LAJMI I FUNDIT:

Simfonia “e papërfunduar” e Elgarit

Simfonia “e papërfunduar” e Elgarit

Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

Këtë muaj u bënë 90 vjet qëkur vdiq Edward Elgari i cili pas vetes la 130 faqe të skicave për Simfoninë e Tretë [Third Symphony]. Lufta e Madhe i kishte shuar energjitë e tij krijuese dhe më pas i kishte devijuar ato, ndërsa vdekja e gruas së tij në vitin 1920 dukej se parashikonte rënien e tij mendore. Nuk qëndroi kot gjatë viteve të fundit të jetës. Përveç kompozimit të shumë këngëve dhe disa aranzhimeve orkestrale, kompozoi dy vepra që edhe sot kujtohen: Severn Suite (1930) dhe Nursery Suite (1931) – kjo e fundit për mbretëreshën e ndjerë dhe motrën e saj, princeshën Margaret. Gjithashtu, në ato vite Elgari përfundoi një nga të bëmat më të rëndësishme të karrierës së tij muzikore: dirigjimin e trashëgimisë së incizuar të veprave të tij kryesore, që në shumë raste mbeten përfundimtare dhe zbuluese pothuajse edhe një shekull më vonë.


Në vitin 1932, Elgari më në fund pati arsye për të shtrirë talentin e tij të plotë në kompozimin e një vepre orkestrale në shkallë të gjerë. George Bernard Shaw, miku i tij dhe i përkushtuar ndaj muzikës së tij, e bindi BBC-në të porosiste simfoninë e tij të parë pas më shumë se dy dekadave. Por, Elgari ishte me shëndet të dobët dhe shpejt e kuptoi se do të vdiste para se ta mbaronte. Fakti që nuk i shkatërroi skicat, nga shumëkush u kuptua si shenjë se dikush do ta përfundojë simfoninë për të – siç supozohet se i ka thënë mjekut të tij, në shtratin e vdekjes.

Skicat do të dilnin nga e drejta e autorit 70 vjet pas vdekjes së kompozitorit dhe në vitet 1990 familja Elgar mendoi se do të ishte më mirë të autorizonte dikën të përfundonte veprën – përpara se të humbnin kontrollin mbi fatin e saj në vitin 2004. Kompozitori Anthony Payne kishte studiuar skicat që nga fillimi i viteve 1970; dhe, në vitin 1993, BBC i kërkoi atij të ndërtonte simfoninë. Kur familja dëgjoi për këtë iniciativë, kundërshtuan, por shpejt e ndryshuan mendjen dhe Payne i përfundoi të katër pjesët. Ai foli për “vrullin e papërpunuar dhe lirizmin magjik”. Dhe, sigurisht, është i jashtëzakonshëm zhvillimi në gjuhën muzikore të Elgarit – gjatë heshtjes së tij të gjatë simfonike: toni është vërtet i vrullshëm, por ka gjithashtu një ndjenjë agresioni që mungon nga veprat e mëparshme dhe me raste një ndjesi të dyshimit dhe dilemave.

Pjesa e dytë, një skerco, është më e lehtë dhe riciklon frazat nga Suite King Arthur e vitit 1923. Pjesa e tretë, një adagjio, është thelbi i veprës. Përsëri, gjuha muzikore i detyrohet shumë pak ditëve të lulëzimit eduardian, por sugjeron reflektimin e një plaku që mendon se ka parë më shumë tragjedi sesa triumfe. Finalja është ndoshta më “elgariane” dhe Payne mendoi se përfaqësonte “aksionin dhe dramën kalorësiake”. Përfundon duke u zbehur, një përfundim i duhur delikat për një vepër kaq të thellë.

BBC i materializoi paratë e veta, 66 vjet më vonë: simfonia pati premierën publike në Royal Festival Hall, në shkurt të vitit 1998. Në të gjitha vitet e mia të ndjekjes së koncerteve, nuk kam qenë kurrë në një ngjarje kaq të mahnitshme. Isha vetëm njëri nga shumë të tjerë në sallën e mbushur që e kishte kuptuar prej kohësh gjuhën e Elgarit; por, interesante ishte mënyra se si ishte tërhequr nga atmosfera kulturore e viteve para Luftës së Madhe dhe se si ishte riformuar për botën e fotografive që flisnin, për Depresionin e Madh dhe ngritjen e Hitlerit.

Të gjithë ishim dëshmitarë të një momenti historik. Debati vazhdoi për një kohë nëse vepra ishte “vërtetë” elgariane, por gjithmonë është përshkruar si skicat e tij të “përpunuara” – nga Payne i cili iu përkushtua sa më shumë qëllimeve të Elgarit. Simfonia e Tretë i detyron të gjithë të rimendojnë vlerësimin që kanë për kompozitorin, një vlerësim i konceptuar shumë shpesh nga krijimtaria e tij madhështor eduardiane. Kjo nuk është gjë e keqe, dhe falë Paynet vepra është pranuar si një nga simfonitë më të mëdha në kanunin anglez – gjë që është saktësisht e drejtë. /Telegrafi/