LAJMI I FUNDIT:

Shteti kunder njeriut

Ngritja e çmimeve të bukës, naftës, energjisë elektrike, furnizimi jo i kënaqshëm me ujë të pijshëm e të pastër, madje numri i madh i të papunëve, janë duke ndikuar negativisht në përsosjen jetësore të shoqërisë sonë moderne. Tash e sa vjet, kosovarët mundohen t’u bëjnë ballë këtyre problemeve, por e kotë. E gjitha është duke ndodhur për shkak politikes së gabuar, ku popullin e vetë është duke e përdor si mjet përfitimesh për nevoja të ndryshme personale, e jo si subjekt për te arritur qëllime. Dhe kjo po na çon drejt një skllavërisë qytetare!

Njeriu si qenie politike është pjesë e qytetarisë aktive të një vendi, ku jeton e vepron aty. Është e nevojshme dhe e domosdoshme të mendojë, të mbajë përgjithësi etike se kë vendosë të përzgjedhë në udhëheqjen e shtetit të tij, në mënyrë që ne si shoqëri politike të kemi një udhëheqësi, e cila do t’i përfaqësojë interesat dhe vullnetin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve, në përgjithësi.


Ne, si një shoqëri demokratike, ku udhëheqësit i zgjedhën vetë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë, duket se kjo përzgjedhje nuk ke edhe aq e qëlluar, adekuate, pasi që elita politike po u kushton vërtetë shumë atyre që vet e zgjodhën. Qytetarët paguajnë rrymën. Rrymë s’kanë! Paguajnë ujin. Ujë s’kanë! Eh, çfarë ka i gjori, populli ynë? Këto, dhe probleme të tjera, tregojnë qartë se diçka nuk është ka funksionon ashtu si duhet dhe na bën të mendojmë se për kënd është ngritur shteti e në shërbim të kujt funksionon sot?

Shteti është në shërbim të popullit, dhe si i tillë shërben për nevojat e kërkesat e popullit. Dhe jo populli është në shërbim të një elite të caktuar njerëzish, siç po ndodh tani në Kosovë. Qytetari paguan taksat e të gjitha shërbimet e tjera, ndërsa shteti as që përmbush nevojat elementare të tij. Kjo tregon se qytetari për shtetin, në këtë rast, është skllav. Skllav modern, pavarësisht që punon e paguan taksat e shtetit. Siç vërehet, as këto nevoja elementare, shteti i Kosovës, nuk arrin që t’i përmbushë për qytetarët e vetë. Vërtetë, është për të ardhur keq nga spektri politik i Kosovës, se si vazhdon të manipulojë me paranë e popullit, ku shumica e tyre paguajnë taksat, e mundohen që brenda kushteve ekonomike që kanë t’i përmbushin të gjitha obligimet ndaj shtetit. Kurse, udhëheqja shtetërore, nuk po mund t’i plotësojë as kërkesat e saj minimale.

Atëherë, mua si qytetar më shtyn të mendojë: vallë, pse ne i paguajmë taksat ndaj këtij shteti? Siç dihet, qytetarët tanë taksat i paguajnë që shteti t’i menaxhojë dhe t’i shpenzojë paratë publike për të përmirësuar gjendjen ekonomike e sociale të tyre, t’i ofrojë qytetarit siguri e drejtësi, në funksionimin e gjykatave, si dhe në luftimin e krimeve, në përputhje me rregullat që janë të parapara me ligjet e shtetit, lirinë e lëvizjes. Megjithatë, ky përmirësim i standardit jetësor ende s’po ndodh. Kjo na bën të kuptojmë se paratë e qytetarëve të Kosovës po shfrytëzohen (manipulohen), për përfitime personale të elitave e individëve të caktuar, që u zgjodhën nga vetë populli. Kjo mospërgjegjësi ndaj qytetarëve, dhe manipulimi që shteti ua bën qytetarëve të saj, duke i shfrytëzuar si mjet për përfitim personal.

Ndërsa, lërja anash e pjesës tjetër tregon qartë se Kosova qëndron në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, me një udhëheqje e cila qytetarin e trajton si mjet për përfitim, e jo si qëllim për krijimin e kushteve, për një standard më të mirë jetësor.

Pushteti është në shërbim të qytetarëve: "Qeverisja e popullit, nga populli, për popullin", pohonte Abraham Linkoln. Pra, shteti është në shërbim të popullit dhe si i tillë shërben për nevojat e kërkesat e popullit, e jo populli në shërbim të një elite të caktuar njerëzish, ku populli është në shërbim të kësaj elite. Qytetari paguan taksat e të gjitha shërbimet tjera, e shteti nuk përmbush as nevojat elementare të tij.

Në periudhën e feudalizmit bujkrobërit punuan tokat për të siguruar ekzistencën e tyre. Atë prodhim që e kishin arritur detyroheshin që një pjesë të caktuar ta ndanin për feudalin, i cili vazhdonte të shtonte pasurinë e tij dita-ditës, duke marrë nga prodhimet e bujkrobërve. Në këtë mënyrë ndodh edhe tani në periudhën moderne, ku qytetari nga qeveria përdoret si mjet për të paguar taksat dhe pasuria e disa politikanëve dita-ditës shkon duke u rritur. Pasurim në kurriz të qytetarëve të saj!