur me kampionen e Kosovës.
Drejtori sportiv i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, ka thënë se tashmë gjithçka është gati për këtë ndeshje të madhe. Ai pret një atmosferë të bukur nga tifozët prishtinas ‘Plisat’. Miftari thekson se miqësorja me Cibonën është një test i madh për ndërkombëtarizimin e basketbollit tonë.
“Kjo ndeshje do të jetë miqësore, por pa përkrahjen e tifozëve, pa përkrahjen e ‘plisave’ nuk do të jetë ajo që e paramendojmë, andaj i lus ‘Plisat’ që të vijnë në numër sa më të madh dhe të aktivizojnë motorët shtesë të lojtarëve që t’i tregojmë botës, t’i tregojmë gjithë basketbolldashësve që edhe ne dimë të luajmë basketboll, që edhe ne dimë të organizojmë, sepse tani jemi shumë afër pranimit me drejta të plota nga Federata Ndërkombëtare FIBA, dhe presim që shumë shpjet përveç Ligës Ballkanike, ne të kyçemi edhe në ndonjë ligë tjetër”, ka thënë Miftari.
“Ky është vetëm hapi i parë qe ne e bëjmë drejt ndërkombëtarizimit, hapin më të fuqishëm, sepse ju e dini se kush është çfarë ekipi është Cibona”, tha ai.
Miqësorja në mes Sigal Prishtinës dhe Cibonës nis në orën 19:00. /KP/Telegrafi/



















































