Cakolli: LVV-ja mund të arrijë në 52 mandate nëse vazhdon trendi i njëjtë i votave me postë


Përfaqësuesi i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, Eugen Cakolli, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje mund të arrijë deri në 52 ulëse në Kuvend, nëse trendi aktual i rezultateve nga votat me postë vazhdon deri në përfundim të procesit të numërimit.
Në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja kishte siguruar 48 mandate. Megjithatë, pas numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike dhe një pjese të votave me postë, partia ka arritur në 50 ulëse, ndërsa PDK dhe LDK kanë humbur nga një mandat deri më tani.
Aktualisht, për numërim kanë mbetur edhe 37 vendvotime të votave me postë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 86 mijë zarfe me vota, ndërsa sipas Cakollit, numri i votave të vlefshme pritet të jetë rreth 82 mijë e 500.
“Ajo që vërehet deri tani është se trendet e votimit me postë dallojnë nga ato të votimit në ambasada dhe konsullata. Nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate tjera mbeten ende të hapura mes partive dhe rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit”, ka shkruar Cakolli.
Në votimin brenda Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë rreth 43 për qind të votave. Në përfaqësitë diplomatike, ku votuan mbi 22 mijë qytetarë, ajo siguroi mbi 80 për qind të votave, ndërsa në votat me postë të numëruara deri më tani, mbështetja për këtë parti qëndron mbi 65 për qind.
Sipas rezultateve të përmbledhura deri tani, LVV-ja prin me 44.4 për qind të votave, e ndjekur nga PDK-ja me 20.6 për qind, LDK-ja me 17.2 për qind dhe AAK-ja me 7 për qind. Megjithatë, rezultati përfundimtar dhe shpërndarja e mandateve do të varen nga votat e mbetura për t’u numëruar./Telegrafi/





































