LAJMI I FUNDIT:

Skenderaj dështoi me shtyrjen e borxheve

Skenderaj dështoi me shtyrjen e borxheve

Komuna e Skenderajt nuk është treguar korrekte sa i përket shtyrjes së borxheve. Nga 195 mijë euro të prezantuara në pasqyrat financiare, pjesa më e madhe janë fatura të papaguara për më shumë se 30 ditë.

Këto gjetje të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, tregojnë se Komuna e Skenderajt nuk ka kryer pagesat e detyrimeve e saj brenda 30 ditësh, siç kërkohet me Rregulloren 01-2013.


“Nga faturat që arrijnë shumën totale prej 195 mijë euro të prezantuara në pasqyrat financiare, pjesa më e madhe janë fatura të papaguara për më shumë se 30 ditë. Për më tepër, ne kemi identifikuar shumën prej 27 mijë euro të detyrimeve që kanë ndodhur pas datës 31 dhjetor 2015 dhe janë prezantuar si detyrime të papaguara më 31 dhjetor 2015”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas këtij raporti, përveç vonesave në pagesa, Komuna e Skenderajt ka dështuar të japë informacione të plota, dhe rrezikon të paguajë edhe gjoba.

Auditori thotë se si pasojë e vonesave në pagesa dhe mungesës së informacioneve të plota mund të dobësohet aftësia e Komunës për të parashikuar dhe menaxhuar nevojat për likuiditet.

Ndërsa auditori ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Skenderajt që të zhvilloj plane veprimi në kuadër të këtyre obligimeve të pa përmbushura.

“Kryetari duhet të sigurojë që Komuna të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm dhe të zhvilloj plane veprimi për të bërë pagesat brenda periudhës së kërkuar”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për kryetarin e Skenderajt.

Komuna e Skenderajt tash e një kohë është pa kryetar komune pas Sami Lushtaku vazhdon të mbetet në burg. /Telegrafi/