Në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishin mbledhur një numër i vogël i shikuesve për ta shikuar ndeshjen, rreth 200, mirëpo për aq sa ishin dhuruan atmosferë të mirë gjatë tërë takimit.

Ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë teksa të dyja skuadrat nuk shënuan për tre minutat e parë, derisa Blerim Mazreku e hapi serinë e pikëve nga gjuajtja e lirë. Në vazhdim Trepça luajti mbrojtje të fortë duke i pamundësuar prishtinasve të shënonin lehtë, teksa çereku përfundoi me rezultat të barabartë 14-14.


Në çerekun e dytë u inkuadrua Dardan Berisha i cili e zhbllokoi menjëherë lojën me trepikëshat e tij dhe duke shënuar në total 11 pikë vetëm në këtë pjesëlojë, që i dhanë Sigal Prishtinës një epërsi prej dhjetë pikëve. Sidoqoftë, Fikret Hanxhiq shënoi një trepikësh në sekondën e fundit të këtij çereku për ta zvogëluar disavantazhin e skuadrës së tij në vetëm shtatë pikë, 39-32.


Çereku i tretë ishte i barabartë, pasi që të dyja skuadrat shënuan nga 17 pikë, ndërsa në çerekun e katërt doli në pah përgatitja e dobët e lojtarëve mitrovicas, e këtë e shfrytëzuan më së miri Bardhekaltërit të cilët inkuadruan edhe lojtarë nga banka rezervë që ishin më të freskët për ta përfunduar lojën me 13 pikë epërsi, 79-66.

Koshashënuesit më të mirë te Sigal Prishtina ishin Fisnik Rugova me 19 pikë dhe Dardan Berisha me 17 sosh që pati një paraqitje solide edhe në mbrojtje, ndërsa te Trepça u dalluan Fikret Hanxhiq dhe Alvaro Calvo që shënuan pikë dyshifrore. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app