‘Minatorët’ dhe ‘bardheklatrit’ luajtën baras 2-2, në kuadër të xhiros së 14-të të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.

Njeriu i parë i bankinës së prishtinasve thotë se skuadra e tijpësoi herët gol. Sokoli është i kënaqur me pikën e fituar, por jo edhe më lojën e skuadrës së tij.


“Pësuam gol befasues shumë të hershëm dhe sikur s’ishim akoma të përgatitur për këtë përballje derbi, por kjo ndodh. U rikthyem shumë mirë, kontrolluam fushën, lojën, topin, por mendoj se për të fituar ndeshjen derbi duhet më shumë guxim, e ky guxim sot na mungoi dhe na pamundësoi fitoren”, tha Sokoli për faqen zyrtar të klubit prishtinas.

“Kontrolluam pjesën më të madhe të ndeshjes ku jam i kënaqur me pikën e fituar e për çka më meritor janë vetë futbollistët, por akoma jemi larg dhe nuk jam i kënaqur me lojën. Është e vërtetë që po ndjejmë mungesat e Zhdrellës e Ahmetit, sepse janë lojtar që të nevojitën në ndeshjet derbi dhe sikur të kishin luajtur do të ishim më të rrezikshëm, por njëjtë edhe Zogiani nuk është në konditat më të mira, përveç për aq minuta sa luajti”, theksoi Sokoli.

Ndërkaq, Fahredin Duraku, trajner i Trepçës ’89, thotë se skuadrës së tij i humbi përqendrimi në lojë pas dy golave të pranuara.

Ai thotë se nga kjo ndeshje i ka menduar pikët e plota, por sipas tij, Prishtina është skuadër e madhe.
“Pas dy golave të pranuar me gabimet tona, na ra përqendrimi dhe për këtë kërkova mobilizim akoma më shumë çka e treguam fytyrën tonë të vërtetë ku barazuam e kemi mundur edhe të fitojmë, por futbolli është ky. I kam pritur tre pikë, por u pa se Prishtina është ekip i mirë dhe dinë të dënoj çdo rënie përqendrimi. Loja ka qenë e pëlqyer nga dy skuadrat dhe publiku këtë e ka ndje”, tha Duraku.

Pas kësaj ndeshje Trepça ’89 dhe Prishtina ndajnë pozitën e tretë dhe të katërt më nga 23 pikë të tubuara. /KP/Telegrafi/ 

telegrafi sport app