Shuhet doajeni i gazetarisë sportive, Besim Dobroshi

Si një nga themeluesit e zhanrit të gazetarisë sportive në Kosovë dhe për kontributin e madh dhe të gjithanshëm në shtypin e Kosovës, më 2008 iu dha edhe Çmimi Kombëtar i Karrierës “Anton Mazrreku”. Pas mbarimit të Shkollës Normale në Gjakovë, së pari punoi si mësues në Korishë të Prizrenit e pastaj si edukator në Shkollën Normale në Prishtinë dhe pas kursit në Beograd, Besim Dobroshi filloi punën me nisjen e së përditshmes “Rilindja” , më 1961, fillimisht si një ndër stenografët e parë në Kosovë. Që në vitet e para të së përditshmes në gjuhën shqipe, themelon edhe Redaksinë e Sportit, në ballë të së cilës vihet Albert Dushi, pastaj Nazmi Kajtazi.
Në fund të viteve të 60-ta është pjesë e plejadës së njohur e emrave më të respektuar të sportit kosovar së bashku me kolegët Ali Shala, Fehmi Sejdiu, Abaz Dula, Gani Ajeti, Veli Vraniqi, pastaj Burim Hatipi, Muharrem Bulliqi, Mustafë Lecaj, Blerim Vula, Ismet Begu, Musa Alaj e shumë të tjerë, duke qenë nga redaksitë më të kompletuara në gazetarinë e shkruar sportive në gjuhën shqipe jo vetëm në Kosovë. Besim Dobroshi, që nga vitet e 60-ta, ka qenë gazetar – redaktor, duke u shquar në përcjelljen e devotshme të ndeshjeve të basketbollit që e kishte sportin më të preferuar. Mbahet mend për raportet nga kampionatet e ndryshme botërore, evropiane, nga Lojërat Olimpike, por edhe nga ngjarjet e tjera që janë zhvilluar në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë, si edhe në vende të tjera rajonale, shkruan portali ‘sporti1.com’.
Ishte i vetmi protagonist shqiptar në Kampionatin Botëror të basketbollit në Lubjanë më 1970, kur Jugosllavia për herë të parë fitoi medaljen e artë. Dy vjet më vonë, më 1972 si i vetmi gazetar shqiptar ndoqi dhe raportoi nga ndeshja e paharrueshme në Beograd, ndërmjet Partizanit të Tiranës dhe Crvena Zvezda të Beogradit.
Ishte në Shqipëri me turne basketbolli në vitet e para të 70-tave, më 1976 në Lojërat Olimpike në Montreal. Në Jugosllavi e në Kosovë gjithmonë ka qenë në ballë të ngjarjeve elitare sportive si Kampionati Botëror i basketbollit më 1978 në Filipine, Lojërat e Mesdheut më 1979 në Split, Kampionati evropian i basketbollisteve në Banjallukë, Kampionati botëror i futbollit më 1982 në Spanjë e shumë e shumë ngjarje të tjera.
Siç transmeton Arena, Dobroshi ishte edhe kronist i njohur edhe i ngjarjeve të mëdha të futbollit sidomos i kampionateve botërore dhe evropiane, por me dashuri të posaçme shkruante për sukseset e Trepçës dhe të Prishtinës në Ligën e Parë, sikundër që shkruante kolumne edhe për sukseset e skuadrave të tjera sportive në Kosovë, si fjala vjen për boks, mundje e të ngjashme!
Si redaktor i rubrikës së sportit në të përditshmen “Rilindja” bashkë me Ali Shalën për gati tri dekada, ka lënë pas shumë raporte e shkrime, të cilat edhe sot i shërbejnë çdokujt si modalitet i shkrimeve korrekte dhe me objektivitet të mprehtë! “Dosti” siç e thërrisnin kolegë e miq, ka dalluar nga të tjerët dhe është shquar për vetinë e tij fisnike: përkrahje e parezervë e kuadrit të rinj! Varrimi i të ndjerit u bë të shtunën, në Prishtinë. Me këtë rast edhe redaksia e Telegrafit i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dobroshi.



















































