Aktori David Del Rio është shkarkuar nga sezoni i dytë i serisë televizive të CBS-it, Matlock, për shkak të një hetimi që po zhvillohet ndaj tij lidhur me një akuzë për sulm seksual. Siç raporton HuffPost, aktori u largua nga seti më 2 tetor, të njëjtën ditë kur u raportua incidenti.

Ngjarja e dyshuar thuhet se ka ndodhur më 26 shtator, dhe sipas raportimeve, në të ka qenë e përfshirë kolegia e tij në seri, aktorja Leah Lewis. Pas publikimit të lajmit, Lewis reagoi në profilin e saj në Instagram me një mesazh mbështetës për veten:


“Mami është këtu. Po ecim përpara me dashuri dhe forcë. Jam në duar të mira. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe kujdesin. Fjala kyçe është forca. Le të jetë kjo mesazhi,” – shkroi ajo krah një fotografie të saj.

Përfaqësuesi i David Del Rio-s nuk ka dhënë ende ndonjë koment zyrtar. Ndërsa nga CBS Studios kanë konfirmuar largimin e aktorit nga seriali, por kanë refuzuar të japin detaje shtesë.

Del Rio ende nuk është prononcuar publikisht për akuzat, por bashkëshortja e tij, Katherine, ka reaguar në rrjete sociale duke publikuar një fotografi të aktores Lewis me mbishkrimin:

“Kjo është qenia njerëzore më shqetësuese që kam njohur ndonjëherë”.

Më pas ajo ndau edhe një tjetër postim me një foto të vetes dhe një gruaje të moshuar, duke imituar mënyrën e komunikimit të Lewis – të dyja postimet janë fshirë më pas.

- YouTube youtu.be

David Del Rio, i lindur në Florida, u bë i njohur përmes serialit të Nickelodeon “The Troop” (2009–2011). Ai ka luajtur gjithashtu në filmin “Pitch Perfect” dhe në serinë “Maggie”. Aktori është i martuar që nga viti 2018 dhe ka dy vajza.

Roli i tij si praktikant avokatie, Billy Martinez, në serinë Matlock konsiderohej një pikë e rëndësishme në karrierën e tij. Seriali është një version modern i dramës së njohur ligjore me aktorin legjendar Andy Griffith, që u transmetua nga viti 1986 deri më 1995. Në versionin e ri, rolin kryesor e mban Kathy Bates.

Që nga premiera e saj në vitin 2024, seria e re Matlock ka marrë vlerësime të shkëlqyera nga kritika, ndërsa Bates është nominuar për Çmimin “Golden Globe” dhe “Emmy” për interpretimin e saj. /Telegrafi/