LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1921, 1931, 1941 … 2021!?

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1921, 1931, 1941 … 2021!?

Vitet që nisin me një, shënojnë fillimin e dekadës së re. Por, dekada e re jo çdo herë niste mbarë për shqiptarët …

VITI 1921: SHPALLJA E REPUBLIKËS SË MIRDITËS, ME NDIHMËN E SERBISË


Parlamenti i parë shqiptar, më 1921. Emrat sipas rreshtave: 1 – Llambi Goxhomani, Bahri Omari, Ali Koprenca, Milto Tutulani; 2 – Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, Shefqet Vërlaci, Osman Haxhia, Ahmet Zogolli, Eshref Frashëri…; 3 – Shefqet Daiu, Ali Këlcyra, Kolë Thaçi, Halit Rroji, Banush Hamdi Bega, Qemal Vrioni, Ahmet Hastopalli, Dom Ndre Mjeda, Maliq Bushati, Pandeli Cale, Anton Beça; 4 – Spiro Koleka, Shuk Gurakuqi, Masar Këlliçi, Rexhep Mitrovica, Spiro Papa, Agatokli Xhitoni, Leonidha Frashëri, Syrja Pojani, Stavri Vinjau, Patuk Saraçi, Taqi Buda, Ibrahim Xhindi…; 5 – Leonidha Koja, Koço Tasi, Mustafa Kruja, Qazim Kokoshi, Loni Kristo, Bajram Fejziu, Mustafa Maksuti, Qemal Mullaj, Sejfi Vllamasi, Bektash Cakrani.

Komunizmi nis të përhapet nëpër botë. Më 1921 formohet Partia Komuniste e Italisë, e Çekosllovakisë, e Portugalisë, e Spanjës, e Kinës … Ushtria e Kuqe invadon në Gjeorgji, ndërsa ndodh puçi ushtarak i udhëhequr nga Reza Khan dhe Zia’eddin Tatabaee, që më 1925 do të sjell fundin e dinastisë Qajar në Iran.

Shkatërrimet gjatë luftimeve për pavarësinë e Irlandës

Në Irlandë vazhdon lufta për pavarësi, me sulme ndaj forcave britanike. Luftimet marrin fund më 6 dhjetor, kur Traktati Anglo-Irlandez e pranon Shtetin e Lirë të Irlandës që përfshinte 26 prej 32 konteve irlandeze.

Më 12 mars, Marshi i Pavarësisë miratohet si himn zyrtar i Turqisë. Autor i himnit është shqiptari me origjinë nga Shushica e Istogut në Kosovë, Mehmet Akif Ersoj. Ndër vargjet që këndohen në himn janë edhe këto:

Mos ki frikë! Nuk shuhet flamuri i kuq që valon në këtë qiell
Pa u fikur oxhaku i fundit që tymos mbi atdheun tim
Ai është ylli i popullit tim, do të shkëlqejë
Ai është imi,imi, vetëm popullit tim
T’u bëfsha kurban! Mos u ngrys moj hënë me naze!
Buzëqeshi popullin tim hero, ç’është kjo forcë dhe kjo madhështi!
Se nuk të falet gjaku që është derdhur për ty
Pavarësia është e drejta e popullit tim që beson në Zot.

Pamje nga ceremonia e varrimit e Mehmet Akifit, më 26 dhjetor 1936 në Stamboll

Këshilli Kombëtar i Shqipërisë që del nga zgjedhjet e 5 marsit 1921, i nis punimet më 21 prill 1921 (më vonë do të quhet Parlament). Kryetar i Këshillit Kombëtar u zgjodh Pandeli Evangjeli, ndërsa në vitin 1922, Eshref Frashëri. Atë kohë dalloheshin dy grupime politike: Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e kryesuar nga Hoxhë Kadri Prishtina.

Marka Gjoni

Derisa të gjithë mendonin se Shqipëria po shmang problemet e brendshme, shfaqet një tjetër: e ashtuquajtura Republika e Mirditës. Se një gjë e tillë do të ndodhte, këtë e kishte paralajmëruar edhe Baroni Nopça (Franz Nopcsa von Felso-Szilvas). Në veprën “Udhëtime në Ballkan: kujtimet e baronit Franc Nopça”, flitet për Kongresin e Shqiptarëve në Trieste, të mbajtur nga 27 shkurti deri më 6 mars të vitit 1913, nën organizimin e Faik Konicës dhe Sotir Kolesë, me mbështetje të Perandorisë Austro-Hungareze. Në atë kongres i pranishëm ishte edhe Nopça. Sipas tij, gjatë kohës kur po mbahej ende Konferenca e Londrës, në fronin e Shqipërisë hipi princ Wied. Në këtë kohë doli në pah edhe Prenk Bibë Doda, i cili udhëtonte midis Vjenës dhe Romës. “E kisha të qartë prej kohësh qëndrimin e tij proserb dhe promalazez, me anë të të cilit ai kërkonte njohjen e tij si princ i Mirditës. Që prej fillimit të luftës ballkanike ai u bashkua me Malin e Zi dhe më vonë, bashkë me Marka Gjonin, gjatë përparimit të trupave serbe kundër Lezhës, iu hapi rrugën trupave të tyre. Pas këtyre gjërave nuk më habiti kur më njoftoi, duke më trajtuar si mikun e tij personal, gjatë një darke festive në Hotelin Zaher [Hotel Sacher], se ai kishte ndërmend të kthehej në Mirditë jo nga Durrësi, por nga Beogradi. Besimi i tij shkonte aq larg sa që ai më kërkoi të ndërhyja pranë Berhtoldit në këtë çështje”.

Republika e Mirditës u shpall në Prizren, pra në Kosovën e sunduar atëbotë nga serbët, më 17 korrik të vitit 1921. Kjo republikë ishte në interesin e Serbisë sepse do ta mbante peng shtetin shqiptar dhe do të krijonte përçarje fetare. President i Republikës së Mirditës ishte Marka Gjoni.

Fatmirësisht, ishte Britania e Madhe që njohu qeverinë shqiptare në nëntor 1921, ndërsa kryeministri Lloyd George e detyroi Beogradin të mos e mbështeste më Marka Gjonin. Ahmet Zogu më pas u dërgua në rajonin e Mirditës me një kontingjent të trupave shqiptare dhe forcave të parregullta, që mundën lëvizjen separatiste e që më 20 nëntor 1921 ia dhanë fundin kësaj republike. Marka Gjoni iku në Jugosllavi. Me këtë rast u shfuqizuan marrëveshjet e mëparshme nga periudha osmane, që i dhanë Mirditës autonomi përmes sundimit indirekt.

Pullë postare e “Republikë së Mirditës”

Në vitin 1921 lindën: nobelisti japonez Yoichiro Nambu, aktorët Carol Channing, Dirk Bogart dhe Charles Bronson, filozofi gjerman Hans Albert, pulmologu i njohur nga Kosova, Ali Sokoli, regjisori Lec Shllaku, si dhe Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha. Më 1921 lindi edhe politikani i cokatun Jean-Bedel Bokassa, që shpall veten perandor të Republikës Qendrore Afrikane, si dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Andrei Sakharov. Çmimin Sakharov që e ndan Parlamenti Evropian e fituan edhe Adem Demaçi (më 1991) dhe Ibrahim Rugova (më 1998).

Më 1921 vdiqën dy mbretër antishqiptar – Nikolla I i Malit të Zi dhe Petri I i Serbisë. Vdiq edhe tenori i famshëm italian, Enrico Caruso.

Më 1921, fitues i Nobelit për Fizikë ishte Albert Einstein. Pas këtij çmimi, Einstein u shndërrua në sinonim të gjeniut.

Profesori i shpërqendruar, me flokë si shllunga e veshje të keqe (që harron shpesh të mbathë çorapet), u mitizua që në të gjallë të tij: Pamja ikonike që i jep këtij truri gjenial statusin e një pop-ikone.

VITI 1931: KOLONIZIMI QË NUK MUNDI TA ZHBËJË SHQIPTARIN NGA KOSOVA

Prizreni më 1931

Bota është në një paqe të brishtë, por gati për shpërthime tjera më të mëdha. Mao Zedong më 1931 shpall Republikën Sovjetike Kineze, që mbijeton deri në vitin 1937. Lufta Civile në Kinë nisi më 1927, për të marrë fund më 1947 kur Mao merr pushtetin dhe shpall Republikën Popullore të Kinës. Tre deri në pesë milionë njerëz janë vrarë në këtë luftë civile. Afro 50 milionë të tjerë gjatë sundimit të Maos – nga uria, vrasjet e përndjekjet.

Poster që tregon dëbimin me forcë të kulakut meqë, sipas komunistëve, ata ishin shfrytëzuesit më kafshërorë, më brutalë dhe më të egër, të cilët në historinë e vendeve të tjera kanë rikthyer herë pas here pushtetin e pronarëve, të carëve, të priftërinjve dhe të kapitalistëve.

Po më 1931, Josif Stalin nis luftën kundër feve, ndërsa mban fjalimin për industrializimin e shpejt të BRSS-së. Me këtë i jepet goditje “Politikës së Re Ekonomike” të vitit 1921 kur, për të shmangur urinë dhe krizën e thellë ekonomike si rezultat i dështimit të ekonomisë së planifikuar socialiste, Vladimir Iliq Lenini rikthehet në një masë tek kapitalizmi duke lejuar prodhimin e orientuar drejt fitimit, pronësinë private mbi prodhimin e mallrave të konsumit dhe grumbullimin e pasurisë. Komunistët atëherë i lejuan ndërmarrjet shtetërore që t’ua dorëzonin fabrikat e tyre individëve privatë dhe t’u besonin privatëve si financimin, ashtu edhe logjistikën e aktiviteteve të biznesit. Por, më 1926 Stalini thotë se “lejuam kapitalin privat dhe u tërhoqëm pjesërisht për të rigrupuar forcat tona, dhe më pas për t’u hedhur në sulm”. Pasojat e këtij “sulmi” janë zia bukës dhe terrori në atë që Stalini e quajti si “asgjësimi i kulakëve”. Kulakët ishin pronarët e tokave, të cilët do ta bartin barrën më të madhe të industrializimit të vendit. Nga viti 1932 e deri më 1940, afro 400 mijë kulakë vriten e 15 milionë të tjerë, bashkë me familje, deportohen deri më 1937 (shumë nga ta vdesin nga kushtet e këqija). Nën Stalinin vdesin mbi 20 milionë banorë të BRSS-së. Si për habi, kur më 1931 Stalini nis procesin e industrializimit, lindin edhe dy liderë që do t’ia japin goditjet e fundit BRSS-së: Mikhail Gorbachev, sekretari i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitet 1985-1991, dhe Boris Yeltsin – presidenti i parë i Rusisë pas shpërbërjes së BRSS-së më 1991.

Më 1931 nis punimet Parlamenti i Finlandës, Kemal Ataturku rizgjedhet president i Turqisë, kancelari gjerman Heinrich Bruning paralajmëron për kolapsin e sistemit bankar të Austrisë që po e mban të bllokuar edhe Gjermaninë, ndërsa gangsteri Al Capone dënohet me 11 vjet burg për shkak të evazionit të taksave.

Milan Sufflay

Më 1931 lindin aktorët Robert Duvall, James Earl Jones dhe James Dean, magnati i mediave Rupert Murdoch, poetja Alda Merini, poeti Dritëro Agolli dhe kompozitori Pjetër Gaci. Ky i fundit e ka kompozuar këngën “Ky marak”. Muza që ka inspiruar një prej këngëve më të bukura shqiptare të dashurisë, ishte një prej femrave më të bukura shkodrane, në vitet ’70 të shekullit XX. Por, kjo “dashuri” që ngjan me “Elegjinë e Marienbadit” të Gëtes – vlerë e lartë njerëzore dhe aspak të përlyer prej banaliteteve të përditshme – shpërfaq kulturën dhe humanizmin shqiptar që sot po tretet. Pjetër Gaci veç e ka parë muzën në rrugë (“Kur kalon rrugës me naze / si lule zambak / ndalu pak e hidhma synin / se kam zanë marak”), ndërsa nuk e ka publikuar këngën pa e marrë lejen e burrit të saj (me të cilin po ashtu nuk ka ndenjur kurrë). Për ta kuptuar këtë ndjesi dhe historinë prapa këngës, lexojeni një pjesë të rrëfimit të Stefan Çapalikut, nga vepra “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”!

“Nuk e nxirrte që nuk e nxirrte zotni Pjetri këngën në publik, pa ia treguar më së pari të shoqit të asaj zonje e pa marrë leje prej tij, edhe pse askund në këngë nuk permendej emri i saj.

– Unë jam Pjetër Gaci, – i doli përpara një mëngjes të shoqit të muzës së vet, – dhe unë e di se kush jeni.

– Unë, e di se kush jeni ju, – iu përgjigj zotëria.

Atëherë Pjetri i kërkoi vetëm pesë minuta për të kthyer së bashku te shtëpia e vet. U ul në piano dhe ia këndoi këngën.

– Ja, këtë desha me ta tregue, – i tha, – dhe ti je i pari që e dëgjon. Këtë kangë e kam shkrue për gruen tande e në qoftë se ti thue mos me e nxjerrë, unë tash e fshij e të kërkoj të falun për guximin.

Duhet të ketë ndejë me kryet ulë ai farë burri. Ndoshta edhe ai tjetri. Por jo. Pauza nuk kish zgjatë shumë.

– Unë po ndjehem i nderuem, mor zotni Pjetër, për këto fjalë e këtë muzikë të bukur që ia paske kushtue sime shoqe. Të falemnderës, – i ka zgjatë dorën dhe ka dalë”!

Më 1931 vdes shkencëtari i madh Thomas Edison, që kishte hiç më pak se 1 093 patente. Ndërsa, nga agjentët serbë vritet historiani Milan Sufflay që po ndriçonte të kaluarën shqiptare. Serbët ia thyen kokën, bastisën apartamentin e tij dhe vodhën dorëshkrimin “Kodeksi Albanikus”, vëllimi i tretë, një vepër madhore për historinë dhe kulturën shqiptare që nuk është gjetur më. Për vrasjen e tij ka reaguar edhe Albert Einstein dhe Heinrich Mann (shkrimtar dhe vëllai i të famshmit Thomas Mann), të cilët dënuan publikisht Beogradin për këtë krim. Letra e tyre u botua në faqen e parë të gazetës së njohur “The New York Times”.

Tirana më 1931

Ndërkohë, më 1931 kryhet një atentat i pasuksesshëm në Vjenë, kundër Ahmet Zogut që kishte shpallë veten për mbret të shqiptarëve. Historiani Bernd Fischer, në studimet e tij numëron plot 600 hasmëri të Ahmet Zogut. Por, vetëm katër herë u tentua direkt për t’ia marrë jetën atij, pa sukses. Po të njëjtin vit, më 1931, Zogu nis planet për krijimin një flote detare shqiptare, duke blerë … një kryqëzor!

Ndërkohë, në Kosovë punët janë keq. Regjistrimi i popullatës nga Serbia tregon se po dështon kolonizimi serb, meqë prapë shqiptarët ishin shumicë (62 për qind sipas serbëve). Meqë kolonizimi nuk po tregonte rezultate, atëherë shtohen përpjekjet për deportime në Turqi, si dhe për vendosjen e çetnikëve në Kosovë. Jeta në Kosovë ishte e frikshme, si dy filmat horror premiera e të cilave jepet më 1931 : “Dracula” dhe “Frankenstein”.

Gjakova më 1931

VITI 1941: SHQIPËRIA I SHPALL LUFTË BRSS-SË, FILLON PERIUDHA E NJOHUR SI “TRI DITË SHIPNI”

Rrnoftë!

Bota është në luftë. Gjermania dominon, por këtë vit e bën gabimin më të madh: invadimin në Bashkimin Sovjetik, që më vonë do ta ndërrojë rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore duke e çuar botën nga një luftë në një tjetër të egër – Luftën e Ftohtë. Më 28 qershor 1941, edhe Shqipëria i shpall luftë Bashkimit Sovjetit.

Fritz Klingenberg

Më 1941 kapitullon Greqia dhe Jugosllavia. Rënia e kryeqytetit serb është aq e turpshme sa që oficeri gjerman që e merr në kontroll, përmendet në pothuaj çdo libër të strategjisë ushtarake. Në fillim të prillit 1941, aviacioni gjerman bombardon kryeqytetin serb. Qëllimi gjerman ishte që shpejtë të kapitullojë Jugosllavia, për t’u pushtuar Greqia që i rezistonte ushtrisë italiane. Por, Beogradi duhej pushtuar përmes toke, e serbët i kishin shkatërruar urat. Pa i pritur përforcimet, kapiteni Fritz Klingenberg, me gjashtë ushtarë, me një varkë e në mot të keq e kalon Danubin. Rrugës arreston shumë ushtarë jugosllavë (flitet deri më 1 300), ua merr armët dhe makineritë ushtarake. Me ta marshon nëpër bulevardin “Mreti Aleksandër” dhe i drejtohet Ambasadës gjermane. Aty shkon kryetari i Beogradit për të nënshkruar dorëzimin e qytetit, më 12 prill 1941. Meqë kishte vepruar krye në vete, Klingenbergun për pak sa nuk e çojnë në gjyq ushtarak. Arsyetimi i tij ishte: “Çka me ba, donin të dorëzoheshin. A me ua kthye unë qytetin, a”? Jugosllavia kapitullon më 18 prill, ndërsa Greqia tri ditë më vonë, më 21 prill.

Përballë hotel “Skanderbeg” në Prishtinë, prefekti i Prishtinës, Hysen Prishtina, veshur me kostim të zi dhe borsalinë të zezë në dorë, para fillimit të manifestimit për shënimin e Ditës së Flamurit më 28 nëntor 1941

Me kapitullimin e Jugosllavisë dhe Greqisë, nis epoka që në Kosovë do të njihet si Tri ditë Shipni. Kosova me shumë vise tjera shqiptare, përfshirë Çamërinë, iu bashkëngjitën Shqipërisë. Në Kosovë gjermanët dhe italianët u pritën si çlirimtarë, sepse shqiptari këtu kishte problem mbijetesën e jo raportin e forcave mes Boshtit dhe Aleancës. Kosova veç ishte tokë e pushtuar, e shkelur dhe e nëpërkëmbur. Kështu, largimi i keqbërësve (pushtetit serb), që ndërpret edhe programet e dëbimit dhe kolonizimit, thjeshtë e nënkuptonte lirinë. E, kjo liri solli shumë të mira, ndër të tjera hapjen e shkollave laike, administratën e re dhe xhandarmërinë shqiptare. Prandaj, me vite të tëra Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët këndej thoshin: “Pasha ato tri ditë të Shipnisë”!

Mustafa Kruja në Kosovë

Kryeministër i Shqipërisë deri më 4 dhjetor ishte Shefqet Vërlaci, e pastaj Mustafa Kruja (nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë). Ky i fundit, në fjalimin e mbajtur në Pejë, më 29 qershor 1942, ka thënë:

“Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj. Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë … E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem”.

Shefqet Verlaci

Ndërkaq, Shefqet Vërlaci, në nëntor 1941 i drejtohet ministrit të Punëve Botore, prishtinasit Iljaz Agushi, duke i kërkuar që ai dhe komisioni i ngarkuar nën drejtimin e të tij të mblidhnin dokumentacione dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të vërtetuar shqiptarizmin e gjithë zonave të Kosovës, të cilat i ishin bashkangjitur territorit shqiptar në verën e 1941, duke u vënë nën administrimin e qeverisë së Tiranës:

“Kthimi i Kosovës në gjinin e Nanës Shqipni ka paraqit nevojën me i tregue botës mbarë se si këto toka, të lirueme mbas gadi 30 vjetësh robnije sllave, janë krejt shqiptare si nga pikpamja historike ashtu edhe etnike. Për me ia mbërrijt këtij qëllimi kemi formue nji Komisjon nën kryesinë e Shkëlqesës s’Uej, simbas dekretit të bashkangjitun, i cili Komisjon do të merret me mbledhjen e të gjitha dokumentave q’i përkasin Kosovës, si edhe të çdo elementi tjetër qi mund të sherbejë për të vërtetuar shqiptarizmin e krahinës në fjalë. Nji punë e tillë besojmë do të shërbente edhe me përforcue ma tepër ato ndjeje lidhjeje e dashunije qi çdo shqiptar duhet të ndijë për Kosovën”.

Nxënës të Shkolla Fillore “Skenderbej” në Tetovë, e hapur më 1 shtator 1941

Emisar special për çlirimin e territorit shqiptar të Kosovës, më 1941, ishte Qazim Mulleti. Administrator i Kosovës ishte Koço Tasi. Ai ka administruar me ndershmëri taksat dhe ka emëruar edhe kryetarët e bashkive në Kosovë dhe në tokat tjera të çliruara, sipas standardeve më të mira, duke vënë në poste njerëz të aftë e të ndershëm, assesi jo injorantët e matrapazët! Ministër i Arsimit në Shqipëri ishte Ernest Koliqi. Koliqi e Tasi në Kosovë sjellin 350 mësues për të hapur shkolla e përhapur dije. Në Pejë më 21 nëntor 1941 u hap gjimnazi dhe Shkolla Femërore e Punës, në Prishtinë u ngrit Shkolla Normale “Sami Frashëri” dhe nisën punën shkollat e Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës etj. Në vitin 1942 u hap i pari kurs pedagogjik në Prishtinë. Fal tri ditëve Shipni, mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Kosovën me 278 shkolla fillore dhe 11 shkolla të mesme.

Foto e 20 tetorit 1941, e bërë në Podujevë, ku shihet një oficer gjerman me Kosta Peçancin dhe Xhafer Devën (tre të parët, nga e majta)

Gjatë kësaj kohe, megjithatë, disa pjesë të zonës kufitare në veri të Kosovës, përfshirë Sanxhakun, si dhe disa pjesë kufitare me Malin e Zi, bien nën juridiksionin gjerman, pra nuk ishin pjesë e Shqipërisë. Në Serbi vepronin forcat çetnike të Drazha Mihaloviqit, që zyrtarisht nuk e pranonte pushtimin gjerman, ama që ashiqare bashkëpunonte me ta. Këto forca vazhdimisht sulmonin vendbanimet shqiptare. Luftimet kundër forcave çetnike në Shalë e në Bajgorë ishin udhëhequr nga Ahmet Selaci e Mehmet Gradica. Luftimet e tilla të shumtën e herëve nuk i shqetësonin forcat gjermane, pos kur prekeshin interesat e tyre. Ndaj, më 20 tetor 1941 organizohet një takim mes sipërmarrësit, patriotit dhe intelektualit – ndër të tjera të shkolluar edhe në Vjenë – Xhafer Deva, e çetnikut Kosta Peçanci. Ky i fundit, bazuar në përvojat e para të tij me shqiptarë e duke mos e njohur Devën, mendon se me lojë fjalësh mund ta bindte t’i nënshtrohet kërkesave të tij. Por, reagimi i Devës e tmerroi. Përkthimi i fjalëve të Peçancit për atë takim (marrë nga një letër dërguar çetnikëve), është kështu:

“Me çetnikët e mi isha në shtab, në Kurshumli, kur më thirrën nga Nishi që me arnautët të flas për kufirin. Shkuam dhe aty e takuam. I fola arnautqe, gjuhën që e njihja mirë, me shpresën se me shumë lëvdata edhe atë do ta përvetësojmë, siç kemi mundur t’i përfitojmë të gjithë udhëheqësit arnautë. ‘Me Azem (Bejtën) e kam parë dhe takuar në Mitrovicë babanë tënd urtak, i cili si arnaut besnik që ishte e respektonte ushtrinë tonë, por edhe pushtetin serb. Ndaj, të lus si Zotin (përdor fjalën ‘Kumim te Bogom’, sepse kumbara te serbët cilësohet si diçka e shenjt, ndërmjetës mes familjes dhe të parëve; është shprehje që përdoret kur kërkon nga dikush të bëhet mik e mbrojtës, i nderuar gati sa Perëndia për kërkuesin, gjë që nuk do të duhej të refuzohej, sidomos nga shqiptarët e besës – v.j.), se nëse veç pak i ngjan atij, shmangu nga Borçani dhe Bajgora që me shekuj janë tonat’. Me një buzëqeshje poshtë syzeve të tij, të cilën unë e vëreja, qetë m’u përgjigj: ‘Për trimërinë tuaj kam dëgjuar shumë nga babai im. Mos u shqetësoni, se nesër ua dërgoj në Borqan dy njerëz të mi të qetë e të kuptueshëm, me të cilët mund të flasësh – Ahmetin (Selacin) dhe Mehmetin (Gradicën)’. Pas disa ditësh e kuptova se ky arnaut i vogël në të ardhmen ka me q… gjithçka serbe deri në Nish – nga ku vijnë të parët e tij”.

Deva ishte muhaxher nga Nishi, një intelektual i rrallë. Mënyra e tij e qetë e komunikimit, me kulturë dhe diplomaci, dhe përgjigja që jep për njerëzit me të cilët “lehtë merret vesh” – gjë të cilën e kërkonte Peçanci, por që në fakt ishin emrat e trimave që bënin me dije për luftën pa asnjë kompromis të shqiptarëve për tokat e tyre – paraqiste momentin më zhgënjyes të njeriut që më parë mund bënte çka të donte me shqiptarët. Sepse, kohët po ndryshonin, jo më veç në të mirë të Serbisë.

Peja më 1941

Por, shqiptarët prapë lehtë manipuloheshin. Kështu, më 1941 ka ndodhur një nga ngjarjet më tragjikomike të historisë sonë, për të cilën nuk është folur kurrë (së paku jo e vërteta). Në fshatin Tullarë në kufi të Kosovës, inskenohet një plan dashakeq. Përmes serbit Radovan Shakiq u thuhet trupave të pozicionuara gjermane se në fshatin Prapashticë (të premten, në xhami) do të mblidhen shqiptarët dhe komunistët për të bërë plane për një sulm kundër tyre. Në ndërkohë, shqiptarëve të Prapashticës u dërgohet mesazhi se serbët (errfija) do të shkojnë për t’i sulmuar. Gjermanët nisen e shqiptarët bëhen gati në kodrën Lisicë. Krisin luftimet nga të cilat vriten afro 20 ushtarë gjermanë, përfshirë një oficer me gradë majori. Shqiptarët e shkretë që nuk i njihnin uniformat ushtarake gjermane, mendonin se i shpëtuan banorët, derisa njëri nuk thotë: “Kuku, mos janë more këto (e)poletat e Hetës (Hitlerit)”? Pastaj ndodhi një hakmarrje e ashpër gjermane, me likuidime të shumta në Prapashticë e në Keqekollë. Shumë banorë nga Nisheci e Braina u zunë robër lufte e u dërguan në Gjermani. Këtë histori, si nxënës, e kishte hulumtuar gazetari i shquar i ditores “Rilindja”, Tahir Neziri. Ai madje donte që këtë hulumtim ta bënte temë diplome të shkollës së mesme. Por, edhe pse i ri, hoqi dorë meqë në atë histori nuk kishte asgjë me çka do të mburrej shqiptari. Më vonë, nga të dhënat e tij frymëzohet një historian i joni (kontrovers), për ta plasuar si “zbulim” që thotë se pushka e parë komuniste antifashiste në ish-Jugosllavi krisi në Prapashticë të Kosovës, e jo nga Zhikica Jovanoviq Shpanaci në Bella Cërkvë të Serbisë (më 7 korrik 1941). Mirëpo, pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, as ky libër nuk u botua.

Pamje nga betimi i presidentit Franklin D. Roosevelt

Më 1941 vdesin tre emra të mëdhenj të letërsisë botërore: James Joyce, Virginia Woolf dhe Rabindranath Tagore. Këtë viti lindin ikonat e muzikës rok, Joan Baez, Neil Diamond, Bob Dylan, Otis Redding, Paul Simon, Art Garfunkel; aktorët Faye Dunaway, Nick Nolte, Ann-Margret, Ryan O’Neal, Beau Bridges; tenori Placido Domingo; nënpresidenti amerikan Dick Cheney (në kohën e administratës së George W. Bushit); regjisori Bernardo Bertolucci; balerini Abdurrahman Nokshiqi, veprimtari Enver Hadri (që vritet më 1990, në Bruksel, nga qarqet serbe), botuesi dhe shkrimtari Nazmi Rrahmani, si dhe kompozitori Ferdinant Deda. Më 1941 lindi edhe Kasapi i Ballkanit, shkaktari i luftërave të përgjakshme të viteve 1990 në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje dhe Hercegovinë e në Kosovë, Sllobodan Millosheviq.

Më 13 janar 1941 jepet premiera e filmit “Citizen Kane” (Qytetari Kejn), që konsiderohet si më i miri në historinë e kinematografisë botërore. Më 20 janar 1941, Franklin D. Roosevelt jep betimin si president i ShBA-ve. Ky ishte mandati i tretë i tij. Në nëntor 1941, me ndihmën e jugosllavëve, formohet Partia Komuniste e Shqipërisë.

Pamje nga filmi “Qytetari Kejn”

VITI 1951: TURQIZIMI I SHQIPTARËVE NË KOSOVË DHE VRASJET E INTELEKTUALËVE NË SHQIPËRI

Shqipëria komuniste – shteti i 23 burgjeve e 48 kampeve

Vazhdon Lufta e Koresë, luftë kjo e cila deri në përfundim, më 1957, merr jetët e 2-3 milionë civilëve. Më 1951, nga një palestinez vritet mbreti Abdullah I i Jordanisë, gjatë lutjeve të xhumasë. Të njëjtin vit vritet edhe kryeministri i Pakistanit, Liaquat Ali Khan of Pakistan.

Ushtarët britanik të zënë robër nga kinezët, gjatë Betejës së Tretë për Seulin

Greqia e Turqia bëhen anëtare të NATO-s, ndërsa Libia e fiton pavarësinë nga Italia. Pak para ditëlindjes së 77-të, Winston Churchill rizgjidhet kryeministër i Britanisë së Madhe. Ndërkaq, Faruku i Egjiptit e shpall – krye në vete – veten për mbret të Sudanit. Një vit më vonë përmbyset pushteti i tij, duke i dhënë fund dinastisë – gati 150 vjeçare të sundimtarëve me origjinë shqiptare në Egjipt – që nisi me Mehmet Ali Pashën.

Më 1951 lindin rokerët Phil Collins, Chris Rea, Sting dhe Bob Geldof; aktorët Chris Cooper, Robin Williams dhe Michael Keaton; legjenda e bas kitarës, Jaco Pastorius. Lindin edhe shkrimtarët Ylljet Aliçka e Dashnor Kokonozi; sipërmarrësi që merret edhe me politikë, Behghet Pacolli, e analisti Fatos Lubonja. Më 1951 lindi edhe gjermani Joachim Rucker që ishte kryeadministrator i Kosovës – PSSP (Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara) – në vitin 2006. Ai ishte i pari kryeadministrator që guxoi me përmend pavarësinë e Kosovës.

Më 1951 vdiq heroi francez i Luftës së Parë Botërore – tradhtari i Luftës së Dytë Botërore, Philippe Petain. Vdiq edhe Ali Sami Frashëri – i njohur si Ali Sami Jen – i biri i rilindësit shqiptar Sami Frashëri, që njihet si themeluesi i Klubit Sportiv turk, “Galatasaray”. Vdiq fituesi i Nobelit për Letërsi, Andre Paul Guillaume Gide, si dhe filozofi Ludwig Josef Johann Wittgenstein, të cilit më shumë vepra i botohen pas vdekjes.

Ali Sami Frashëri

Kur është fjala te Shqipëria, një raport i CIA-s që daton më 8 prill 1951, vë në pah planin e Greqisë për ndarjen e Shqipërisë me Jugosllavinë e Titos. Ky plan raportohet nga ambasadori i ShBA-së në Beograd, sipas të cilit një anëtar i Byrosë Politike jugosllave i kishte thënë se ky propozim grek i ishte bërë Jugosllavisë në “nivelin më të lartë”. Sipas planit, pjesa jugore do t’i kalonte Greqisë, ndërsa ajo veriore, Jugosllavisë. Po më 1951, nga CIA Shqipëria cilësohet si problem në Mesdheun Lindor, për shkak të vendndodhjes strategjike në Adriatik. “Forcat detare me bazë në ishullin e Sazanit dhe në pjesën e Vlorës mund të kontrollojnë lehtësisht Adriatikun. Për Bashkimin Sovjetik, Shqipëria përfaqëson një bazë të avancuar që me zhvillimet përkatëse mund të përdoret nga forcat detare dhe ajrore sovjetike në Mesdhe”, thuhet në raport. CIA raporton se një total prej 10 grupe agjentësh, me 39 njerëz, është dërguar në Shqipëri në periudhën nëntor 1950-tetor 1951, prej të cilëve 13 janë rikthyer në Greqi, gjashtë janë strehuar në Jugosllavi, katër janë kapur dhe dënuar si spiunë nga autoritetet shqiptare, nëntë janë vrarë në aksion dhe shtatë besohet se janë ende operativë edhe se kontakte, më 1951, kishin me katër prej tyre. CIA raporton edhe për “atentatin ndaj ambasadorit sovjetik”, e po ashtu se agjentët shqiptarë po dërgojnë raporte false.

Mbledhje solemne me rastin e 72-vjetorit të lindjes së Josif Stalinit (Tiranë, 18 dhjetor 1951)

Kur është fjala te “atentati ndaj ambasadorit sovjetik”, duhet të theksohet se më 1951 vritet intelektualja e madhe shqiptare, Sabiha Kasimati. Vrasja e saj tregon tmerrin nëpër të cilin kalonin intelektualët e Shqipërisë, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ajo vritet me 21 të tjerë, kinse të përfshirë në rastin që njihet si Bomba në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Viktimat e pafajshme u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik, dhe në fshehtësi u hodhën në një gropë të përbashkët, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Në mesnatë, fshatarët dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh; kanë dëgjuar edhe britmat e Kasimatit, derisa dha shpirt. Në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. Një fshatar nga Mëniku ka rrëfyer: “Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte atje, i ra të fiktë tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish”. Ishte trupi i Sabiha Kasimatit – shkencëtares së parë shqiptare, bija e mjekut Abdurrahman Kasimati, e cila në moshën 29 vjeçare e merr titullin e doktorit të shkencave në fushën e iktiologjisë. Në Universitetin e Torinos në Itali iu ofrua vendi i asistentes në Iktiologjinë Fluviale, por nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Namik Kasimati, nipi i saj, ka thënë: “Në vitin 1948 punoi një studim shkencor mbi peshqit në ujërat shqiptare. E entuziazmuar shkoi në Durrës dhe i tha shoqes së saj, Durie Hulusi: ‘Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjerë që janë në kufi me Shqipërinë’”. Sabiha Kasimati e njihte Enver Hoxhën që nga Liceu i Korçës. Flitet se Hoxha i vardisej Sabihasë së bukur dhe se refuzimit të saj ai iu hakmor më vonë. Por, ajo ishte edhe guximshme e kjo dëshmohet me fjalët që ia tha Enver Hoxhës në një takim: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët”? Ndërsa Hoxha ia kthen: “Të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin”.

Sabiha Kasimati

Ndërkohë, në Kosovë, në natën e 10 e 11 tetorit të vitit 1951, në pritë të UDB-së vriten ata që cilësohen si anëtarët e fundit të NDSh-së në Kosovë (Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare): Hasan Remniku, Mustafë Koka me bashkëshorten e tij Rabijen (e cila ishte shtatzënë), si dhe Agush Mehmeti me bashkëshorten, Qibrie Misin Alidema. Trupat e tyre të vdekur i kishin ekspozuar në Gjilan, “te Lama e Miellit”, ku i mbajtën disa ditë, me qëllim që të frikësoheshin qytetarët dhe ata të cilët eventualisht do të guxonin të përsëritnin veprimet e këtij grupi.

Në Kosovë vazhdonte dhuna kundër shqiptarëve. Nga dhuna ata detyroheshin të shpërnguleshin. Shumë e mohuan përkatësinë kombëtare: u shkruan si turq, për të shmangur përndjekjet. Ndaj kësaj dukurie të fundit ka reaguar, më 1951, intelektuali Fehmi Agani. Ndërsa, poeti Esad Mekuli më 1954 shkruan poezinë “Turk Elhamdulilah”, ku ndër të tjera janë këto vargje:

“ … Je turk, je Turk! – kanë shti
Shqiptarin me shekuj, pa da,
e nji ditë ndër ne u ndi:
– Jam turk, elhamdulila!

Po, s’jemi turq, nuk jemi!
Jo kurr’! Ta dinë të tanë:
Shqiptarë dhe t’parët i kemi.
Feja prej kombit s’na ndanë … !”

Më 1951 vihen themelet e Bashkimit Evropian, pas formimit të Komunitetit Evropian të Karbonit dhe Çelikut.

Malësorët e Kosovës (1951)

VITI 1961: MURI I BERLINIT, GARA HAPËSINORE DHE BRSS-JA E TURPËRUAR NGA SHQIPËRIA

Enver Hoxha e Mao Ce Duni, janë si buka e një brumi (poster i vitit 1969 me këtë përmbajtje: Rroftë miqësia e partive komuniste të Kinës dhe Shqipërisë)

Lufta e Ftohtë i tregon dhëmbët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i acarojnë raportet me Kubën. Amerikanët ndërmarrin edhe invadimin e dështuar në Gjirin e Derrave. Një vit më vonë, Kuba do të shkaktojë një nga krizat më të mëdha të shekullit XX, që njihet shkurtimisht si Kriza e Kubës, pasi Bashkimi Sovjetik tentoi të dërgojë raketat nukleare në Kubë. Bota kurrë më afër luftës nukleare nuk ka qenë.

Aeroplani amerikan fluturon mbi anijen sovjetike “të mallrave”, gjatë Krizës së Kubës

Lufta e Ftohtë vazhdon edhe me garën me teknologji. Sovjetët më parë lansuan satelitin e parë në orbitë. Më 1961 fluturakja Venera-1 kalon te planeti Afërditë. Ndërsa, Yuri Gagarin bëhet njeriu i parë në hapësirë.

Po më 1961, John F. Kennedy jep betimin si presidenti i 35-të amerikan. Kennedy lanson Programin Apollo. Qëllimi i tij ishte që deri në fund të dekadës, njeriu amerikan të shkel në Hënë. Dhe, ia dalin. Kjo ishte pika kthesë kur amerikanë e marrin primatin në garën hapësinore.

Yuri Gagarin

Më 1961, nis angazhimi i parë amerikan në Luftën e Vietnamit (të cilën vietnamezët e quajnë Lufta e Amerikës), duke dërguar helikopterët në Saigon me 400 trupa. Nga Vietnami amerikanët tërhiqen më 1975. Kjo luftë amerikanëve u kushtoi me afro 60 mijë viktima. Vietnami edhe sot është shtet komunist, një nga pesë të vetmit në botë (krahas Kinës, Koresë së Veriut, Kubës dhe Laosit)

Bota pra ishte në një konflikt të ngrirë, mes Perëndimit demokrat dhe Lindjes komuniste diktatoriale. Kjo ndarje shprehet më së miri me Murin e Berlinit që nisi të ndërtohet më 13 gusht 1961, menjëherë pasi liderët komunistë të Bllokut lindor, gjatë një takimi në Moskë, u pajtuan për mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Ky mur ishte barriera më famëkeqe e Luftës së Ftohtë. Ishte i gjatë 155 kilometra. Propaganda komuniste thoshte se muri u ndërtua për “mbrojtjen nga sulmet e Perëndimit”, por, në fakt, qëllimi ishte për ta ndaluar ikjen e gjermanëve fatkeq që vuanin nga pushteti komunist në të ashtuquajturën Gjermania Demokratike (lindore). Nga ky mur sot kanë mbetur pak gjurmë, që pas rënies së tij më 1989. Deri më 1989, 136 gjermanë u vranë në tentimin për ta kapërcyer.

Pamje nga ndërtimi i Murit të Berlinit

Më 1961 ndodhë një masakër në Paris, ndaj protestuesve algjerianë pro-pavarësisë së Algjerisë. 40-200 vetë vriten dhe 11 mijë të tjerë arrestohen më 17 tetor, pak muaj para se Algjeria ta fitonte pavarësinë (më 1962). Në qershor 1961 përfundon protektorati britanik në Kuvajt. Kuvajti shpallet emirat. Ndërsa, më 1961 në Jerusalem nis dhe përfundon gjykimi, me dënimin me vdekje, kundër nazistit Adolf Eichmann. Në mbrojtje ai thotë se ka bërë atë që i kanë thënë. Kjo deklaratë e ka shtyrë psikologun amerikan Stanley Milgram, t’i hulumtojë dëmet që i shkakton bindja ndaj autoriteteve.

Grafit i vitit 1961: “Këtu u fundosën algjerianët” (shumë trupa më vonë u larguan nga lumi i Senës)

Ndërkohë në Shqipëri, në janar, Enver Hoxha e akuzon rëndë Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë në Kongresin e IV-të të Partisë së Punës. Lideri sovjetik, Nikita Khrushchevi, në Kongresin e XXII-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të mbajtur në tetor 1961, e cilëson Hoxhën majtist devijant nacionalist, i cili duhet të përmbyset. “Jemi të bindur se do të vijë koha kur komunistët shqiptarë dhe populli shqiptar do ta shprehin zërin e tyre dhe atëherë liderët shqiptarë do të përgjigjen për dëmet që ia kanë bërë shtetit, njerëzve dhe kauzës së ndërtimit socialist në Shqipëri”, ka thënë Khruschev. Ai po ashtu ka thënë se imperialistët janë të gatshëm t’i paguajnë 30 monedha argjendi (shuma me të cilën Juda e tradhtoi Krishtin), për ata që i ndajnë komunistët. Hoxha ia kthen kështu liderit sovjetik, në nëntor: “Populli shqiptar dhe Partia e Punës do të jetojnë me bar nëse është e nevojshme, por nuk do ta shesin veten për 30 monedha argjendi”. Ndërsa, në dhjetor, te “Zëri i Popullit” Hoxha shkruan se arsyeja e prishjes së marrëdhënieve me sovjetikët ishte politika revizioniste e Khrushchevit dhe përpjekjet e tij antimarksiste për ta imponuar veten te partitë tjera … “për ta heshtur partinë tonë”. “Në këtë rrugë, marshojmë krah për krah me partitë simotra marksiste-leniniste dhe me popujt vëllazërorë të vendeve socialiste, si dhe me të gjitha forcat revolucionare të botës. Partia dhe populli ynë do të shënojnë fitore të plotë mbi armiqtë imperialistë dhe revizionistë … Marksizëm-Leninizmi nuk mund të mposhtet! Socializmi dhe komunizmi do të triumfojnë”, ka thënë Hoxha.

Nëndetëse në Pasha Liman

BRSS i ndalon ndihmat dhe armatimet për Shqipërinë. 40 projekte të planit pesëvjeçar mbeten pa u përfunduar në Shqipëri. Ndalohet edhe shkollimi i ushtarakëve, për çka forcat ushtarake shqiptare nuk përditësohen as me mjete as me strategji.

Kulmi i konfliktit shqiptaro-sovjetik ishte Pasha Limani, një nga bazat më të madhe detare në Evropë. Në mbledhjen e vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, në mars të vitit 1961 – ku nuk ftohet Shqipëria – kërkohet që baza e Vlorës të kalonte në mënyrë të padiskutueshme nën komandën e forcave të Traktatit të Varshavës. Por, shqiptarët e hodhën poshtë këtë plan. Shqipëria e vogël ia doli t’i largojë nga territori ushtarët sovjetikë dhe të mbajë katër nga gjithsej 12 nëndetëset sa ishin aty.

Protestë në Elbasan më 1961: “Paqja nuk lypet, por fitohet” (foto: Harry Hamm, 1961)

Në dhjetor prishen përfundimisht marrëdhëniet diplomatike BRSS-Shqipëri. Kjo bënë që shtetet tjera komuniste të reduktojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Ky ishte një vit goxha kritik, meqë BRSS bënte plane për pushtimin e Vlorës, nga deti dhe toka. Por, acarimi i marrëdhënieve sovjeto-amerikane për shkak të Kubës nuk e lejoi realizimin e planit në afatet e parashikuara. Shqipëria nga ky vit i drejtohet për ndihmë Kinës.

Në kohën e këtyre zhvillimeve, më 23 qershor 1961, revista “Time” publikon artikullin “Shqipëria: Delja e zezë”, ku ndër të tjera mund të lexohet: “Çfarëdo që të jetë Bosi i Kuq i Shqipërisë, Enver Hoxha ka demonstruar se është një burrë trim. Kush tjetër do të guxonte të ecte në takim të madh ndërkombëtar komunist në Moskë, nëntorin e kaluar (1960), dhe ta quante Nikita Khrushchovin ‘revizionist’, përpara fytyrës së tij”?

Gazetari i ditoreve “Die Welt” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Harry Hamm, e dokumentoi jetën në Shqipërinë komuniste të vitit 1961, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, kur Shqipëria bëhet aleati i vetëm i Maos në Evropë. Ai i kapi këto momente të “turistëve” kinezë në plazhin e Durrësit.

Më 1961 lindin aktorët Eddie Murphy, George Clooney, Tim Roth, Michael J. Fox, Forest Whitaker, Woody Harrelson, Meg Ryan dhe një prej aktorëve të preferuar të regjisorit të madh polak Krzysztof Kieslowski, Zbigniew Zamachowski. Më 1961 lindi edhe Princesa e Uellsit, Diana, që është nëna e trashëgimtarit të fronit mbretëror të Britanisë së Madhe. Më 1961 lindi edhe presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i pari në historinë amerikane që ka gjak afrikan. Obama ishte një nga presidentët më të dashur amerikanë, por që bëri pak në politikën e jashtme amerikane. Jo edhe aq në aspektin e brendshëm. Më 1961 lindi edhe Halil Matoshi, gazetari, shkrimtari dhe publicist i mirënjohur nga Kosova, i cili me kolegët në javoren “Zëri i Rinisë”, kontribuon në thyerjen e censurës në Kosovë në fillim të viteve 1990.

Akile Tasi

Më 1961 vdesë aktori i njohur Gary Cooper, psikanalisti dhe themeluesi i psikologjisë analitike, Carl Jung, fituesi i Nobelit për Letërsi, Ernest Hemingway, dhe Ahmet Zogu. Po më 1961, në Burg të Burrelit vdes edhe ish-ministri i Kulturës i Shqipëristë, intelektuali e patrioti Akile Tasi – vëllai i Koço Tasit. Akile gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë atyre tri vjetëve Shipni, e udhëhiqte, bashkë me Gjergj Bubanin, gazetën “Bashkimi i kombit” ku botohet “Poemi kosovar” i Mitrush Kutelit.

Në shkurt të vitit 1961, The Beatles interpreton në Londër. Legjenda … lindi!

Më 1961 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, që u mbështet financiarisht nga “Trepça”. Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë u themelua me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës nr. 2671 me datë 10 maj 1961, gazeta zyrtare e Kosovës nr. 25/61. Në vitin e parë u regjistruan 42 studentë të rregullt dhe 32 me korrespodencë. Studentët e parë (inxhinierë reparti) të diplomuar, dolën në qershor të vitit 1963. Në këtë shkollë, lëndën e kimisë e ka ligjëruar edhe babai i autorit të këtij shkrimi, veteran i arsimit në Kosovë, Sokol Shala.

The Beatles më 1961 (George Harrison, Pete Best, John Lennon dhe Paul McCartney)

VITI 1971: THYERJA E TABUVE NË KOSOVË

Gjakova më 1971

Në këtë vit kemi pasë pak më shumë arsye të jemi të lumtur. Gjërat në Kosovë, ndoshta për herë të parë gjatë ish-Jugosllavisë, kishin filluar të normalizohen. Shkollat dhe fakultetet punonin, e në to shpeshherë ligjëronin edhe pedagogët nga Shqipëria. Por, edhe intelektualët kosovarë shkonin në Shqipëri. Po, po … Madje, kur ktheheshin, përjetimet e tyre i ndanin me lexuesit. Kosovarët i lexonin ato me vëmendje dhe kënaqeshin. Shqipëria ishte vendi më ideal në botë, më i zhvilluari ekonomikisht dhe ushtarakisht. Kush nuk mendonte kështu, ishte “dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete jugosllave”.

Atëbotë, në kinematë e Kosovës, e madje edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë, emitoheshin filma artistikë nga Shqipëria, si: “Komisari i dritës”, “Njësiti gueril”, “I teti në bronz”, “Ngadhënjimi mbi vdekjen”, “Plagët e vjetra”, “Debatik”…

“Do të bashkohemi së shpejti”, mendonim atëherë.

Pink Floyd në Pompei

Ngjarjet kryesore të vitit 1971, në botë, janë: legalizimi i flokëve të gjata në BRSS; ShBA ndalon reklamat e cigareve në radio dhe në televizione; Charles Manson shpallet fajtor për rastin që njihej si “Vrasjet Tejt” (sipas aktores Sharon Tate, që ishte gruaja regjisorit të njohur polak, Roman Polanski, e që vritet në shtëpi me katër mysafirë tjerë); Gjenerali Idi Amin merr pushtetin në Ugandë; bankroton Rolls Roys … Ndërsa, poeti dhe shkrimtari i njohur japonez, Yukio Mishima, dhunshëm hip në ballkonin e një kazerme ushtarake ku kërkon bindje nga ushtarët e mbledhur poshtë tij. E sulmon shtetin dhe rendin kushtetues të mbështetur nga ShBA-ja, i shan ushtarët për nënshtrimin e tyre dhe i sfidon ata që ta kthenin perandorin në pozicionin e tij të para luftës – si zot të gjallë dhe si udhëheqës kombëtar. Mishima bëri një hap prapa dhe tha: “Nuk mendoj se më dëgjuan.” Pastaj u gjunjëzua dhe … bëri harakiri!

Më 1971, pavarësinë e Shpallin Bahrejni, Katari, Omani dhe Bangladeshi (Pakistani Lindor). Ndaj pavarësisë së Bangladeshit reagon Ushtria pakistaneze duke shkaktuar atë që njihet si Gjenocidi i Bangladeshit me 200-300 mijë viktima.

Po më 1971, në Belfast grupi Led Zeppelin për herë të parë interpreton këngën “Stairway to Heave”; Pink Floyd xhiron filmin ikonik “Live at Pompeii” – koncertin në Amfiteatrin e Pompeit me asnjë njeri në publik; ndërsa, në Montre pranë liqenit të Gjenevës, gjatë koncertit të Frank Zappas digjet një kazino, ngjarje kjo që do ta frymëzojë grupin Deep Purple për këngën “Smoke on the Water”.

Te deportuarit nga vatrat e krizës në Pakistanin Lindor (Bangladesh)

Në Kosovë, edukimi dhe krijimi i kuadrove të reja ishte një prej preokupimeve kryesore. P. sh., në një tekst të “Zërit të rinisë” shkruhej: “Prilepi ka nevojë për shkollë. Fëmijët e këtij fshati tashti ndjekin mësimin në Shkollën Fillore të Rastavicës, e cila njëmend nuk është larg, por rruga deri në shkollë është e rrezikshme. Nxënësit duhet ta kalojnë rrugën deri në shkollë nëpër asfaltin Deçan-Gjakovë”. Ashtu pra, atëherë shqiptarët nuk kishin shumë vetura, ama mendonin për asfaltin dhe nxënësit. Jonormale kjo për normalitetin e sotëm, apo jo?

Problemet me universitetin ishin pothuaj të njëjta, sikur edhe sot. Në një anketë me studentët, Mehmet Emini p. sh., thotë: “Çfarë suksesi pritet nëse banojmë e jetojmë në një konvikt si ky i vjetri te ne”? Në një distancë kohore prej 50 vjetësh do të mund thoshim: Nuk e dimë! Por, e dinim se tash e tutje më shpesh do ta pimë … birrën “Peja”!

Gëzuar

Atë vit definitivisht jemi munduar t’i thyejmë tabutë. Është folur për seksin pa pikë turpi e frike (ndoshta pse pakkush atë kohë e ka kuptuar fjalë seks). “Zëri i rinisë” kishte rubrikën: “Seksi në jetë”. Fantazi! … Aty, ndër të tjera, keni mundur të lexoni edhe këta tituj: “Burimi i konflikteve seksuale” dhe “Duhani – rrezik për jetën seksuale”. Pastaj, ishte edhe një rubrikë tjetër me emrin: “Për femra, por ta lexojnë edhe meshkujt”, ku shkruhej dhe flitej për këmbët e lodhura, çorapët me lara, jelekun etj.

Ueh, çfarë “zhvillimi”! … Hymë në Evropë (kemi menduar po ashtu).

Në atë kohë flitej edhe për emancipimin e femrave (fatkeqësisht ky “emancipim” do të na përcjell edhe në 50 vjetët e ardhshme). Ama, atëherë emancipimi i femrave kuptohej më mirë se sot. Një artikull i “Zëri”-t kishte këtë titull: “Pavarësia ekonomike e femrës, kusht për barazi të plotë”.

Vitin e Ri 1972 e prisnin 31 mijë të papunë. Ndërsa, “politikologët” i kaplonte dilema: “Të rinjtë dhe vetëqeverisja (A jemi indiferentë)”?

Slogani i Jugosllavisë komuniste, “Bratsvo-Jedinstvo” (Vëllazërim-Bashkim) që 20 vjet më vonë u bë “Bratsvo-Ubistvo” (Vëllavrasje)

Në botë më së shumti dëgjoheshin: Carol King, Rod Stewart, James Taylor, T-Rex, Rolling Stones, John Lennon, Pink Floyd etj. Ndërsa, në Kosovë: Shahindere Bërlajolli, Liliana Çavolli, Ismet Peja, Sadete Musliu, Sabri Fejzullahu, Shyqrije Spahiu, Idriz Dhomi, Belkize Tuli, Shaban Gjekaj, Dueti Ejupi dhe Vanja Stoilkoviq e “cila i shqiptonte fjalët më mirë se disa shqiptarë” (epo, ishte kjo koha e “vëllazërim-bashkimit”).

Më 1971 vdes legjenda e rokut, Jim Morrison, dhe legjenda e xhazit, Louis Armstrong. Po të njëjtin vit vdes edhe kompozitori Igor Stravinsky dhe kreatorja e famshme Coco Chanel.

Më 1971 lindi violinisti Shkëlzen Doli dhe boksieri Luan Krasniqi, kryeministri i 23-të kanadez, Justin Pierre James Trudeau, komediani Sacha Baron Cohen, si dhe aktivisti dhe kreu i WikiLeaks-it, Julian Assange. Më 1971 pushtetin në Siri e merr Hafez al-Assadi. Djali i tij, për ta ruajtur këtë pushtet të babës dëshmoi se është terrorist, meqë i luftoi pamëshirshëm civilët (Lufta Civile në Siri që nis 40 vjet më vonë shkaktoi afro 600 mijë viktima). Po më 1971 lindi edhe terroristi irakian Abu Bakr al-Baghdadi, kreu i Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë – ISIS (deri në vrasjen e tij më 2019), që po me të njëjtin brutalitet ndaj civilëve e luftonte trashëgimtarin e Assadit.

Nobelin për Letërsi më 1971 e fiton Pablo Neruda. Për shkak të pikëpamjeve të tij komuniste, më parë ai e ka shkruar poezinë “Shqipëria”, që nis me këto vargje: “S’kam qenë ndonjëherë / në Shqipëri / n’atë tokë të ashpër e të dashur / n’atë dhe malor / barinjsh”. Ndërsa, një reportazh britanik e quan Tiranën si qytetin më të zymtë në botë; më të thjeshtë e më të lodhtë; qytet pa shpirt.

Në vitin 1971 lindi edhe sipërmarrësi kreativ, njeriu i cili 50 vjet më vonë do të ketë epitetin e më të pasurit në botë – Elon Musk.

Elon Musk

VITI 1981: REPUBLIKË, KUSHTETUTË, JA ME HATËR JA ME LUFTË

Ali Lajçi në mesin e studentëve para Konvikteve (26 mars 1981). Në demonstratat e vitit 1981, asnjë qytetar nuk është lejuar të fotografohej. Të gjitha fotografitë e asaj kohe janë bërë nga shërbimet sekrete jugosllave.

Filloristët prapë e jepnin “fjalën e nderit të pionierit”, qytetarët prisnin të kalonte në qytetin e tyre Stafeta dhe të gjithë deklaroheshin se janë të përcaktuar në “rrugën së Titos”. Por, në fakt, në prag të Vitit të Ri 19812 shumëkush e parandien fundit e ish-Jugosllavisë. Ky ishte edhe fillimi i fundit i kalendarëve bajatoz nga fabrikat dhe aksionet e vjeljes së mollëve dhe të rrushit.

Vetura DeLorean në filmin “Back to the Future”

Ngjarjet kryesore në botë më 1981 janë: Nga magnati australian Rupert Murdock blihet e përditshmja “London Times”; shfuqizohet skllavëria në Mauritani; në dy atentate plagosen kryetari amerikan Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali II; Princi Charles martohet me Diana Spencerin (dasma transmetohet drejtpërdrejt në shumë kanale televizive botërore); “Solidariteti” polak mban Kongresin e parë në Gdansk; e veja e Mao Zedongut, Jiang Qing, dënohet me vdekje (dënim që do të zëvendësohet me burg të përjetshëm); François Mitterrand është presidenti i parë socialist i Republikës së Pestë të Francës; vritet kryetari i Bangladeshit, Ziaur Rahman, si dhe ai i Egjiptit, Anwar Sadat (vendin e tij do ta zë Hosni Mubarak).

Më 1981 del në shitje vetura DeLorean, një dështim komercial po veturë ikonike fal filmave “Back to the Future”; lansohet video-lojëra “Donkey Kong” e cila bashkë me “Mario”-n e bën Nintenton një prej kompanive më me nam në botë; e, për muzikantët del në shitje sintetizatori revolucionar, E-Mu Emulator.

Më 1981 lindin shumë aktorë të sotshëm të njohur: Elijah Wood, Justin Timberlake, Tom Hiddleston, Joseph Gordon-Levitt, Jessica Alba, Rami Malek, Natalie Portman, Chris Evans … Ndërsa, vdesin legjendat e muzikës – Bill Haley dhe Bob Marley; aktorja Natalie Wood, si dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Adolf Hitlerit, Albert Speer. Më 1981 vdesin edhe: intelektuali kroat Mirosllav Kërlezha, ideologu kryesor i neoshqiptarizmës, Branko Merxhani, si dhe kompozitori arbëresh, Shime Deshpali.

Hosni Mubarak dhe Anwar Sadat

Ngjarjet kryesore në Kosovë kishin të bënin me … demonstratat e shqiptarëve – një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e Kosovës që shënojnë fillimin e dominimit të politikës serbe në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, fillimin e suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe të Kushtetutës së vitit 1974 që avancoi statutin politik e shoqëror të shqiptarëve, por edhe fillimin e fundit të kësaj federate e të shtetit komunist jugosllav. Rrjedha e saktë e ngjarjeve të marsit 1981 dominohet nga shumë “mistere”, sidoqoftë rezultati final është se ato do të përforcojnë nacionalizmin shqiptar dhe kërkesën e tyre për republikë e pavarësi.

Demonstratat fillimisht shpërthyen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në mbrëmjen së mërkurës, më 11 mars 1981, atëherë kur thyhen pjatat “me fasule”. Si pretekst ishin pakënaqësitë e arsyeshme të studentëve me kushtet e ushqimit e të banimit.

Atë ditë, në Stadiumin e Prishtinës ishte zhvilluar ndeshja futbollistike midis Prishtinës dhe Partizanit të Beogradit, ndaj qytetarët nuk e dinin se çfarë po ndodhë, duke menduar se demonstruesit janë simpatizantë futbolli. Pajazit Nushi – atëherë nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës – përpiqej të bisedonte me demonstruesit, por kot. Turmës i bashkohet Ali Lajçi i cili mban një fjalim që “ndez” edhe më shumë pjesëmarrësit.

1 prill 1981, Hydajet Hyseni (me megafon), ju drejtohet demonstruesve në qendër të Prishtinës, para ish-Komitetit Krahinor. Pranë tij ishte edhe Kadri Batusha. Për personin e tretë “nuk dihet asgjë”!

Kjo protestë – që nisi në Mensë të Studentëve – u planifikua në natën e 10 marsit 1981, në dhomën 312 të Konviktit të Studentëve. Biseda për një reagim për kushte më të mira të mësimit, të banimit e ushqimit të studentëve, vazhdon në dhomën 310. Aty ishin: Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Bedri Deliu, Murat Musliu, Jonuz Jonuzi dhe Gani Koci.

Demonstratat e 11 marsit zgjatën deri në orët e hershme të mëngjesit, kur ndërpriten me intervenimin e forcave të Milicisë.

Në demonstratat e ditëve tjera (25 e 26 mars 1981), kyçet ilegalja politike shqiptare, si grupi i Mehmet Hajrizit e Hydajet Hysenit (Organizata Marksist-Leniniste e Kosovës – OMLK). Kështu, më 25 mars, në Prishtinë kishte sërish grumbullime të studentëve. ndërsa në Prizren organizohen nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Në të dy këto qytete do të ketë arrestime.

Nxitje në atë kohë jepnin edhe revistat e shtypit ilegal në mërgim, e që lexoheshin nga studentët, si: “Liria”, “Lajmëtari i lirisë”, “Bashkimi” e të tjera. Po ashtu, grupet ilegale, që ishin mjaftë të organizuara, shtypnin edhe trakte që i shpërndanin pothuajse në tërë Kosovën.

Një nga pllakatet e botuara në shtypin ilegal, revista “Liria”, 1981

Më 26 mars 1981, ditën kur në Prishtinë arrinte Stafeta e Rinisë (organizim që nderonte figurën e Titos, ditëlindjen e tij dhe Ditën e Rinisë së Jugosllavisë së dikurshme), studentët u drejtuan rrugëve dhe shesheve. Në mesin e tyre kishte edhe nxënës. Këtë ditë pason reagimi brutal i forcave speciale të Milicisë, në Qendrën e Studentëve, ku rrahën shumë të rinj e të reja në konvikte. Kjo bën që më 1 prill demonstratat të kenë karakter gjithëpopullor e që revolta studentore të përhapet në tërë Kosovën. Më 1 dhe 2 prill 1981, demonstrata – pos në Prishtinë – kishte edhe në Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren etj.

Më 2 prill 1981, në Prishtinë vriten nxënësit Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, që ishin organizatorë të nxënësve të Shkollës së Mesme Elektroteknike. Që të dy këta ishin pjesëtarë të ilegales (OMLK-së). Pas rënies së tyre, organet e Sekretariatit vazhdonin të maltretonin familjarët e tyre me të ashtuquajturat “biseda informative”.

Naser Hajrizi më 1970

Gjatë demonstratave, demonstruesit bartnin pankarta me parullat e karakterit social dhe ekonomik. Por, nuk munguan as ato politike. Parullat kryesore, që shpesh binin në kundërshtim me njëra-tjetrën, ishin: ato të karakterit ekonomik – “Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”, “Deri kur në podrum”, “Kërkojmë kushte më të mira”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”; ato politike – “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Kosova e kosovarëve”, “I duam shokët e burgosur”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”, “Bashkim i trojeve shqiptare”; dhe ato të ideologjisë enveriste të Shqipërisë: “Rroftë marksizëm-leninizmi”, “Poshtë revizionizmi”, “S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”, “Rroftë klasa punëtore” dhe “Rrnoftë Enver Hoxha”.

Meqë në këto demonstrata nacionalizmi shqiptar merr karakter ideologjik – pra zgjidhja e problemeve kombëtare shihej edhe përmes utopisë komuniste (që për ato rrethana ishte normale, meqë shpresat vareshin nga Shqipëria, e tillë siç ishte) – nga krerët shtetërorë jugosllavë kishte akuza se ato janë organizuar nga shërbimet e Shqipërisë.

Bardhyl Mahmuti në demonstratat e vitit 1981

Kualifikimet e para të Komitetit të atëhershëm Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, për demonstratat e 11 marsit ishin se kanë karakter të revoltës sociale. Por, në mbledhjen e 28 marsit 1981, demonstratat e 11 dhe 26 marsit u cilësuan “armiqësore”. Ndërkaq, më 2 prill, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe të Kryesisë së Republikës së Serbisë, demonstratat u cilësuan “destruktive” që “kanë për qëllim destabilizimin e sistemit kushtetues”, “minimin e vëllazërim-bashkimit” dhe “përmbysjen e sistemit politik”. Një ditë më vonë, më 3 prill 1981, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, demonstratat u cilësuan si “irredentiste”, “nacionaliste” e madje edhe “kundërrevolucionare”.

Revista “Liria”, 1981

Pas kësaj nisin arrestimet masive të organizatorëve dhe pjesëmarrësve me aktivë, gjykimi dhe dënimi i tyre me deri 20 vjet burg. Po ashtu, nga këto demonstrata nis procesi i diferencimit ideopolitik në të gjitha strukturat dhe nivelet e jetës shoqërore, politike e intelektuale shqiptare.

Në lidhje me këto demonstrata dhe parulla, ambasadori britanik në Beograd, Sir E. Bolland, ka hartuar një raport për efektin e tyre në sistemin politik të Jugosllavisë. Ai nuk ka fjalë të mira për këto demonstrata për shkak se në parulla vërehej kërkesa marksiste-leniniste, për një komunizëm më të egër se ai që kishte RSFJ. Ai madje e lavdëron intervenimin e shtetit në Kosovë duke e quajtur si të kujdesshëm dhe të moderuar. Ambasadori është në mbrojtje të integritetit të RSFJ-së, kryesisht për shkak se ky shtet zbatonte “një komunizëm liberal dhe nuk ishte nën ndikimin e komunizmit sovjetik (rus)”. Megjithatë, sipas studiuesit Daut Dauti, ai nuk i mohon të drejtat politike të shqiptarëve në Jugosllavi.

“Sipas çdo kriteri logjik, Kosova, brenda kufijve të tanishëm, duhet të ketë status të barabartë në Jugosllavi sikur republika e Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, pasi që popullsia e saj është po aq e madhe dhe po aq etnikisht homogjene si çdo republikë tjetër. Por, udhëheqësia jugosllave refuzon me këmbëngulje që të dorëzohet para kësaj logjike për arsye të politikës së brendshme dhe çështjes së sigurisë”, thuhet në raportin e tij. “Dikush, diku duhet të lëshoj pe: është problem për të cilin Jugosllavia duhet të vendos se çka do të bëjë. Në të kaluarën, Jugosllavia ka pasur sukses pas çdo shpërthimi të nacionalizmit në Kosovë pasi që e qetësonte situatën duke ofruar koncesione kushtetuese, të cilat, në mënyrë kumulative, Kosovës i kanë dhënë virtualisht status të republikës”.

Për fund, pa dhënë shumë gjykime, do të ishte mirë të njihet mendimi i studentit italian Demetrio Delifera, i cili për studime për kulturën shqiptare gjendej në Prishtinë në kohën e këtyre demonstratave. Në gazetën “Espresso” të Italisë, ai do të botojë pjesë të ditarit të tij. Përshkrimi i tij prej një neutrali, zbërthen më së miri atë se a ishin në gjendje të mirë apo të keqe shqiptarët e Kosovës në vitin 1981.

“E drejta e studimit për studentët kosovarë është ende shumë më e kufizuar sesa ajo që u jepet universiteteve të tjera të vendit. Shërbimet publike në Prishtinë janë të nivelit më të ulët. Megjithëse mësimi bëhet edhe në shqip, nuk ka libra në këtë gjuhë. Për t’i siguruar ato nga Tirana, kur është e mundshme, duhet të paguhet një mbitaksë e lartë. Pika tjetër që i shtyri studentët të manifestojnë ishte niveli i ulët i jetesës dhe papunësia (80 për qind e të diplomuarve nuk gjejnë punë, shumë prej tyre kanë emigruar në Gjermani, Francë, Belgjikë, Zvicër, e Suedi)”, ka shkruar ai. “Asnjë jugosllav që nuk ishte në Prishtinë, nuk ka mundur të imagjinojë nga të dhënat zyrtare ftohtësinë dhe vendosmërinë e reparteve të Policisë të sjella me aeroplan nga Beogradi. Por, as banorët e Prishtinës nuk e dinë me të vërtetë se çfarë u bë në mbrëmjen e datës 26 mars. Duheshin pesë ditë që të përhapeshin në qytet, në fillim habia, e mandej urrejtja për policët e për ata që i dërguan. Gjithashtu, rritet gjithmonë e më shumë shqetësimi për qytetarët e shumtë të arrestuar që rrezikohen të mos dalin më nga burgu, siç ndodhi më 1968”, ka shkruar ndër të tjera ky italian që dëshmon – siç kishte thënë këngëtarja më e famshme e asaj kohe në ish-Jugosllavi, Zana Nimani – se për demonstrata shqiptarët “me siguri kishin ndonjë arsye”!

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982 (nga e djathta në të majtë): Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK-së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqit në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, meqë ishte dyshuar se Hydajeti është vrarë! Në këtë proces gjyqësor u dënuan këta veprimtarë: 1. Hydajet Hyseni, me 15 vjet burg; 2. Jakup Krasniqi, me 15 vjet burg; 3. Mehmet Hajrizi, me 12 vjet burg; 4. Gani Syla, me 15 vjet burg; 5. Nezir Myrtaj, me 12 vjet burg; 6. Berta Luzha, me 12 vjet burg; 7. Sherafedin Berisha, me 5 vjet burg; 8. Ismail Syla, me 12 vjet burg; 9. Jahir Hajrizi, me 11 vjet burg; 10. Sheqir Zeneli, me 4 vjet burg; 11. Fehmi Plakiqi, me 5 vjet burg; 12. Azem Syla, me 5 vjet burg; 13. Xhevdet Syla, me 4 vjet burg; 14. Fatmir Krasniqi, me 4 vjet burg; 15. Ferid Çollaku, me 8 vjet burg; 16. Hysni Hoti, me 6 vjet burg; 17. Kadri Luzha, me 5 vjet burg; 18. Mustafë Ademi, me 6 vjet burg; 19. Jashar Alijaj, me 6 vjet burg.

Më 1981, në këtë vit të rënd, në revistat dhe gazetat e Kosovës botoheshin pamje nga Berlini dhe muri që ndante të dy anët e qytetit. Por, muri shqiptaro-shqiptar ishte shumë më i madh dhe më i mbrapshtë se ai Berlinit. Botoheshin po ashtu artikuj për vuajtjet e zezakëve në Amerikë, e ne ishim zezakët e Evropës.

Në Kosovë prapë flitej dhe shkruhej për emancipimin e femrave, për seks dhe për problemet me shkolla, sidomos në universitet i cili ishte shndërruar në “problem” goxha të madh pas demonstratave të studentëve shqiptarë. Prandaj, apelohej për “mobilizim të përgjithshëm, për ruajtjen dhe forcimin e unitetit midis të gjitha kombeve dhe kombësive tona”. Sanije Hyseni, vajza e cila për herë të fundit ia kishte dorëzuar stafetën Titos, në një artikull thoshte: “Rinia nuk lejon rrezikimin e fryteve të revolucionit”. Ndërsa, të tjerët: “Nga të gjitha anët e Kosovës arrijnë telegrame: Energjikisht dënohen demonstratat”, “Ne kemi përgjegjësi historike që ta bëjmë të pamundshëm – veprimin e mëtejshëm të armikut”. Dhe, blla, blla, blla të tjera …

Më 1981, thuhet se bën vetëvrasje kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Sipas disa teorive, thuhet se në mes të Enverit dhe Mehmetit, nga marsi i vitit 1981, ka pasur polemikë për Kosovën e cila ka kaluar deri në kufijtë e grindjes. Këtë e ka thënë Ali Çeno, truproje e Shehut, i cili ka qenë prezent. “Aty nga marsi apo fillimi i prillit të vitit 1981, Enveri dhe Mehmeti sapo kishin dalë nga ndërtesa e KQ-së. Ata u ndalën para shtëpisë së partisë, duke debatuar me njëri-tjetrin me zë të lartë, saqë fjalët e tyre dëgjoheshin jo vetëm nga ne oficerët e grupeve të shoqërimit, por edhe më larg. Mehmeti iu drejtua Enverit: ‘Sot të shpallim mobilizimin e përgjithshëm dhe të nisim tanket drejt Veriut, në kufirin me Jugosllavinë. Ne këtu nuk mund të rrimë duarkryq dhe byth palafiku, kur atje vriten njerëz. Një mobilizim i përgjithshëm do të tërhiqte vëmendjen e Perëndimit dhe problemi i Kosovës do të jetë më i lehtë për t’u zgjidhur. Po të na paraqitet nevoja, të fillojmë edhe luftën. Nuk kemi ç`presim më’. Pas këtyre fjalëve, Enveri ju përgjigj po me atë ton të lartë: ‘Jo, këtë nuk mund ta bëjmë kurrë. Nuk mund ta prishim në një ditë atë që kemi ndërtuar për dyzet vjet’…“, ka thënë Çeno.

Por, e vërteta më e besueshme është se diktatorët në pleqëri bëhen mosbesues ndaj secilit, edhe ndaj miqve e bashkëpunëtorëve më të afërt.

Dosja 1981: Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e historisë (Foto)
Lexo po ashtu Dosja 1981: Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e historisë (Foto)

Viti i Ri 1981 ishte i rëndë dhe plot dhembje. Shumë shqiptarë u vranë, mijëra të tjerë u arrestuan dhe keqtrajtuan. Në media botoheshin reagime ndaj “Zërit të popullit” në Tiranë, i cili “dezinformonte rreth shkaqeve të demonstratave armiqësore në Kosovë”. Është kjo koha kur edhe për fjalën “eho” (E-nver HO-xha) shkonte njeriu në burg.

“Nuk na zgjati shumë”, thoshin atëherë shqiptarët, të cilët pas kushtetutës së vitit 1974 kishin filluar ta shijonin pak lirinë dhe përparimin.

Tito me shqiptarë e fortë të ish-Jugosllavisë: Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli dhe Fadil Hoxha. Pas vitit 1981, Serbia nuk donte më politikanë këmbëngulës shqiptarë …

Filmat më të njohur në botë ishin: “Chariot’s of Fire”, “Neighbours”, “An American Werewolf in London”, “On Golden Pond” … e në Kosovë ende flitej dhe shkruhej për projektet televizive dhe filmat: “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Fidani”, “Gjurmë të Bardha”, “Era dhe Lisi” …

Bota dridhej nën ritmin e Human League, Queen, 45 Starsound, Elkie Brooks, Foreigner, Journey, Styx, Stevie Nicks, Duran Duran … Ndërsa, Kosova nën ritmet e: Irfan Blakçorit, Arian Kerliut, Gazmend Pallaskës, Bedri Islamit, Valentina Saraqinit, Hilmi Obërtincës, Shaban Kelmendit, Fontanës, Trixit, Ilirëve, Aidës, Rokmasës, TNT-së etj.

Në rokun e Kosovës dhe në tërë Kosovën u fut një “valë e re”!

Mehmet Shehu pas “vetëvrasjes”

VITI 1991: JUGOSLLAVIA NË LUFTË, COPA-COPA DREJT EVROPËS SË BASHKUAR!

Gazeta “Bujku” për Referendumin për Pavarësi

Toto Cutugno në Eurovizionin e vitit 1990 që u mbajt në Zagreb, fiton me këngën “Insieme: 1992”. Me këtë këngë ai i këndon integrimit evropian. “Ma jep dorën, që të fluturojmë, se Evropa nuk është larg. Kjo këngë italiane është për ty. Bashkërisht, ta bashkojmë, ta bashkojmë Evropën”, thotë disi kjo këngë. Shqiptarët besonin në numrin 1992, sepse e simbolizonte Evropën e bashkuar, ndërsa Evropa e bashkuar nuk duhet të lejojë shkelje dhe abuzim të të drejtave të njeriut. Pastaj, Luftës së Ftohtë i erdhi fundi, Kosova ishte shpallur Republikë, e njerëzit shkonin e vinin nga Shqipëria. Evropa pra duhej të zgjohej, të mendonte për të gjithë banorët e kontinentit. Por, flinte! Kështu, shqiptarët më 1991 vuanin dhe … vazhdonin të shpresonin!

Trupat amerikane në Luftën e Parë të Gjirit Persik

Ngjarjet kryesore që shënuan botën më 1991 janë: Mposhtet Iraku në luftën gjashtëmujore me NATO-n në Gjirin Persik; dështon grushteti rus në BRSS kundër Mikhail Gorbachevit; trupat indoneziane masakrojnë popullatën civile në Timorin Lindor; në Afrikën e Jugut merr fund epoka e tmerrshme e aparteidit; Gjermania zhvendos kryeqytetin nga Boni në Berlin … dhe, shpërbëhet BRSS nga ku dalin 15 shtete të pavarura: Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Estonia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Letonia, Lituania, Moldavia, Rusia, Taxhikistani, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani.

Pra, komunizmi mbaroi. Në revisten “Rolling Stone” botohet një artikull ku thuhet se “komunizmi është përkulur, ngase askush nuk dëshironte të mbathte këpucë bullgare…”. Por, kjo përkulje fatkeqësisht mori me vete edhe shumë viktima. Sidomos në ish-Jugosllavi që nis të shpërbëhet po më 1991 kur Kroacia dhe Sllovenia shpallin pavarësinë. Pas 10 ditësh luftimesh në Slloveni, Armata Popullore e Jugosllavisë tërhiqet nga ky vend. Por, gjërat nuk shkojnë aq lehtë në Kroaci ku pas të ashtuquajturit “balvan-revolucija” (bllokimi i rrugëve me trungje) më 1990 dhe pas shpalljes së të ashtuquajturës Republika Serbe e Krainës, nisin luftimet në Vukovar, si dhe rrethohet e bombardohet qyteti mesjetar i Dubrovnikut që ishte në mbrojtje të UNESCO-s që nga viti 1979. Serbi Bozhidar Vuçureviq – ish-shofer i kamionit që bëhet politikan dhe ushtarak e që ka gisht në bombardimin që dënohet nga e tërë bota normale – ka thënë se “kur do të futen në Dubrovnik do ta bëjnë qytet edhe më të vjetër e më të bukur”. E tmerrshme! Forcat e ashtuquajtura jugosllave që ishin nën diktatin e Serbisë, e bombardojnë edhe zyrën e presidentit kroat, Franjo Tugjman. Po më 1991 ka demonstrata masive kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi, por ato demonstrata shuhen me dhunë, duke i dërguar tanket në rrugë e duke vrarë së paku dy civilë.

Pamje nga bombardimi i Dubrovnikut

Në tetor 1991 mbahet referendumi në të cilin populli shqiptar i Kosovës deklarohet për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ky shtet pranohet vetëm nga Shqipëria. Po ashtu, vazhdon fushata për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, nën kryesimin e veprimtarit, patriotit dhe intelektualit të shquar Anton Çetta. Më 28 qershor 1991, Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës. Më 21 gusht 1991, grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Gati të gjithë të punësuarit në sektorin publik u dëbuan nga puna, si dhe mbyllen mediat në gjuhën shqipe. Vitin e Ri 1992 në Kosovë e presin 147 500 të papunë. Këtij numri i bashkëngjiten më vonë edhe disa qindra-mijëra të tjerë. Shqiptarët marrin prapë botën në sy …

Po më 1991, në Kosovë thyhen të gjitha tabutë politike, sidomos nga “Zëri i rinisë”.“Zëri” botoheshin reportazhe, artikuj dhe intervista nga Shqipëria, flitej për procesin e Prizrenit, të Paraqinit dhe qindra procese tjera që i kishin përjetuar shqiptarët në kurriz, flitej për Shqipërinë, për “Newsweek”-un i cili e parashikonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për Dardanin – “valutën” e Kosovës … Pastaj, botoheshin hartat etnike shqiptare, shkruhej për helmimet, largimin e nxënëse nga shkolla, vrasjet e ushtarëve dhe civilëve shqiptarë dhe për shumë gjëra tjera të cilat kur sot i kujton njeriu i rrëqethet trupi … “Zëri” për regjimin serb ishte revistë “armiqësore”, prandaj ndëshkoheshin redaktorët dhe gazetarët e saj edhe me burgosje. “Zëri” ishte në shënjestër, sikur e tërë Kosova…

Gjërat ishin aq keq, sa që, prapë, vetëm prisnim ditët “kur do të kërcet” (edhe më zi se që krisën pjesët tjera të ish-Jugosllavisë).

Njeriu me top: Adem Demaçi (“Zëri i Rinisë”, shtator 1991, foto nga Hazir Reka)

Më 1991, lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, nis korrespondencën diplomatike të Kosovës. Në letrën e 6 dhjetorit 1991 që i është dërguar sekretarit të Jashtëm britanik Douglas Hurd, Rugova shkruan në cilësinë e kryetarit të Këshillit Koordinues të partive politike të Kosovës, por edhe në emër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Rugova e falënderon vendimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane për sanksione ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Por, ankohet se meqë këto masa do ta dëmtojnë më së shumti popullin e Kosovës (më se 90 për qind shqiptarë), ndaj bën me dije se Kosovës i duhet ndihma. Sipas studiuesit Daut Dauti, më 12 dhjetor 1991, Ambasada britanike në Beograd kërkon udhëzim nga Foreign Office-i në Londër se si duhet bërë punës së letrës së Ibrahim Rugovës, i cili këtu cilësohet si pretendues shtetëror (përdoret shprehja diplomatike franceze ‘soi-disant’ që d.m.th. i ashtuquajturi apo i vetëemëruari). “Duhet t’i kthehet përgjigje apo jo? Nëse i kthehet përgjigjja, faktikisht ai do të njihej si kryetar së bashku me organet shtetërore të Kosovës. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Prandaj, Foreign Office sugjeron se Rugova nuk duhet të injorohet tërësisht. Por, duhet t’i kthehet një përgjigje në ndonjë lloj forme sa për t’ia bërë me dije se letra ka arritur në cak”, ka thënë Dauti.

Rugova kërkon ndihmë nga Britania e Madhe

Filmat më të njohur në botë ishin: “Beauty and the Beast”, “Cape Fear”, “Own Private Idaho”, “Boys ‘N’ the Hood”, “New Jack City”, ”Raise the Red Lantern”, “The Silence Of The Lambs” … Ndërsa, kosovarët rikujtonin projektin e tyre të fundit filmik, “Rojet e mjegullës”, e madje besonin se është film i mirë e i guximshëm. Nga vitin 1991 Kosovën nis ta pushtojë virusi i kiçit dhe shundit.

Bota “çmendej” nga muzika e: Simply Red, REM, Nirvana, Michael Bolton, Michael Jackson etj. Ndërsa, kosovarët pas Shaqir Cervadikut, Shkurte Fejzës, Ilir Shaqirit, Remzije Osmanit, Shyhrete Behlulit dhe të gjithë të tjerëve që këndonin dhe i “kallnin” shqiptarët me këngë patriotike. “Vitet e arta të rokut kosovar” morën fund. 403, Babiloni, Lindja, Seleksioni 039, Fillimi i Fundit, Bankrot, Dardan Shkreli, Grafos, Gjurmët, Oaza, Manifest etj. etj. etj. ishin vetëm kujtime. Shumë nga ta ia “therën” jashtë, më së shumti në Angli.

Edhe këtë herë shqiptarët e Kosovës ishin të frustruar dhe me frikë; edhe këtë herë thoshin: Ishalla bëhet mirë!

Anthony Hopkins në rolin brilant të Dr. Hannibal Lecterit në filmin “The Silence of the Lambs”

Ndërkohë, në shtetin e fundit komunist në Evropë, në Shqipëri, gjithçka kinse shpërbëhet. Presidenti Ramiza Alia shpërbën qeverinë e kryeminsitrit Adil Çarçani. Kryeministër bëhet Fatos Nano. Më 1991 mbahen zgjedhje shumëpartiake ku fiton Partia e Punës që po të njëjtin vit shpërbëhet e “shndërrohet” në Partinë Socialiste. Kryeministër i ri emërohet Ylli Bufi e më vonë Vilson Ahmeti. Më 1991 shpërbëhet edhe Sigurimi shtetëror dhe formohet Shërbimi Informativ Kombëtar. Shqipëria riparon raportet me shumë shtete perëndimore, ndërsa qindra-mijëra shqiptarë kërkojnë azil në Itali e Greqi. Sekretari amerikan, James Baker, viziton Shqipërinë. Amerika, pas shumë vjetëve, prapë është shpresa më e madhe për këtë vend.

Më 1991 lindi këngëtari Ed Sheeran. Ndërsa, vdesin dy muzikantë të mëdhenj: Miles Davis dhe Freddie Mercury. Më 1991 vdes edhe mbreti i Norvegjisë, Olav B, aktorët Michael Landon dhe Lee Remick, si dhe shkrimtari i njohur për fëmijë, Theodor Seuss Geisel (i njohur shkurtimisht si Dr. Seuss, veprat e të cilit janë shitur në mbi 600 milionë kopje). Më 1991 vdes edhe kompozitori, dirigjenti e etnomuzikologu Lorenc Antoni, shkrimtari Petro Marko, këngëtari Qamili i Vogël, si dhe skulptori Janaq Paço (autori i monumentit të Skënderbeut në Krujë, kopja e të cilit është në Prishtinë). Ndërkaq, lindi sportistja e madhe, kampionia botërore e xhudos dhe fituesja e medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendi.

Tim Berners-Lee, themeluesi i World Wide Web-it e lanson ueb-faqen e parë – info.cern.ch.

Sloganet e lodhëta politike në Shqipërinë e vitit 1991

VITIN 2001: LUFTA AFËR E LARG

Shembja e Kullave Binjake

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 2001?

Viti 2001 është vit i zhvillimeve të mëdha, kudo në botë. Apple më 2001 lanson platformën iTunes, Mac OS X-in si gjeneratën e ardhshme të sistemit të vet operativ, si dhe produktin iPod. Më 2001 lansohet edhe Wikipedia.

Tony Blair fiton edhe një mandat për të qeverisur me Britaninë e Madhe, ndërsa George W. Bush jep betimin si presidenti i 43-të amerikan. Blair ishte një nga njerëzit më meritor për çlirimin e Kosovës, ndërsa Bushi është presidenti i cili i pari – para vizitës së tij në Shqipëri më 2007 – paralajmëron se do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sulmi terrorist mbi kullat binjake

Por, presidenca e Bushit përcillet me shumë probleme, që në vitin e parë të administratës së tij.

Më 11 shtator ndodhi sulmi terrorist mbi Kullat Binjake në Nju-Jork dhe në Pentagon duke lënë 2 977 viktima. Nëntë ditë më vonë, Bushi shpall Luftën Kundër Terrorit që cak kishte grupet ekstremiste, me në krye al-Qaedan. Lufta përfshinte edhe shtetet që i mbështesin këto grupe. Kështu, më 7 tetor nis Lufta e Afganistanit. Më 14 nëntor amerikanët futen në Kabul, ndërsa më 22 dhjetor formohet qeveria e re afgane nën udhëheqjen e Hamid Karzai.

Amerikanët do të tërhiqen nga Afganistani 20 vjet më vonë. Pas largimit të tyre, pushtetin do ta marrin sërish talebanët. Vendi futet prapë në kaos.

Hamdi Karzai

Më 2001 vdes aktori Anthony Quinn dhe muzikanti George Harrison. Po më 2001 ndërrojnë jetë: përkthyesi e diplomati Jusuf Vrioni, aktori Vangjush Furxhi, një prej spikereve të para në Kosovë, Drita Reka-Gërmizaj, si dhe lideri i dikurshëm komunist i Kosovës, Fadil Hoxha.

Më 2001 nis ekzekutimi i veprës muzikore “As Slow as Possible” e kompozitorit John Cage, në organon e vendosur në kishën e Shën Borkardit në Halbershtat të Gjermanisë. Vepra zgjat “veç” 639 vjet dhe, nëse gjërat shkojnë si duhet, përfundon “shpejtë” – në vitin 2640.

Organo e John Cageit

Ndërkohë, në Luginën e Preshevës “përfundon” lufta me nënshkrimin e Marrëveshjes së Konçulit, më 21 maj 2001, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Paktit Veriatlantik (NATO), Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE). Marrëveshja kërkonte hyrjen graduale e Ushtrisë Jugosllave në Zona Tokësore të Sigurisë, e në të njëjtën kohë demilitarizimin dhe shpërbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB). Por, luftimet vazhdojnë deri më 24, kur Ushtria serbe futet në Preshevë. Me atë rast vritet komandanti Ridvan Qazimi – “Lleshi”. Shumë luftëtarë shqiptarë u dorëzuan në KFOR, në mesin e të cilëve njëri prej krerëve të UÇPMB-së, Shefket Musliu (për të fituar pastaj amnisti nga qeveria e së ashtuquajturës Jugosllavi). Dy vjet pas shpërbërjes së UÇPMB-së, shqiptarët morën pjesë për herë të parë – pas shumë vitesh – në zgjedhjet lokale të Serbisë. Por, gjendja e tyre në Luginë të Preshevës nuk është përmirësuar fare në këto 20 vjet. “Pse shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre”, ka thënë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, sipas të cilit pushteti në Serbinë e vitit 2021 nuk dallon nga pushteti i Sllobodan Milosheviqit. “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë sot rajoni shembullor i diskriminimit. Metodat e vjetra të diskriminimit janë zëvendësuar me format e ‘padukshme’ bashkëkohore të shtypjes. Rajoni mbetet nën rrethim të ‘legjitimuar’ ushtarako–policor, me nënpërfaqësim të thellë në institucione shtetërore dhe me mungesë të ‘arsyetuar’ investimesh”.

Kur është fjala te Millosheviqi, më 2 prill 2001 dorëzohet te forcat speciale të Policisë serbe. Më 28 qershor e çojnë në Hagë. Fatkeqësisht, vdiq pa u dhënë verdikti për krimet monstruoze të shkaktuara nga regjimi i tij, për çfarë e kishte epitetin e Kasapit të Ballkanit.

Ridvan Qazimi (majtas), Shefket Musliu (në mes) dhe Muhamed Xhemajli (djathtas), më 26 janar 2001

Po më 2001, eskalon lufta në Maqedoninë e Veriut, që nisi më 22 janar 2001 nga trupat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Lufta përfundon më 13 gusht me Marrëveshjen e Ohrit. Kjo marrëveshje nuk është zbatuar ende si duhet, sidomos në pikat që përkojnë me mos diskriminim dhe përfaqësim të drejtë, me arsimin dhe përdorimin e gjuhëve si dhe shprehje të identitetit. Ndonëse nuk u realizuan aspiratat e shqiptarëve, megjithatë gjendja e tyre në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se në Luginë të Preshevës. Më 2001, nga radhët e UÇK-së së Maqedonisë formohet partia Bashkimi Demokratik për Integrim. Kryetar zgjidhet Ali Ahmeti.

Pamje nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit: (nga e majta): Arbën Xhaferi, Lubço Georgievski, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri

Më 8 korrik, në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, 54.9 për qind të votave i fiton Partia Socialiste (PS). Partia Demokratike e Shqipërisë bojkoton seancën e Parlamentit të paraparë për 3 shtator. Ndërkohë, nisin përçarjet mes Fatos Nanos e Ilir Metës. Po më 2001, Shqipëria dhe Jugosllavia rivendosin marrëdhëniet diplomatike të shkëputura – për shkak të Luftës në Kosovë – në vitin 1999.

Në Kosovë, Vitin e Ri 2002 do ta “festojnë” më së shumti të papunët. Sipas statistikave, 64 për qind e popullsisë së Kosovë është e papunë. Kjo me fjalë të tjera do të thotë: keq pra!

Në Kosovë u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare. Kosova ishte prapë në “headline” të mediave të botës. Gazetarë e vëzhgues erdhën për të përcjellë procesin zgjedhor. Të gjithë ata prisnin eksese, por ne prapë i zhgënjyem. Interesant, shumë pak gjëra kanë ndryshuar nga viti i kaluar. Të gjithë çuditen me normalitetin e Kosovës! Zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës i fiton Lidhja Demokratike e Kosovës. Në pamundësi për të zgjedhur presidentin, formohet koalicioni i gjerë. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Kosovës, ndërsa Bajram Rexhepi kryeministër.

Pamje nga votimet në Kosovë, më 2001

Kryeadministrator i Kosovës më 2001 ishte danezi Hans Haekkerup. 20 vjet më vonë, një Haekkerup tjetër do të përmendet: nipi i Hansit, Nicku, si ministër i Drejtësisë së Danimarkës që qëndron prapa marrëveshjes me Kosovën për t’i dhënë me qira 300 qeli burgu.

Në Kosovë miratohet korniza kushtetuese, diplomojnë gjenerata të reja policësh, organizohen konteste të bukurisë, mbahen festivale të këngës dhe muzikës, xhirohen spote dhe incizohen shumë albume … Gjithçka dukej se po shkon ka normalja, por Kosovës nis t’i rrezikohet imazhi dhe e ardhmja, kjo edhe për faktin se Perëndimi nuk kishte vizion për të ardhmen e Ballkanit,

Statusi i femrës dhe emancipimi i saj është ende temë aktuale. Mirëpo, sikur më 2000, ky emancipim shikohet me futjen e femrës në 30 përqindëshin statistikor dhe duke organizuar seminaret: “Femrat dhe ekonomia”, “femrat dhe politika”, “femrat dhe gazetaria”

Universitetin e mundojnë prapë problemet e reformave. Vetëm flitet për to e asgjë nuk bëhet. Madje, një profesor, duke u arsyetuar pse është kundër reformave, kishte thënë: “Në Perëndim profesorët e kanë pagën 7-8 mijë marka, ne 3-4 qind marka, ndërkaq këtu një kilogram speca kushton sa në Gjermani … mos edhe më shtrenjtë!?”! Këtë vit në Universitet u hapën tri fakultete të reja, të cilat e nisën dhe po e vazhdojnë punën me probleme të mëdha. Këto fakultete autori i këtij teksti më 2001 i quajti “Recycle Bin”. Ndoshta me të drejtë!

Shitja e tepihëve në Prishtinë, më 2001, në ndërtesën e milicisë serbe të bombarduar nga NATO më 1999

Filmat më të shikuar në botë ishin: “Tomcats”, “Mummy II”, “Harry Potter”, “The Ring”, “America’s Sweethearrs” … Ndërsa në Kosovë të gjitha projektet “filmike” të Adem Mikullovcit.

Bota dëgjonte këta emra: Eminem, Britney Spears, Toni Braxton, Christina Aguillera, Jennifer Lopez, Robbie Williams… Ndërsa Kosova B. B. Poqin, Arta Bajramin, Etno Engjujt, Faton Maculën, Donika Gashin, Bekën, Adelina Ismailin etj.

Në Kosovë flitet dhe shkruhet për euron, si lajm i mirë.

Mariah Carey pranë ushtarëve amerikanë në Kosovë, më 2001

VITI 2011: VITI I TRAZIRAVE

Lufta kundër terrorit … nuk ka përfunduar!

Në Kosovë, Viti i Ri 2011 nis me problemet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit 2010, zgjedhje këto që u përcollën me shumë manipulime dhe me shumë ankesa të subjekteve pjesëmarrëse. Me rivotimet e 23 janarit në Mitrovicë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli fituese Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të Hashim Thaçit që siguroi 34 vende në Kuvend. PDK pasohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 27 vende, pastaj Vetëvendosja e Albin Kurtit me 14, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 12, Aleanca Kosova e Re (AKR) me nëntë vende, ndërsa pakicat kishin 20 vende të rezervuara me Kushtetutë.

LDK nuk donte të jetë në koalicion me PDK-në, kështu që Qeveria formohet përmes koalicionit të PDK-së me AKR-në e me disa parti të vogla të pakicave. Kryeministër emërohet Hashim Thaçi, kryeparlamentar Jakup Krasniqi, ndërsa president, pas shumë e shumë vështirësive, Behgjet Pacolli (kreu AKR-së).

Christopher Dell

Votimi për presidentin dhe Qeverinë u bojkotua nga opozita. Emërimin e Pacollit e konteston sidomos LDK. Gjykata Kushtetuese e cila një vit më parë e kishte rrëzuar presidentin Fatmir Sejdiu për shkak të shkeljeve kushtetuese, merr vendimin se Pacolli nuk u zgjodh konform normave dhe akteve kushtetuese. Pacolli jep dorëheqje, me synimin që të kandidonte sërish. Por, kot. Zgjidhja gjendet me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Christopher Dell, që merr rolin e ndërmjetësuesit dhe i mbledh në një takim kryeministrin Hashim Thaçi, Behxhet Pacollin dhe liderin e opozitës, Isa Mustafa. Negociatat përfundojnë me marrëveshjen e 7 prillit. Kosova nxjerr një kandidate konsensuale për postin e presidentit – Atifete Jahjagën, zyrtare e lartë e Policisë së Kosovës. Thaçi, Mustafa e Pacolli u pajtuan edhe për ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot.

Atifete Jahjaga

Po më 2011, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u emërua si koordinatore në procesin e negociatave me Serbinë. Opozita në Parlamentin e Kosovës mbledh më vonë 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, për të kërkuar ndërprerjen e këtyre negociatave, me pretendimin se marrëveshjet me Serbinë po e dëmtojnë shtetësinë dhe se po e cenojnë sovranitetin e Kosovës.

“Duhet të përgatitemi më mirë, sepse ishte një hyrje shumë e shpejtë në dialog – ashtu siç ka ndodhur nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ajo që kemi insistuar dhe insistojmë është që të qartësohen çështjet për të cilat do të zhvillohen bisedat me Serbinë dhe çështjet për të cilat nuk mund të bisedohet fare, si integriteti territorial dhe tërësia territoriale e vendit, kufijtë e vendit, organizimi kushtetues”, kishte deklaruar Mustafa. Ndërsa, Albin Kurti i Vetëvendosjes ka thënë: “Në Bruksel qartazi po negociohet për çështje të brendshme të Kosovës”. Për Kurtin dhe partinë e tij, Bajram Rexhepi – ministër i Brendshëm atë kohë – thotë se kanë nevojë për hajmali.

Nga e majta: Edita Tahiri, Catherine Ashton, Robert Cooper dhe Borko Stefanoviq

Megjithatë, negociatat nisën. Më 2011 Prishtina dhe Beogradi arritën marrëveshjet e para për liri të lëvizjes, për librat e amzës dhe për njohjen e diplomave shkollore e universitare.

Në mars, EULEX-i ngre aktakuzë për krime lufte kundër nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e të cilëve ishte edhe deputeti dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj. Por, ngjarja më e bujshme në Kosovë, më 2011, ndodhi më 20 korrik kur kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendësit e tij, Behxhet Pacolli e Mimoza Kusari-Lila, kumtojnë vendimin për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, meqë kjo e fundit nuk e lejonte qarkullimin e mallrave të Kosovës nëpër territorin e saj. Pesë ditë më vonë, Thaçi shkarkon shefin e Policisë së Kosovës pa dhënë asnjë arsyetim shtesë dhe nis ekspeditën policore në veri të vendit për marrjen e pikave 1 dhe 31 në kufi me Serbinë (të cilat ishin nën kontrollin e EULEX-it e që nuk funksionin si dogana). Njësitë speciale arritën në njërën pikë, kurse nga tjetra u detyruan të kthehen për shkak të rezistencës së serbëve lokalë. Si pasojë, një pjesëtar i Policisë Speciale, Enver Zymberi, humb jetën nga një pusi e ngritur për pengimin e zbarkimit të policisë në pikat doganore. Menjëherë reagoi presidentja Jahjaga, duke e shpallur Zymberin hero të Kosovës. Se marrja e pikave doganore nuk ishte punë e lehtë kjo vërtetohet edhe më 27 korrik kur disa serbë i vunë zjarrin Pikës doganore 1. Nga kjo ditë, KFOR-i merr situatën nën kontroll pasi rrugët e veriut mbushen me barrikada duke mos e lejuar qarkullimin – në këtë zonë – për institucionet e Kosovës, e madje as për EULEX-in. Gushti kaloi me negociatat midis KFOR-it, përfaqësuesve lokalë serbë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë për heqjen e barrikadave, por ato nuk sollën marrëveshje. Kështu, KFOR-i nis zbarkimin me helikopterë të doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës, në Pikat 1 dhe 31. Në përpjekjen për ta zhbllokuar gjendjen në veri, palët në Bruksel merren vesh për arritjen e marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufijve. Kjo marrëveshje u cilësua, nga kryeministri Thaçi, si njohje e kufijve të Kosovës nga Serbia.

Pamje nga ceremonia e varrimit të Enver Zymberit

Kur jemi te fundit i vitit 2011, duhet theksuar se në dhjetor të vitit 2010 Thaçi kishte premtuar se pas pesëmbëdhjetë muajve qytetarët do të lëvizin pa viza, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, saga e liberalizimit ende nuk dihet se kur do të përfundojë.

Më 2011, 12 shtete e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa gjatë tërë kohës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, janë shtyrë si fëmijë se kush është meritor për këto njohje.

Drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku – i cili dhjetë vjet më vonë do të udhëheq me LDK-në – ka thënë se viti i ardhshëm 2012 do të jetë vit mjaft i vështirë për ekonominë e Kosovës. Ndërsa, Thaçi ka thënë se “viti 2012 do të jetë vit i agjendës së Kosovës evropiane”.

Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2011, numri i banorëve të Kosovës është 1 739 825, përjashtuar këtu komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanin dhe pjesën veriore të Mitrovicës.

Pamje nga protestat e 21 janarit në Tiranë

Edhe në Shqipëri viti 2011 fillon me probleme mes Partisë Demokratike në pushtet (PD) dhe Partisë Socialiste në opozitë (PS). “S’mund ta pengojmë dot popullin ta marrë në dorë fatin e vet”, ka thënë kryetari socialist, Edi Rama. Ndërsa, Lulzim Basha nga PD, si ministër i Brendshëm u përgjigj: “Çdokush që shkel ligjin do të përballet me forcën e ligjit”. Shqipëria ballafaqohet me protesta. Pjesëmarrësit e protestës së Partisë Socialiste, më 21 janar arrijnë pranë Kryeministrisë. Synojnë të futen brenda, për çka nisin përplasjet. Policia për një moment tërhiqet, ndërsa në oborr rreshtohet Garda që përdori armët e zjarrit. Katër veta mbetën të vrarë e disa të tjerë të plagosur. “Akuzoj Lulzim Bashën si njeriun që duhet të përgjigjet përpara ligjit për shpërdorim detyre me pasojë vrasjen e tre njerëzve”, u shpreh Rama. Për ta qetësuar situatën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dërgojnë disa herë në Tiranë përfaqësuesit e tyre.

Skandal tjetër në Shqipëri ishte videoja e bisedës mes zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe Dritan Priftit – ministër i Ekonomisë në atë kohë, që të dy anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Në bisedë përmenden përqindjet apo shifra prej 700 mijë eurosh që, sipas Priftit, i ishin ofruar në këmbim të një licence hidrocentrali. Meta reagon me të qeshura ndaj kësaj videoje, duke thënë se janë shantazhe dhe se ajo shifër paraqet dëmin që i është krijuar kompanisë nga mohimi i licencës. Njëjtë shprehet edhe kryeministri Sali Berisha, duke thënë: “Material i trukuar dhe i trukuar në mënyrë diletanteske”. Ndërkohë, Prokuroria nis hetimet. Meta akuzohet për korrupsion aktiv dhe abuzim me detyrën. Për hetime angazhohen edhe dy ekspertë të huaj, sipas të cilëve videoja nuk ishte e manipuluar. Por, ky vlerësim, si pika e fortë e Prokurorisë, do të rrëzohet.

Pamje nga protestat në Sheshin Tahrir të Kajros

Viti 2011 është viti i të ashtuquajturës Pranvera Arabe. Në fillim të janarit, grupi Anonymous lanson sulmet DoS ndaj ueb-faqeve të qeverive të Sirisë, Tunizisë, Bahrejnit, Egjiptit, Libisë dhe Jordanisë. Më 14 janar, Qeverisja tuniziane bie pas një muaji protestash të dhunshme. Presidenti Zine El Abidine Ben Ali – pas 23 vjetëve në pushtet – arratiset në Arabinë Saudite. Më 11 shkurt nis revolucioni në Egjipt që pasoi me protesta masive në pjesë të ndryshme të vendit, gjë që solli ndryshim të pushtetit në Egjipt. Presidenti Hosni Mubarak arrestohet me dy bijtë e tij. Më 15 shkurt nis ajo që do të njihet si Lufta e Parë Civile e Libisë. Ndërsa, më 6 mars Lufta Civile në Siri. Lideri libian, Muammar Gaddafi, përmbyset nga pushteti në gusht të të njëjtit vit, kur kryengritësit futen në Tripoli. Në qytetin Sirte ai do ta gjejë vdekjen. Kontrollin në vend e merr Këshilli Kalimtar Kombëtar. Gaddafi sundoi për 42 në Libi, që nga viti 1969. Lufta Civile në Libi shkaktoi afro 200 mijë viktima. Por, në Siri vazhdon sundimi i Bashar al-Assadit, mania e të cilit për pushtet shkaktoi shkatërrime masive pothuajse në tërë vendin, 600 mijë viktima dhe gjashtë milionë refugjatë.

Gaddafi i arrestuar në Sirte, pak para ekzekutimit të tij

Më 2011, një tërmet me magnitutë 9.1 shkallë – që më pas shkaktoi cunami – goditi pjesën lindore të Japonisë duke vrarë 15 840 vetë dhe zhdukur afro katër mijë të tjerë. Cunami shkaktoi edhe katastrofën e centralit bërthamor të Fukushimës – aksidentin e dytë më të madh bërthamor, që nga katastrofa e Çernobilit më 1986. Nga Fukushima u evakuuan 154 mijë persona.

Pamje nga shpërthimi në Fukushima

Pas arrestimit të Goran Haxhiqit në prill, më 26 maj arrestohet edhe kreu i Ushtrisë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i cili më 2017 – nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (ICTY) – u shpall fajtor për kryerjen e krimeve të luftës, për krime kundër njerëzimit dhe për gjenocid.

Më 22 korrik, ekstremisti Anders Behring Breivik vret tetë persona me një shpërthim në Oslo, e pastaj 69 të tjerë në ishullin Utoya. Për këto krime ka thënë se ishte i frymëzuar nga serbët. Në “manifestin” e tij Breivik shprehet se donte të bëhej si serbët që luftuan bombardimet e NATO-s në vitin 1999, e cila luftë sipas tij ishte “kryqëzatë”. Në këtë “manifest” fjalën “Kosovë” ai e përmend 143 herë, ndërsa “serb” 341 herë. Nga serbët është frymëzuar edhe terroristi australian Brenton Tarrant, që vrau së paku 49 myslimanë në dy xhami në Zelandë të Re, më 15 mars 2018.

Më 1 maj 2011, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, deklaron se Osama bin Laden – lider i grupit militant Al-Qaeda – është vrarë gjatë një aksioni të Ushtrisë amerikane në Pakistan. Trupi i tij hidhet në det.

Në dhjetor, Kombet e Bashkuara zyrtarisht deklarojnë fundin e luftës në Irak, ndërsa Sudani Jugor e “zëvendëson” Kosovën si shteti më i ri në botë.

Pamje pas arrestimit të Breivikut

Në vitin 2011 nuk lind askush që vlen të përmendet. Por, këtë vit vdesin shumë emra të njohur: aktorja e famshme Elizabeth Taylor, këngëtarja Amy Winehouse dhe boksieri Joseph William Frazier. Po më 2011 vdes edhe lideri komunist i Koresë së Veriut, Kim Jong-il. Për këtë vdekje, i tërë populli qante (nga zori) deri në histeri. 10 vjet më vonë, për ta shënuar këtë “humbje”, Koreja e Veriut shpalli 11 ditë tjera zie gjatë të cilave banorët duhej të përmbaheshin nga pirja e alkoolit, nga pazari e madje edhe nga të qeshurat.

Koreanoveriorët duke vajtuar për njeriun që ua ka bërë jetën ferr

Më 2001 vdes edhe shkrimtari i famshëm argjentinas (me prejardhje arbëreshe), Ernesto Sabato. Sabato dikur ka thënë: “Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë …”. Në Kosovë e Shqipëri vdesin: shkrimtari e politikani Sabri Godo; dramaturgu Teki Dervishi; studiuesi e kritiku i teatrit, Adriatik Kallulli; djali i vetëm i Ahmet Zogut, Leka I; politikani komunist i Kosovës, Bahri Oruçi; si dhe lideri komunist i Shqipërisë që pas vdekjes së Enver Hoxhës, Ramiz Alia.

Më 2011 vdesin dy miq të Kosovës: dramaturgu, disidenti dhe presidenti i parë Çekosllovakisë demokratike (më vonë presidenti i parë i Çekisë), nobelisti i Paqes dhe heroi i Revolucionit të Kadifenjtë, Vaclav Havel, si dhe Otto von Habsburg – trashëgimtari i fronit perandorak të Austrisë. Më 2011 vdes edhe bashkëthemeluesi i gjigantit Apple, një nga më meritorët për zhvillimin teknologjik në botë në dekadat e fundit, Steve Jobs.

Bota më 2011 humbi shumë njerëz, por një ngjarje tërhoqi më shumë vëmendje: afro dy miliardë vetë, përmes ekraneve televizive e shikuan martesën e Princit William me Catherine Middletonin.

VITI 2021: MIRË, KEQ, MIRË, KEQ …

Turma e mbështetësve të Trumpit mësynë Kapitolin – ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Viti 2021 fillon me një ngjarje të bujshme në shtetin më të fuqishëm të botës – në ShBA-në. Më 6 janar, qindra mbështetës të Donald Trumpit sulmuan Kapitolin për të kundërshtuar zgjedhjen e Joe Bidenit si presidenti i ardhshëm i amerikanëve. Protestuesit u nxitën nga republikani Trump që pretendonte se vota ishte manipuluar. Dhuna në Kapitoll la katër të vdekur. Më shumë se 700 persona u akuzuan për pjesëmarrje në trazira. Por, më 20 janar Biden u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Një grua siriane duke ecur pranë një veture të parkuar afër ndërtesave të shkatërruara në Duma, në periferi të Damaskut

Më 2021 trazira kishte në Mianmar dhe në Etiopi. Tensione të mëdha ka edhe mes Ukrainës dhe Rusisë, pasi rusët kanë dërguar 90 mijë trupa pranë vijës kufitare me shtetin fqinj. Ndërkohë, presidenti sirian Bashar al-Assad merr 95.1 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në maj, për mandatin e katërt shtatëvjeçar. Fitorja e tij ishte e pritur kur dihet se çfarë ndodhi me rivalët e tij në 10 vjetët e fundit. Por, ngjarja më e bujshme kishte të bënte me tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Pas këtij largimi, për pak ditë pushtetin e rimarrin talebanët të cilët u përmbysën më 2001. Vendi prapë zhytet në kaos. Ndaj, shumë afganë mësyjnë Aeroportin e Kabulit apo kufijtë për t’u larguar nga vendi. Disa nga ta gjetën strehim edhe në Kosovë e në Shqipëri.

Protestuesi duke u mbajtur për këmishën e shokut të rënë, gjatë aksionit të forcave të sigurisë ndaj demonstratave kundër puçit ushtarak, më 14 mars në qytezën Hlaing Tarjar të Birmanisë

Pas shumë vitesh, më 2021 shënohet fundi i karrierës politike të dy politikanëve: Benyamin Netanyahut në Izrael dhe Angela Merkelit në Gjermani. Naftali Bennett, lideri i partisë së krahut të djathtë Yamina (E Djathta e Bashkuar), u betua si kryeministër i ri izraelit duke i dhënë fund sundimit 12-vjeçar të Netanyahut. Por, ky ndërrim pushteti nuk solli paqen pasi militantët e Hamasit hodhën breshëri raketash në Jerusalem, si reagim ndaj përleshjeve – që shpërthyen në xhaminë Al-Aksa – mes besimtarëve palestinezë dhe forcave të policisë izraelite. Pason reagimi izraelit me bombardime të rënda që shkaktuan shumë viktima mes civilëve palestinezë. Ndërsa, në Gjermani që u ballafaqua me shumë vërshime, socialdemokrati Olaf Scholz u bë kancelari i ri i vendit, duke i dhënë fund 16 viteve të pandërprera të sundimit të Merkelit. Më 14 shtator, në postin e kancelares Merkel e realizoi një vizitë në Shqipëri, ku takoi disa liderë të vendeve të Ballkanit.

Shtëllunga tymi dhe flakë pas një sulmi ajror të kryer nga Izraeli në Gazë më 18 maj.

Më 9 gusht të vitit 2021, Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike jep alarmin përmes publikimit të raportit që thotë se njerëzimi është përgjegjës për ngrohjen globale dhe se duhet të ndodhin ndryshime drastike nëse duam ta kufizojmë dëmin.

Teksa më 2021 nis vaksinimi masiv kudo në botë, shfaqen edhe dy versione të koronavirusit: Delta dhe Omicroni që detyruan shtetet anembanë botës të mos i ndryshojnë masat e kontrollit. Mbajtja e maskave, distancimi, vaksinimi, mbylljet dhe oraret për kufizim lëvizjesh mbeten ende në fuqi. Megjithatë, vaksinimi ka ulur shkallët e shtrimit në spitale si dhe të vdekjeve.

Një ngjarje tjetër me rëndësi ndërlidhet me kompaninë SpaceX të Elon Muskut që dërgoi 143 satelitë në hapësirë në janar. Njerëzit e pasur çdo herë e më shumë po i kushtojnë rëndësi eksplorimit të hapësirës. Krahas Muskut, kompanitë kryesore private që punojnë në këtë drejtim janë edhe Virgin Galactic e Richard Bransonit dhe Blue Origin e Jeff Bezosit që mundohen të ulin kostot e fluturimeve në hapësirë.

Një burrë vrapon për t’i ikur flakëve të zjarreve të ndezura për djegien e kufomave të viktimave të koronavirusit në një kremator në periferi të Nju-Delhit në Indi

Vitin 2021 e karakterizojnë disa tragjedi shqiptare: Më 25 korrik, dhjetë qytetarë të Kosovës humbën jetën dhe mbi 30 të tjerë u plagosën si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Sllavonski Brod të Kroacisë. Autobusi ishte nisur nga Gjermania drejt Kosovës. Më 9 shtator u kaplua nga zjarri spitali modular në Tetovë, ku trajtoheshin pacientë e prekur nga koronavirusi. Në këtë tragjedi humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Më 23 nëntor, një tjetër autobus pasagjerësh me targa të Maqedonisë së Veriut, i cili po kthehej nga Stambolli për në Shkup, merr flakë në perëndim të Sofjes të Bullgarisë. Me këtë rast humbin jetën 46 persona, përfshirë 12 fëmijë. Shtatë të tjerë mbetën të plagosur. Tre ditë më vonë, një shofer autobusi dhe dy nxënës të shkollës së mesme humbën jetën në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit, si pasojë e të shtënave.

Pamje të autobusit të djegur që po kthehej në Shkup

Maqedonia e Veriut dështon në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bullgaria mban qëndrimin se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur pjesën e saj të traktatit të miqësisë, për të cilën ranë dakord më 2017. Siç dihet, Bullgaria konteston gjuhën maqedonase dhe prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike. Pala bullgare thekson se “gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri në 2 gusht të vitit 1944 dhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit gjatë periudhës mes dy luftërave botërore”.

Më 21 janar, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive dhe banesave, ligj me të cilin u mundësua që vendi të zbatojë regjistrimin pas 19 vjetësh. Më 5 shtator filloi regjistrimi i cili zgjati deri më 30 shtator. Me këtë rast u regjistruan 1 832 696 banorë, 568 175 amvisëri dhe 837 255 banesa (duke përjashtuar 204 805 shtetas të vetëregjistruar në diasporë).

Më 11 nëntor opozita në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duhej të votohej iniciativa e opozitës për mosbesim ndaj qeverisë, por e njëjta dështoi për shkak se nuk kishte kuorum të mjaftueshëm, respektivisht nuk ishin 61 nga gjithsej 120 deputetë. Më 23 dhjetor, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe të qeverisë së tij, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe posti i kreut të partisë në pushtet, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), pas rezultateve të pafavorshme në zgjedhjet lokale.

Fshati Shuld në distriktin e Ahrvajlerit në Gjermani, i shkatërruar pas përmbytjeve të mëdha të 15 korrikut

Më 25 prill, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës. Partia në pushtet fitoi 74 mandate nga 140 deputetë sa ka Kuvendi i Shqipërisë. Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) fitoi 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) fitoi katër mandate dhe tri mandate i fitoi Partia Socialdemokrate (PSD). Më 10 shtator, Lindita Nikolla nga PS, u zgjodh kryetare e re e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa, tetë ditë më vonë betohet qeveria e re e Shqipërisë, e drejtuar nga Edi Rama.

Më 19 maj, Ambasada amerikane në Shqipëri njoftoi vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpalljen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, si person i papërshtatshëm për të hyrë në ShBA. Arsyetimi shkurtimisht ishte ky: Veprimet korruptive dhe minim i demokracisë në Shqipëri! Pas këtij vendimi, kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie, Berishën, vendim që shkaktoi përplasje të reja brenda PD-së. Berisha synon ta marrë sërish timon e PD-së.

Më 29 korrik, në Forumin Ekonomik Rajonal të mbajtur në Shkup, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisma e quajtur “mini-Shengen” u emërua zyrtarisht “Open Balkan” (Ballkani i hapur). Më 20 dhjetor, në Tiranë u mbajt protestë kundër vizitës së presidentit serb Vuçiq dhe kundër nismës “Ballkani i hapur”. Protesta u thirr nga Sali Berisha. Një ditë më vonë u mbajt takimi i radhës së kësaj nisme që kundërshtohet nga Kosova. U nënshkruan disa marrëveshja, për kinse kushtet për qasje të lirë në tregun e punës, për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor …

Shumë marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi u nënshkruan edhe më 26 nëntor, në Elbasan, ku u mbajt mbledhja e shtatë e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Si gjithmonë, mbetet pikëpyetje e madhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve.

Pamje nga takimi i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Elbasan

Ngjarja kryesore e fillimvitit 20021 për Kosovën ishte marrëveshja për marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin. Izraeli e njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Viti 2021 ishte viti i zgjedhjeve në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë në historinë e Kosovës që fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet Parlamentare. Pas fitores, Albin Kurti u zgjodh kryeministër i vendit, ndërsa Vjosa Osmani presidente. Kurti më parë ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij, por luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik. Mirëpo, tema e dialogut do të jetë e pashmangshme. Kurti e takoi më 16 qershor, në Bruksel, presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Por, ky takim nuk solli rezultate. Rezultate nuk solli as takimi i tyre i dytë më 19 korrik.

Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e përgjithshme, më 2021 LDK zgjedh për kryetar Lumir Abdixhikun, ndërsa PDK Memli Krasniqin

Në shtator, Kurti përcaktohet për reciprocitet sa i përket targave të veturave të Serbisë, gjë që shkaktoi tensione. Serbët lokalë sërish bllokuan rrugët, ndërsa Beogradi reagoi duke shprehur gatishmërinë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Më 27 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë. Duke folur rreth tensioneve të krijuara në veri të vendit, Rama tha se drejtësia qëndron në anën e Kosovës. Kosova e Serbia u morën vesh, më 29 shtator, për largimin e barrikadave nga ana e serbëve, për largimin e njësive të posaçme të policisë dhe që forcat e NATO-s të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë, derisa një grup punues të gjejë një zgjidhje të përhershme për përdorimin e targave. Ndërkohë u arrit marrëveshja që në mënyrë reciproke të mbulohen, me letra ngjitëse gjatë hyrje-daljeve Kosovë-Serbi, pjesët e targave ku figurojnë simbolet shtetërore.

Policia e Kosovës në veri të vendit

Qeveria Kurti gjatë vitit 2021 ka vendosur të mos e çojë para projektin për lidhjen me gazsjellësin që kalon nëpër Maqedoninë e Veriut, projekt ky i propozuar nga amerikanët, me arsyetimin se projekti nuk konsiderohej financiarisht i favorshëm dhe se ka risk të lartë për investim. Ky vendim është kritikuar nga opozita. Ndërkohë, në dhjetor vendi u fut në krizën e furnizimit me rrymë elektrike.

Më 17 tetor, në 38 komunat e Kosovës u mbajtën zgjedhjet lokale. Këto zgjedhje nuk ishin të favorshme për VV-në në pushtet. Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që ta rikthente qeverisjen e kryeqytetit. Vetëvendosje e humbi edhe në qytetin e dytë më të madh të vendit, në Prizren. Në këto zgjedhje Vetëvendosje i fitoi vetëm katër komuna (Gjilan, Podujevë, Kamenicë, Shtime); PDK në tetë komuna (Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Drenas, Skenderaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçanik); LDK po ashtu në tetë komuna (Prishtinë, Pejë, Lipjan, Istog, Viti, Fushë Kosovë, Dragash, Junik); AAK në pesë (Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec, Deçan). Nisma Socialdemokrate fiton në Malishevë e Xhafer Gashi në Obiliq.

Ekipi i Kosovës në “Tokyo 2021”

Viti 2021 ishte vit i xhudos së Kosovës. Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”; Majlinda Kelmendi (-52 kg) e Nora Gjakova (-57 kg) e fituan të bronztën. Më 16 prill, ekipi kosovar ka fituar dy medalje edhe në Kampionatin Evropian në xhudo, në Lisbonë të Portugalisë. Distria Krasniqi e Nora Gjakova sërish triumfojnë. Në Lisbonë shkëlqen edhe Akil Gjakova, si kampion evropian në kategorinë deri në 73 kilogramë. Ndërkaq, më 6 dhjetor, kampionia e artë olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, mbylli zyrtarisht karrierën e saj si sportiste aktive për të vazhduar si trajnere përkrah trajnerit të saj Driton Kuka.

Lajm tjetër me rëndësi është se filmi “Zgjoi” fitoi tri çmime në Festivalin prestigjioz të Filmit – “Sundance”. Filmi i Blerta Bashollit hyri edhe në garën e ngushtë për çmimin Oscar në kategorinë e Filmit më të Mirë të Huaj.

Më 17 dhjetor Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin e vitit 2022 prej dy miliardë e 748 milionë eurove. Ndërsa, më 20 dhjetor Kosova nënshkroi marrëveshje për t’ia dhënë Danimarkës me qira Qendrën e Paraburgimit në Gjilan që ka kapacitet për 300 të burgosur. Marrëveshja pritet të zbatohet nga viti 2023 dhe do të zgjasë 10 vjet gjatë të cilave Kosova pritet të fitojë 210 milionë euro.

Do të bëhet … mirë! /Telegrafi/

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… dhe 2014!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… dhe 2014!?
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015!?
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1916, 1926, 1936… 2016!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1916, 1926, 1936… 2016!?
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937… 2017!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937… 2017!?
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1918, 1928, 1938… 2018!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1918, 1928, 1938… 2018!?
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1919, 1929, 1939… 2019!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1919, 1929, 1939… 2019!?
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1920, 1930, 1940… 2020!?
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1920, 1930, 1940… 2020!?