LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015! (Foto/Video)

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015! (Foto/Video)

Në çdo festë të Vitit të Ri, është si traditë të bëhet një përmbledhje e ngjarjeve që kanë shënuar vitin që po lëmë pas. Derisa në përmbledhjen e vitit të kaluar - për shqiptarët nëpër dekada - u tha se çdo vit që përfundon me numrin katër ishte i keq po jo sikur ai që vjen me numrin pesë, atëherë viti 2016 mbase do të jetë shpresëdhënës! Më keq s’bëhet, apo jo?! E, se në çfarë momentesh kanë kaluar shqiptarët në vitet që kanë mbaruar me pesë, në 100 vitet e fundit, këtë mund ta lexoni në shkrimin e mëposhtëm të Telegrafit.

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… dhe 2014? (Foto/Video)
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… dhe 2014? (Foto/Video)


1915: SHQIPTARËT – TË PUSHTUAR E PIKË E PESË ME NJËRI-TJETRIN, SHQIPONJËN E QUAJNË SORRË, E MADJE SYNOJNË TA ZHBËJNË EDHE SHQIPËRINË E CUNGUAR…

Bota është në flakë, në një luftë masive që kurrë njerëzimi më parë nuk e kishte përjetuar. Pasi serbi Gavrilo Princip më 28 qershor 1914 vrau në Sarajevë trashëgimtarin e fronit perandorak austro-hungarez, Franz Ferdinand, nisi ajo që njihet Lufta e Parë Botërore.

Princip ishte pjesëtar i grupit terrorist serb “Dora e Zezë”, që udhëhiqej nga koloneli serb Dragutin Dimitrijeviq, i njohur me nofkën Apis. Ky i fundit ishte ai që në qershor të vitit 1903, në mënyrë mizore vret mbretin serb, gruan e tij, kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Serbisë.

Arçiduka Franz Ferdinand dhe gruaja e tij Sophia, në Sarajevë, ditën që do të vriten nga serbi Gavrilo Princip

Mbreti i deriatëhershëm serb, Aleksandër Obrenoviq, njihej më shumë për politikat e tij pro Austro-Hungarisë dhe pro Gjermanisë që po etablohej si fuqia më e madhe në Evropë. Ndërsa, Apisi donte që politika serbe të jetë e anuar si gjithmonë kah “nëna Rusi”. Kështu, me këtë atentat, më 1903 merr fund dinastia e Shtëpisë së Obrenoviqëve, ndërsa në pushtet – nga ekzili – vjen Shtëpia e Karagjorgjëve, në krye me Petrin e I-rë Karagjorgjeviq.

Karagjorgjët, sipas vet historianëve serbë, ishin me origjinë shqiptare. Këtë nuk e kishte mohuar as ky Petri. Por, në Betejën e Kumanovës (23-24 tetor 1912), gjatë Luftës së Parë Ballkanike, u thotë ushtarëve të tij: “Mos shpenzoni plumba për shqiptarët – vritini me stupc”!

Lufta e Parë Botërore zbërthen më së miri politikën serbe, që nuk ka ndryshuar deri në ditët e sotme: herë me Lindjen e herë me Perëndimin. Si sot, 100 vite më vonë: mes BE-së dhe Rusisë Ndërsa, qëllimi i tyre, që shprehet më së miri tek Atentati i Sarajevës, ishte krijimi i Serbisë së Madhe.

Serbia nga Lufta e Parë Botërore – që mori jetët e mbi 17 milionë njerëzve dhe 20 milionë të tjerë ishin të lënduar – doli fitimtarja më e madhe: pos që kishte pushtuar më parë Kosovën me Sanxhakun e Maqedoninë, ajo ia shtoi vetes Bosnjën dhe Hercegovinën, Vojvodinën, e madje shtetin e Malit të Zi (pasi e detyron të abdikojë mbretin Nikolla i I-rë Mirkov Petroviq Njegosh). Po ashtu, e futi nën kontroll Slloveninë dhe Kroacinë. Ndërsa, pas çdo lufte, ndonëse kanë bërë krime, Serbia gjithmonë e ka luajtur rolin e viktimës dhe del fitimtare.

Tërheqja e Ushtrisë serbe nëpër Dukagjin

Dëshmi për këtë është edhe një ngjarje që ndodhi 100 vite më vonë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, nën organizimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Ambasadës serbe në Tiranë, më 2015 hapet ekspozita për “humbjet e Ushtrisë serbe në tokat shqiptare më 1915”. Fjala është për atë që serbët e quajnë “Golgota shqiptare”, ku Ushtria serbe pëson humbje nga gjermanët, nga austriakët e nga bullgarët dhe kalon në Selanik përmes tokave shqiptare. Më 25 nëntor 1915, Ushtria serbe tërhiqet përmes Pejës, Gjakovës e Prizrenit për në Shkodër, e pjesa tjetër përmes Dibrës e Strugës për në Elbasan! Kudo që shkelën ata – në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Shqipëri – bënë masakra ndaj shqiptarëve. Por, fatkeqësisht, Auron Tare, drejtor i Agjencisë së sipërpërmendur, me këtë rast tha: “Historiografia serbe flet për rreth 200 mijë serbë të zhdukur në malet dhe moçalet shqiptare. Për shkak të humbjes masive të jetës, kjo tërheqje e Ushtrisë serbe nëpër Shqipëri konsiderohet si tragjedia më e madhe në historinë e kombit të tyre”. Për më keq, Tare e tha edhe këtë fjali: “Ekspozita organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore dhe ka të bëjë me një ngjarje historike shumë interesante dhe aspak e njohur nga publiku shqiptar”!

Tmerrin që kanë bërë serbët më 1915, e njohin shqiptarët – për dallim nga Tare. Madje, e njohin edhe këtë propagandë serbe që ai e quan “ngjarje historike shumë interesante”. P.sh. në Wikipedia serbët shkruajnë se në këtë tërheqje, “nga uria, të ftohtit, sëmundjet dhe luftimet me shqiptarët ranë mbi 240 mijë njerëz”! Tokat shqiptare kështu projektohen si varr masiv serb, e sipas mitit të Serbisë së Madhe – “ku ka varre serbe, ato janë toka serbe”! Nga kjo kohë lind edhe thënia e tyre e “famshme”: “Askush s’e di çka janë mundimet e mëdha, nëse nuk e ka kaluar Shqipërinë në këmbë”!

Ushtarët serbë duke luftuar me malësorët shqiptarë

Viti 1915 ka mundur të ngjallë pak shpresë tek shqiptarët, kur më 15 tetor Austro-Hungaria – perandoria që mbante anën e shqiptarëve – nisi të invadojë Serbinë. Mu për këtë, ky vit ka qenë më i rëndi për Serbinë. Por, diplomacia dinake serbe tash luan prapë rolin e ndërmjetëm: mes Boshtit Qendror (Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë) dhe Antantës. Kështu, më 1917, Apisi, si personi më i fuqishëm në Serbi, akuzohet për gjoja komplot kundër regjentit Aleksandri i I-rë Karagjorgjeviq (babanë e të cilit mu ai e solli në pushtet). Ai gjykohet dhe ekzekutohet, për t’u shfajësuar kështu Serbia para austro-hungarezëve se gjoja ky shtet nuk ishte i përzier në Atentatin e Sarajevës dhe se, për rrjedhojë, nuk ishte fajtore për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Serbia madje ia dërgon Shtatmadhorisë austro-hungareze tërë procesverbalet e gjykimit dhe të pushkatimit të Apisit – të vulosura dhe me dërgesë speciale. Këtë e bënin në kohën kur bota besonte se Boshti Qendror ishte i pamposhtur dhe fitues i Luftës. Pra, Serbia donte të ishte në anën e fituesit! Diplomaci se jo mahi, diçka që u mungon edhe sot shqiptarëve!

Në vitin 1915, tokat shqiptare ishin të copëtuara. E, ky vit identifikohet edhe me atë që njihet si Traktati i Fshehtë i Londrës, apo plani për të zhdukur edhe atë copë të Shqipërisë së cunguar nga harta e Evropës. Sipas këtij plani kriminal, që do të zhdukte qenësinë shqiptare, parashihej që edhe pjesa veriore e Shqipërisë së cunguar – që përfshin Malësinë në veri, Dibrën në Lindje, pjesën deri në qytetin e Lezhës në perëndim dhe deri te qyteti i Krujës – t’i jepet Serbisë dhe Malit të Zi. Po ashtu, parashihej që Serbisë t’i jepej e drejta të projektojë dhe ndërtojë linjën hekurudhore Danub-Adriatik. Traktati parashihte formimin e një Shteti Islamik Shqiptar, me një territor shumë të vogël të mbikëqyrur nga Italia. Italia po ashtu do të merrte territorin jugperëndimor që përfshin Vlorën dhe ishullin e Sazanit. Ndërsa, Greqia do të merrte pjesën jugore të Shqipërisë.

Ushtarët serbë nëpër Shqipëri

100 vite më vonë, Serbia po e realizon disi planin që përmes autostradës Nish-Merdare-Durrës të dalë në bregdetin shqiptar.

Në vitin 1915 shqiptarët janë si gjithmonë të përçarë. Vendi ishte në kaos total. Gjithçka lidhej me atë që nisi më 1914 si një kryengritje shqiptare kundër Princit gjerman Wilhem Wied, e që u shndërrua në tmerr, sepse shqiptarët si gjithnjë janë pikë e pesë e pa vizion. Në këtë kohë, shqiptarët – edhe pa ndihmën e atij Traktati të Londrës – për pak sa nuk e shkatërruan tërësisht veten.

Haxhi Qamili

Kryengritja kundër Wiedit – ndonëse tri të katërtat e popullatës të të gjitha besimeve e donte më 1914 një princ të krishterë – nis nga famëkeqi Esat Pashë Toptani, i cili më 1913 ia kishte dorëzuar Shkodrën Malit të Zi. Toptani argat e kishte Haxhi Qamilin, i cili me termet e sotme mund të cilësohet si një ekstremist e terrorist islamik. Qamili e urrente edhe flamurin kombëtar shqiptar, e madje shqiponjën dykrenëshe e quante sorrë.

Probleme të tilla me flamurin kombëtar kishte edhe në kohën e shpalljes së pavarësisë, në nëntor 1912. Ishte Isa Boletini ai që me ushtarët e tij nga Kosova i vetëdijesoi me dajak të gjithë ata që në Vlorë e kundërshtonin shqiponjën dykrenëshe dhe ngjyrat kuqezi, e që i sillnin kështu probleme edhe Ismail Qemalit.

Kosova sot, si shtet e si epiqendra e dikurshme e rezistencës dhe lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, ka simbole tjera dhe po ashtu ka kundërshtarë të flamurit të saj me hartën me gjashtë yje. Fatkeqësisht, kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, ka edhe individë që më shumë preferojnë gjysmëhënën se flamurin kombëtar, me arsyetimin se me të “Skënderbeu i krishterë ka vrarë myslimanët”!

Por, të kthehemi tek kryengritja që filloi më 1914 e që vazhdoi edhe më 1915. Atëherë shqiptarët e Shqipërisë, të bërë pikë e pesë për pushtet, luftojnë kundër atyre të Kosovës. Pse? Sepse ata nga Kosova, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini e Bajram Curri, ishin mbështetës të Wiedit, pra ishin vizionarë properëndimorë. Ndërsa, Esat Pasha e Haxhi Qamili ishin për kthimin e otomanëve, që ajo Shqipëri e cunguar të jetë pashallëk nën sundimin e tyre. Kështu, këta të fundit, më 3 qershor 1914, simbolet kombëtare shqiptare i zëvendësojnë me simbolet otomane, e më 1 shtator 1914 ky flamur i huaj ngrihet në Vlorë. Vendi ishte në kaos: vriten, burgosen dhe torturohen çdo ditë intelektualët, shqiptarët katolikë, tregtarët, civilët e pafajshëm, shkatërrohen shumë objekte kulti… Pra, historia shqiptare ka dëshmi të errëta të mungesës së tolerancës fetare, që përmendet shpesh si element pozitiv kombëtar. 100 vite më vonë, shkuarja e shqiptarëve për të luftuar krah ushtrive terroriste të Shtetit Islamik, fatkeqësisht vazhdon ta dëshmojë këtë.

Esat Pasha me ushtarakë të lartë serbë

Në Luftën e Parë Botërore, Turqia ishte pjesë e Boshtit Qendror. Por, kur Serbia futet në Shqipëri, Esat Pasha pozicionohet gjoja kah Antanta. Kështu, me serbët si pushtues, kryengritja merr fund. Më 8 qershor 1915, Haxhi Qamili arrestohet në Shijak nga forcat serbe dhe me 16 gusht 1915 varet bashkë me 40 fshatarë të tjerë.

Gjatë gjithë kohës së kryengritjes, Esat Pasha si kryeministër i vendit, mbante lidhje me Serbinë nga e cila merrte ndihma në para dhe armatime. Në këto kontakte Serbia ishte e interesuar më së shumti për shkatërrimin e veprimtarisë së shqiptarëve të Kosovës, në krye me Hasan Prishtinën. Faqezinjtë e tillë si Toptani, shqiptarët do të kenë gjithmonë në histori.

Shqiptarët i kishin llug punët kudo më 1915, por kjo nuk i ndaloi të merrnin pjesë në Luftën e Çanakkalasë, më 1915, kundër ushtrive angleze. Ndonëse me Çanakkalajën është fillimi i fundit të Perandorisë Osmane, që do të hapte rrugën për Luftën Çlirimtare dhe Republikën e Turqisë në krye me Kemal Ataturkun, 100 vite më vonë shqiptarët e duan Turqinë e nuk e dinë pse! Njëjtë si në vitin 1915. Ataturku në Çanakkala vinte themelet e një shteti laik që do të zhbënte edhe Kalifatin, e në Shqipëri Haxhi Qamili synonte Sheriatin!

Shqiptarët në Çanakkala

“Fatmirësisht”, dilemat u “zgjodhën” 100 vite më vonë, kur kryemami i Pejës, Enes Goga, i cili më 2014 ka qenë i arrestuar nga Policia i Kosovës si i dyshuar për propagandë të islamit radikal dhe terrorizëm, u deklarua properëndimor e tha se “ai që mendon se Kosovën duhet me bë Sheriat, ai nuk jeton në përputhje me realitetin”! Kjo është edhe një dëshmi se si shqiptarët lehtë ndërrojnë bindjet, nga një ekstrem tek tjetri!

Ngjarjet që shënuan botën më 1915 ndërlidhen edhe me të sotmen. Kështu, më 12 janar në SHBA realizohet telefonata e parë në distancë. Kontrolli i mjeteve të komunikimit sot është fuqi. Po në këtë vit lindi regjisori i madh Orson Welles, i cili me filmin e tij, më të madhin në historinë e kinematografisë, “Citizen Kane”, ilustroi po ashtu fuqinë e mediave.

Më 8 shkurt po në SHBA jepet premiera e filmit kontrovers “The BIrth of a Nation”, e regjisorit me nam D.W.Griffith. Ky film i paraqet pozitivisht ekstremistët e Ku Klux Klan-it tek mbrojnë të bardhët (pas Luftës Civile Amerikane) nga elementet e “errëta” të zezakëve – term ky sot përçmues e që zëvendësohet me njerëz me ngjyrë. 100 vite më vonë SHBA-të do të tronditen me lajmet e vrasjes së njerëzve me ngjyrë, pa pikë faji, nga forcat policore.

Më 11 prill jepet premiera e filmit “The Tramp”, e gjeniut Charlie Chaplin. Ndërsa, më 18 nëntor jepet premiera e filmit “Inspiration”, ku paraqitet tërësisht nudo Audrey Munson. Jeta e Munsonit është ndër më tragjiket. Ajo ishte muza që pozoi për skulptorët e njohur për realizimin e 50 statujave më të famshme edhe sot në New York. Por, një gënjeshtër e një paranojaku që vrau gruan e tij gjoja se ishte në lidhje me Munsonin, e bëri muzën më të madhe të artistëve të anatemohet e që 65 vite të jetës t’i kalojë në çmendi. Filmi i saj ishte kontrovers më 1915, por sot bota ka ndryshuar dhe nudo në filmat perceptohet ndryshe.

Më 24 prill Perandoria Otomane nisi gjenocidin kundër popullatës armene, një problem dhe njollë që Turqia sot nuk mund ta pastrojë. Por, ky shtet vazhdon që 100 vite ta mohojë. Po këtë vit, kjo perandori e humbi edhe Gadishullin Arabik, sepse për luftën kundër turqve, Perandoria Britanike e njohu pavarësinë e Mbretërisë Arabe.

Enver Hoxha shtrin duart e tij te Hysni Kapo (majtas) Mehmet Shehu. Në foton e bërë më 1979 shihet edhe Ramiz Alia, pak më larg tyre

Në vitin 1915 lindën dy komunistë shqiptarë: Hysni Kapo në Shqipëri dhe Hazir Haziri (Koka) në Kosovë që pakkush e hiq e njeh. Lindi po ashtu intelektuali Yzeir Ismaili, i cili ka kryer Fakultetin e Arkeologjisë në Grac të Austrisë e që u vra pikërisht nga kjo ideologji e keqe. Më 1915 lindi edhe Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy-Appony, gruaja e Ahmet Zogut që më vonë e shpall veten Mbret të Shqiptarëve, si dhe Mahir Domi – gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit.

Shkodra më 1912 ishte përballur me një nga betejat më të mëdha të Evropës së asaj kohe. Ky qytet ishte rrethuar nga forcat malazeze për afro 190 ditë. Rrethimi nisi më 8 tetor 1912, ndërsa zgjati deri tek dorëzimi nga Esat Pasha më 25 prill 1913. Por, me presionin e Austro-Hungarisë, malazezët detyrohen të tërhiqen dhe ta lëshojnë Shkodrën në duar të Komisionit Ndërkombëtar të Admiralëve. Më 13 qershor 1913, në kështjellën e qytetit lartësohet flamuri kombëtar shqiptar. E, qyteti mbetet në duar të ushtrive austriake, italiane, franceze, angleze e gjermane. Por, malazezët mësyjnë sërish më 1914. Në mbrojtje të qytetit shkon atdhetari e veprimtari i shquar i Rilindjes, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, Çerçiz Topulli. Ai arrestohet më 7 korrik në Fushën e Shtoit nga një togë malazeze dhe vritet. Trupi i tij zbulohet 20 vite më vonë. Në zhvarrimin e eshtrave të tyre mori pjesë edhe Enver Hoxha, i cili mbajti edhe një fjalë lamtumire në emër të gjirokastritëve.

Fjalimi i Hoxhës me rastin e rivarrimit të Topullit. Lartë është fotoja origjinale e poshtë falsifikimi që është bërë gjatë komunizmit. Manipulimi me të vërtetën nga Enver Hoxha ndodh që më 1945, kur p.sh. Tirana çlirohet me ndihmën amerikane dhe britanike, e Hoxha para popullit falënderon sovjetikët dhe jugosllavët.

Në vitin 1915 vdiq edhe një personalitet tjetër me peshë, Anton Xanoni, i cili tok me Ndre Mjedën ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare “Agimi”, që punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në letërsi, sidomos me një alfabetin e ri me shkronja latine. Xanoni po ashtu kishte qëndrim puritan në shkrimin e shqipes, prandaj ishte ithtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, nga turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe.

Çerçiz Topulli (djathtas)

Më 1915 lindi edhe ylli i muzikës botërore, Edith Piaf. 100 vite më vonë shqiptarët e kanë një yll me përmasa globale – Rita Orën.

Më 1915 përkohësisht pezullohet plani serb për shpërnguljen e tërësishme të shqiptarëve nga Kosova dhe zëvendësimin e tyre me kolonë serbë. Një vit më vonë formohet Republika (franceze) e Korçës, si krijesë për të ndaluar pushtimin grek. Por, ajo shuhet me tradhti dhe luftë të ultë për pushtet të shqiptarëve, që çojnë në vrasjen e patriotit Themistokli Gërmenji.

Themistokli Gërmenji

Po këtë vit ndodh e ashtuquajtura Ofensiva e Kosovës, që nis me 10 nëntor e mbaron më 4 dhjetor. Bullgarët mundin serbët, po për shqiptarët asgjë e mirë këtu, sepse një pushtues i keq zëvendësohet po ashtu me një pushtues tjetër të keq. Bullgarët pushtojnë shqiptarët edhe në Maqedoni e deri në Pogradec. Tash fillon “koha e bugarit”, e koha e shqiptarit është larg, shumë larg. Ndërsa, lakminë, tradhtinë e budallallëkun, do ta kenë përherë pranë edhe në 100 vitet e ardhshme.

Shqiptarët mbi urën e Ibrit (1915)

Kaçaniku (1915)

Prishtina (1915)

1925: ZOGU KTHEHET NGA JUGOSLLAVIA, NIS PËRNDJEKJA E KUNDËRSHTARËVE…

Në Shqipëri më nuk ka konflikte me baza fetare, sepse shqiptarët e besimit islam sunit, më 1923 ndërpresin lidhjet e fundit për bindje ndaj Perandorisë Osmane, duke u zotuar për besnikëri ndaj mëmëdheut. Një vit më vonë, më 24 dhjetor 1924, forcat e Ahmet Zogut futen në Tiranë, me ndihmën e Mbretërisë së Jugosllavisë ku Zogu kishte gjetur strehë.

Kabineti qeveritar i Xhaferr Ypit (1922): Spiro Koleka, Fan Noli, Haki Tatzati, Mehmet Konica (nuk ishte ministër), Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Hysen Vrioni dhe Kolë Thaçi. Më vonë këta do të bëhen copa e grimë!

Në pushtet erdhi kabineti qeveritar i Iljaz Vrionit. Vrioni ishte kryeministri i 13-të (nga 27 maji deri më 10 qershor 1924) dhe i 15-i (nga 24 dhjetori 1924 e deri më 5 janar 1925). Më 6 janar të vitit 1925, Ahmet Zogu formoi Qeverinë e re të kryesuar prej tij. Nga ky moment, Zogu do të jetë sundimtar absolut i Shqipërisë – deri me pushtimin italian më 1939.

Asambleja Kushtetuese, e zgjedhur në dhjetor të vitit 1923, i rifilloi punimet më 21 janar 1925. Ajo shpalli Shqipërinë për Republikë dhe më 31 janar e zgjodhi Zogun president, por që ushtronte edhe postin e kryeministrit.

Bajram Curri i vrarë

Me këtë rast, shumë kundërshtarë të Zogut migrojnë. Disa edhe vriten, si më 1925 Luigj Gurakuqi e Bajram Curri (dhe i nipi Hysni Curri nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”), që njiheshin si mbështetës të Fan Nolit. Ndërsa, Hasan Prishtina vritet më 1933. Për këto vrasje, ndonëse ka versione të ndryshme, thuhet se prapa qëndronte Ahmet Zogu.

E braktisur dhe e nëpërkëmbur nga Qeveria Zogu, vdiq në Fushë Krujë më 3 korrik 1927 edhe Shote Galica, gruaja e patriotit dhe luftëtarit të madh nga Kosova, Azem Galica.

Pra, shqiptarët e Kosovës në periudha të caktuara persekutohen nga Ahmet Zogu e më vonë edhe nga Enver Hoxha. 90 vjet më vonë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, më 28 nëntor 2015 thotë se “Bashkimi kombëtar nuk ka alternativë”. Por, është diskutabile nëse shqiptarët andej e këndej kufirit janë të interesuar për bashkim, përderisa interesat personale gjithmonë kanë mbizotëruar tek ato kolektive. Bile, Shqipëria me vite e anatemoi figurën e Hasan Prishtinës, duke mos ia dhënë vendin e merituar këtij patrioti, intelektuali e luftëtari të kauzës për pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Tek në vitin 2014, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e nderoi atë me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Më 18 tetor 1925 lindi në Shkodër komunisti Ramiz Alia, që sundoi Shqipërinë pas vdekjes së Enver Hoxhës, deri në rënien e diktaturës më 1991. Më 21 korrik 1925 në Temal të Shllakut lindi edhe shkrimtari e albanologu Martin Camaj, që u detyrua të ikte nga ky regjim në fillimisht në Pejë, pastaj në Beograd e Sarajevë ku jeton një kohë, e në fund në Romë.

Ramiz Alia

Më 1925 Benito Mussolini forcon pushtetin si diktator i Italisë, i cili do të punojë në drejtim të nënshtrimit ekonomik dhe pushtimit të Shqipërisë.

İsmet İnonu më 4 mars bëhet kryeministër i Turqisë, ndërsa inaugurimi i presidentit amerikan, Calvin Coolidge, transmetohet për herë të parë në radio.

Më 1 maj 1925 shkatërrohen mauzoletë në al-Baqi nga mbreti Ibn Saud (Lanati). Po këtë vit shkatërrohen edhe varret e personave të shenjtë në varrezën Mualla në Mekë, ku ishte varrosur gruaja e parë e profetit Muhamed, Hatixheja, gjyshi i tij dhe paraardhësit tjerë. Për këtë ka reaguar Komuniteti Ndërkombëtar Islamik, njëjtë siç reagohet sot, 90 vite më vonë, për krimet që po kryen Shteti Islamik jo vetëm ndaj njerëzve po edhe ndaj monumenteve historike me vlerë botërore.

Më 18 korrik Adolf Hitler publikon vëllimin e parë të manifestit të tij, “Mein Kampf” (Lufta ime). Mussolini dhe Hitler më vonë do të jenë shkaktarë të Luftës së Dytë Botërore.

Salih Gjuka

Më 28 tetor 1925, në Berat vdes pejani Salih Gjuka – jurist, mësues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndonëse ishte mbështetës i Fan Nolit, ai vdiq nga tuberkulozi.

Më 1925, shqiptari Osman Zymi hap një ndër studiot e para të fotografisë në Kosovë. Zymi sot nuk kujtohet vetëm për fotografi të qytetarëve të rëndomtë, por për fotografitë e shumë emrave të njohur në atë kohë, sidomos të patriotëve të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, anëtarët e Ballit Kombëtar etj.

Më 31 dhjetor 1925 Tirana bëhet kryeqyteti i Shqipërisë. Kosova e shumë troje tjera janë të pushtuara në ish-Jugosllavi. Madje, më 1929 Mbretëria e Jugosllavisë e copëton Kosovën në tri njësi administrative: Banovina e Zetës, Banovina e Moravës dhe Banovina e Vardarit.

Edhe më 1925 vazhdon kolonizimi i Kosovës vazhdon, e po ashtu shpërnguljet për Turqi si dhe torturimi i shqiptarëve. Kështu, gazeta beogradase “Rad”, më 5 gusht 1925, shkruan: “Qe disa ditë shtëpitë shqiptare digjen në flakë. Është vështirë të dëgjosh britmën e fëmijëve dhe pleqve që keqtrajtohen dhe merren nëpërkëmbë me qëllim që të plaçkiten… Serbia ka formuar… një provincë me qytetarë të rendit të dytë. Atje kallen fshatra të tëra, vriten shumë njerëz, mizoritë janë të pakufishme. Askush më në këtë vend nuk ka turp. Si kanibal i fundit, pushteti predikon shfarosjen e një popullsie për shkak të urrejtjes fetare dhe nacionale. Askush nuk pyet se kush i shtyri ata njerëz të arratisen. Askush nuk do të shohë se duhet ndaluar policët dhe nëpunësit tanë, që janë fajtorë për gjakun që atje po derdhet që nga ‘çlirimi’. Mirëpo, po predikohen therje e gjakderdhje të reja. Fshatrat shqiptare ngjajnë në kasaphane të vërteta”!

Peja (1925)

1935: PSE?

Në Kosovë vazhdon kolonizimi me serbë e malazezë dhe shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Kështu, në këtë vit nënshkruhet një marrëveshje për dërgimin e 200 mijë shqiptarëve në Turqi. Ndërsa, në Shqipëri, saktësisht në Laprakë, përfundon ndërtimi i një aeroporti modern që më vonë do të quhet Aeroporti i Tiranës.

Në Shqipëri kryeministër ishte Pandeli Evangjeli. Po këtë vit në këtë post emërohet Mehdi Frashëri.

Xhafer Ypi, Iljaz Vrioni, Mehdi Frashëri dhe Ali Riza Kolonja

Diktatori italian Benito Mussolini veç fillon të shfaq projektet e tij ekspansioniste. Italia pushton Abisininë (Etiopinë), ndërsa Shqipëria do të lihet për vitin 1939. Në fakt, Shqipëria veç ishte futur nën kontrollin italian. Kjo dëshmohet edhe nga Konsulli britanik, Sir Andrew Rayan, i cili ka shkruar se lidhjet britanike po zëvendësohen me ato italiane.

Në vitet ’30 të shekullit bëhen shumë udhëpërshkrime për Shqipërinë dhe shqiptarët, që ende ishin jashtë rrjedhave moderne të kohës, duke jetuar sipas traditave të vjetra të imponuara sidomos nga varfëria. Shqiptarët e prapambetur kështu ishin atraksion për të huajt.

Në këtë vit botohet edhe një libër historik i Pashko Vasës, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, që vë në dukje se shqiptarët betoheshin për Diell, për Hënë, për Qiell, për dhe, në gur e për elementë të tjerë të natyrës, e jo për perëndi e shenjtorë të krishterimit e të islamizmit. Këtë e kishte vërejtur edhe baroni Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás, i cili thotë se shqiptarët i faleshin Diellit sipas besimit pagan dhe se nderimi i majave të maleve, i disa vendeve të larta në Shqipëri, ka të bëjë me kultin e Diellit. Bile, në zbukurimet e xhubletës së Malësisë së Madhe, në shtroje e gjëra të tjera të qëndisura në Malësi të Gjakovës, është i pranishëm motivi i Diellit në formë kryqi grepç (svastika), që konsiderohet si trashëgimi e shqiptarëve. Sot, sipas botëkuptimeve radikale të krishtera e islame kjo konsiderohet si herezi.


Shqiptarët, shpëtimtarë të hebrenjve

Në vitin 1935, për tre ditë qëndroi në Durrës, me pasaportë shqiptare, gjeniu Albert Einstein. Ditorja londineze, Jewish Daily Post, në korrik 1935 shkruan: “Ka kaluar një muaj qëkur diplomatët shqiptarë po zbatojnë urdhrin e Qeverisë së Mbretit Zog për të lëshuar sa më shumë pasaporta shqiptare për hebrenjtë që duan të shkojnë dhe të jetojnë në Shqipëri”. Dikush këtë fakt më vonë do ta mohojë autori Walter Isaacson.

Sidoqoftë, derisa në botë përndiqeshin hebrenjtë, shqiptarët i mbronin. Para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishin të regjistruar 200 hebrenj, por ky numër më 1945 do të arrijë në 2000, që është rasti i vetëm në Evropë që numri i tyre të rritet pas Holokaustit. Mu për këtë, sot ka teori që thonë se ishte pikërisht kjo ndihmesë që i shpëtoi shqiptarët e Kosovës më 1999 dhe se lufta për Kosovën u bë nga lobi i hebrenjve në SHBA.

Në një letër të shkruar në vitin 1965 nga prizrenasi Kristë Maloku (një ndër filozofët dhe kritikët e mendimit filozofik shqiptar), drejtuar Kazim Prodanit në Turqi, del që Kosova ta ketë pasur himnin e vet qysh në vitin 1935. Në këtë letër ndër të tjera thuhet: “Siç thash edhe më lartë une jam kosovar nacjonalist, kam qenë gjithë jetën t’ime kosovar patriot. E kam fituar më 1935 çmimin e parë të Hymnit Kosovar; kam qëndrim kosovar edhe para botës së jashtme me shkrime dhe konferenca përkatëse”.

Kristë Maloku, mes studentëve në Grac të Austrisë

Pas luftës së fundit në Kosovë, presidenti historik Ibrahim Rugova, propozon si himn shteti “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, me tekst të Thimi Mitkos. Sot, Himni i Kosovës nuk ka tekst, por vetëm vijë melodike.

Në vitin 1935, bëhet edhe një selfie. Në foton e vitit 1935 shihet një burrë nga Ontario i Kanadasë duke e kontrolluar aparatin për t’u fotografuar me qenin e tij. Ky trend do të shndërrohet pothuajse në mani e problem psikologjik 80 vite më vonë.

Më 14 prill ndodhë një stuhi që godet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të inspirojë baladat e ashtuquajtura “Dust Bowl”, që flasin për vitet e këqija të ’30-ta, nga Woodie Guthrie. Ky më vonë do të jetë inspirimi kryesor për legjendën Bob Dylan. Guthrie ka thënë për kitarën e tij: “Kjo armë vret fashizmin”! Ky e ka kënduar edhe këngën e famshme “This Land Is Your Land”! Por, në Ballkan kjo nuk ka kuptim sepse “toka e jonë është e jona”!

Faruza Kallaba, gjatë fluturimeve të vitit 1999

Më 11 janar, Amelia Earhart është pilotja e parë që fluturon nga Havai në Kaliforni. Pleqnari Tahir Berisha, në ato vite diku thotë se përparimi i shqiptarëve u vjen kur “gjyshja i thotë nipit ma blejë gazetën” dhe kur “femra shqiptare nget aeroplanin”. Faruza Kallaba gjatë luftës në Kosovë ishte pilotja e parë shqiptare e njohur botërisht, që në ajër furnizonte bombarduesit e NATO-s. Pastaj, pilote u bënë Valdete Mehgana, Desara Muriqi, Kristjana Martinaj… Pra, përparimi po vjen, sipas Tahir Berishës, apo jo? Mbase jo, sepse ai po ashtu ka thënë se selameti shqiptarëve u vjen “kur dimë sa s’dimë, kur duam sa s’duam”! E, kjo nuk është përmbushur akoma!

Adem Demaçi

Në vitin 1935 lindin shkrimtarët Adem Gajtani dhe Skënder Drini. Këtë vit Haki Stërmilli shkruan librin “Burgu”, ndërsa Sterjo Spasse veprën më të njohur të tij: “Pse?”! Kjo vepër e Spasses paraqet një si mit të parë urban shqiptar. Dikur thuhej se kush po e lexon këtë libër, po bën vetëvrasje! Personazhi i romanit, Gjon Zaveri, ishte viktimë e padrejtësive sociale të kohës, që nuk kanë të ndalur as sot në shoqëritë shqiptare. Ndaj, pjesë e diskurseve të zhgënjimit është edhe thënia e tij: “Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin/ Rrotullohet rreth qëllimit te Hiçit”!

Në vitin 1935, Gjermania naziste shkel dy herë Traktatin e Versajës të vitit 1919. Më 26 janar Adolf Hitleri urdhëron rikrijimin e forcave ajrore ndërsa më 21 maj forcat e bashkuara ushtarake, apo Wehrmacht. Bota po shkon drejtë luftës më të tmerrshme që ka parë ndonjëherë.

Në korrik 1935, lind veprimtari Adem Demaçi.

Peja (1935)

Struga (1935)

1945: VITI I REZISTENCËS, VITI I TRADHTISË DHE MASAKRAVE

Ky është një prej viteve më të rënda të historisë së shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve të mbetur në Jugosllavi. Në janar të këtij viti nis rezistenca e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës në Drenicë. Duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët”, ushtarët serbë (por edhe nga Shqipëria) vranë e masakruan mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Qëndresa e armatosur shqiptare, e tradhtuar edhe nga Shqipëria, nuk arriti t’i bëjë ballë forcave serbe: 44 fshatra u shkatërruan dhe disa mijë u vranë.

Mehmet Gradica

Më 21 shkurt vriten Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, të cilët i bashkoi ideali për shqiptari, përkundër dallimeve ideologjike që kishin. Ata vriten në Tërstenik të Drenicës. Në Tërstenik vritet edhe babai i shkrimtarit më të madh për fëmijë, Rifat Kukaj, si dhe shumë anëtarë tjerë të familjes Kukaj.

Gjatë muajve mars-prill 1945, ndodh edhe një e zezë tjetër për shqiptarët e Kosovës. Përmes rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë deportuar 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4.600 të tjerë u dërguan nga viset shqiptare të Maqedonisë. Numri i të vrarëve në Masakrën e Tivarit sillet prej 1700-4300.

Dilaver Goxhaj, do ta citojë nacionalistin antikomunist Hysen Tërpeza, t’i ketë thënë: “Sot unë po u tregoj një të vërtetë. Në emigracion kam qenë 54 vite dhe të paktën 54 intervista i kam bërë. Në të pesëdhjetekatër intervistat unë kam gënjyer vetëm në një pikë. Kur më thoshin se kush ma ka djegur shtëpinë, unë përgjigjesha se ma ka djegur shkjau. Por, sot po e them për herë të parë: shtëpinë ma dogjën partizanët e Enver Hoxhës. Ishin partizanët e Brigadës së Shefqet Peçit. Po e them këtu pas pesëdhjetë e katër vjetësh”.

Hysen Tërpeza

Por, çuditërisht, Enver Hoxhën ai e cilëson edhe nacionalist: “Kam qenë armiku i tij ideologjik, por nacionalist të madh si Enver Hoxha nuk gjen dot. Le të thonë çfarë të duan për të, i meriton të gjitha vlerësimet më të këqija, por për nacionalizmin e tij mendoj ndryshe”.

Shqiptarët e Kosovës ishin të vetëm. Me Konferencën e Bujanit kërkohej bashkimi me Shqipërinë, por kjo marrëveshje u shkel. Me Kushtetutën e Jugosllavisë Federative Popullore, Kosova me Rrafshin e Dukagjinit më vonë shpallet qark autonom i Republikës Popullore të Serbisë, kurse territoret e tjera shqiptare ndahen midis Republikës Popullore të Maqedonisë dhe Republikës Popullore të Malit të Zi. Në janar 1945, Qeveria e përkohshme e Shqipërisë pajtohet me këtë vendim të Jugosllavisë.

Milladin Popoviqi dhe Enver Hoxha

Por, populli nuk u gjunjëzua nga kjo tradhti. Sepse, më 13 mars 1945 vritet Milladin Popoviqi, nga patrioti Haki Taha. Kjo vrasje e preku thellë në shpirt Enver Hoxhën, por jo edhe motivi. Sepse, dëshmitarët e paktë të mbetur gjallë, kanë thënë se Hakiu e vrau Popoviqin meqë bashkëpunuar ngushtë me Enver Hoxhën dhe se e kishin shitur Kosovën.

Në Shqipëri fillon edhe e ashtuquajtura ndjekja e “kriminelëve të luftës” dhe “armiqve të popullit”. Në përndjekjet e tyre zinin vend edhe shumë shqiptar të Kosovës, patriotë të shquar.

Ekonomia nisë të nacionalizohet. Në gusht nisin reformat e para agrare në Shqipëri. Tokat ju merren pronarëve të pasur dhe ju jepen fshatarëve. Po ashtu nacionalizohet prona e objekteve fetare. E njëjta ndodh edhe në Kosovë. Në këtë vit fillon “vishaku” famëkeq, ku shqiptarëve të varfër miellin ua merrnin nga magjet.

Nga e majta në të djathtë (1943, Tiranë): Mulla Ilaz Spahija – Broja, Ilaz Agushi, Ferat Bej Draga dhe Bedri Pejani

Në vitin 1945 arrestohet dhe dënohet me vdekje Ibrahim Spahija (me pseudonimin Vullkan Dushku), që ishte pjesë e Rinisë Balliste e që bënte thirrje për rrënim të pushtetit popullor në Shqipëri dhe trojet shqiptare në ish-Jugosllavi. Babai i tij, atdhetari Mulla Ilaz Broja, anëtar i Komitetit Kosova dhe pjesëtar i Lëvizjes Kaçake në vitet ‘20, do të arrestohet dhe pushkatohet në shkurt të vitit 1946. Familja Spahija, si shumë familje tjera patriotike, do të detyrohet të shpërngulet më vonë me dhunë, nga Kosova për në Turqi. Por, ata të rrezikojnë e do të ndalen në Maqedoni, me shpresën se do të kthehen në Kosovë. I biri i Ibrahimit është Faruk Spahija, ish-kryetar i Mitrovicës, që do të ndërrojë jetë 70 vite më vonë, më 2005.

Se cila ishte fytyra e pushtetit serb, dëshmon rasti i Mulla Ilaz Brojës. Shërbimi famëkeq e dikton strehimin e tij në fshatin Leçinë, në shtëpinë e Sokol Imerit. Më 7 dhjetor 1945 rrethohet lagjja dhe shtëpia. Duke qenë i vetëdijshëm se po të rezistonin do ta pësonin gratë dhe fëmijët e fshatit, ai dorëzohet, por me dy kushte: të garantohet dorëzimi në organet gjyqësore dhe t’i garantohet jeta e të zotit të shtëpisë ku strehohej. OZNA i dha këto premtime, por nuk e mbajti fjalën, meqë ekzekutojnë para familjarëve Sokol Imerin.

Ushtarë të Brigadës së Shaban Polluzhës

Broja do të ekzekutohet më 8 shkurt 1946. Para ekzekutimit i tha këto fjalë: “Ju jeni të pabesë. Ne sikurse të gjithë shqiptarët tjerë, s’kemi çka presim tjetër prej jush, pos plumbit e thikës pas shpine. Po na vrisni, keni vra edhe shumë të tjerë para nesh, e do të vazhdoni edhe më vonë me krime. Por, mashtroheni se mund ta zhdukni këtë popull, se mund ta shtypni shpirtin liridashës të tij. Ne ua kemi lënë amanet brezave, sikurse të parët tanë që na lanë neve, që të mos kenë besë në sojin tuaj”!

Kufoma e Mulla Ilazit qëndroi për tre ditë në hajatin e xhamisë së Brojës, meqë OZNA nuk lejonte pa marrë leje nga ta. Por, populli nuk u gjunjëzua për njeriun që e donte, ndaj e përmbushën amanetin të varroset në oborrin e xhamisë ku shërbeu për 30 vite.

Më 1945 nga komunistët e Shqipërisë do të arrestohet edhe atdhetari tjetër i shquar, bashkëpunëtor i Brojës dhe patriotëve më të mëdhenj shqiptarë të pjesës së parë të shekullit XX: Bedri Pejani, nënshkruesi i Pavarësisë së Shqipërisë. Ai do të merret në pyetje nga Hysni Kapo, bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, ndër të rrallët që bashkë me Ramiz Alinë e Enver Hoxhën që vret tërë bashkëpunëtorët e tij, do të ketë vdekje natyrale.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”

Pejani vdes nga helmimi, më 6 korrik 1946, në Prizren, pasi organet e Shqipërisë e dorëzojnë tek jugosllavët. Në dëshminë e tij para komunistëve shqiptarë, ai ka thënë (daktilograf ishte Petro Marko, deklarata është botuar më 2000 në veprën ”Retë dhe gurët”): “Ju keni bërë një krim fatal jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ratë në grackën e Titos. Ai me Miladinët, me Vukmanoviç Tempot, dhe veçanërisht me udhëheqjen e Partisë suaj që e drejtojnë serbët, i dhatë fund pavarësisë sonë. Në mos vënçin dorë aleatët e mëdhenj, s’ka Shqipëri më, por një bijë të bindur të Federatës së Titos… Titoja nuk u bë do mareshal i gjithë Ballkanit, por u bë i Shqipërisë. E vërteta është se Stalini i kishte thënë që ta inkuadronte edhe Shqipërinë si republikë të shtatë, por Titoja i zgjuar nuk e pranoi, duke thënë se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se… janë xhelozë për pavarësinë e tyre. Këtë e tha, se po të bashkohej Shqipëria si republikë e shtatë, do të ishte republika më e madhe, më e pasur, më e fortë, se do të bashkohej edhe Kosova në këtë Republikë të shtatë… Tragjedinë e Kosovës e shkaktuam ne, se ishim servilë, frikacakë dhe shërbëtorë besnikë të Titos, i cili kishte këtu agjentët e tij të famshëm, Miladinin dhe Dushanin, të cilët krijuan një parti sipas planeve të tyre. Sot na vjen turp të themi se një popull me njerëz të zgjuar dhe patriotë i ra në gjunjë një Miladini, i cili e krijoi Partinë ashtu siç deshi vetë Titoja… U përpoqëm dhe krijuam Lidhjen e Dytë të Prizrenit, kryetar më caktuan mua. U bëra dhe prefekti i Pejës. Edhe i shkreti Emrush Myftari, luftëtar trim edhe në Spanjë, krijoi një çetë për të mbrojtur nga serbët dhe çetnikët popullin shqiptar. Madje ai erdhi në Shqipëri, me një thes plot me duar dhe koka të prera fëmijësh të vegjël shqiptarë. I solli në Tiranë dhe, në shtëpinë e Esat Dishnicës, thirri Enver Hoxhën dhe Nako Spirun; zbrazi thesin me koka e duar fëmijësh kosovarë dhe u tha: ‘Ja se ç’bëjnë druzhet tuaj që i mbanin në krahë’! Pastaj Emrushi doli në Tiranë, pa dy kryeçetnikë, i ndoqi dhe i vrau para Bankës Kombëtare… Hapni sytë e qëroni këlyshët e Titos, përndryshe nuk ka as Shqipëri e as Kosovë!”

Viti 1945 ishte viti që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Më 7 maj 1945, gjenerali Alfred Jodl nënshkruan kapitullimin, ndërsa Japonia këtë e bën më 15 gusht. Por, për shqiptarët, sidomos në ish-Jugosllavi, ditët e mira nuk vijnë. Kështu, veprës “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, nga Sabile Keçmezi Basha, gjatë viteve 1945-1990, shqiptarët në ish-Jugosllavi kaluan këtë kohë në burgje: 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj për Bashkimin Kombëtar! Ndërkaq, sipas Luan Malltezit, nga të dhënat e arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, rezulton se gjatë komunizmit u vranë 5157 njerëz dhe vdiqën në burgje 9052 të tjerë. U burgosën si të dënuar politikë 17.900 persona, u internuan me motive politike 30.383 të tjerë. Shqipëria e vogël kishte në ato vite 23 burgje dhe 48 kampe internimi!

Pushkatimet e partizanëve

Sabile Keçmezi-Basha thotë se në popullsinë e gjithmbarshme të ish-Jugosllavisë shqiptarët merrnin pjesë me afër 12 për qind, kurse me numrin e përgjithshëm të të dënuarve politik me mbi 90 për qind. Pushteti serbo-jugosllav 1ë më 1945 formoi shumë gjykata “popullore” në viset shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të zi, në krye të cilave ishin individë serbë e malazezë me qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve. Sipas Keçmezi-Bashës, nga viti 1945-1990, u dënuan me burgim të rëndë mbi 8220 persona. Vetëm në periudhën 1981-1990, u dënuan me burg 3348 veta që u janë shqiptuar 23770 vite burgim. 1000 të tjerë ishin dënuar me kundërvajtje apo 1.233 vjet burgim. Në këtë periudhë u dënuan edhe 1346 ushtarë shqiptarë, ndërsa 63 u vranë në kazermat ushtarake. Nga Policia, prej marsit 1981 deri në tetor 1989 u trajtuan 584373 shqiptarë.

1955: MBLEDHJA E ARMËVE, KOHA E RANKOVIQIT…

Shqipëria këtë vit bëhet anëtare themeluese e Paktit të Varshavës. Ndërsa, po të njëjtin vit pranohet edhe në OKB.

Në këtë vit në Kosovë organizohet i ashtuquajturi aksioni për mbledhjen e armëve, që pasohet me persekutime dhe ekzekutime të mijëra shqiptarëve dhe shpërnguljen tjetër masive të shqiptarëve në Turqi. Në këtë aksion, që njihet edhe si Koha e Rankoviqit, e pëson më së shumti Rrafshi i Dukagjinit. Në këtë proces thuhet se u hapën 22038 dosje kundër shqiptarëve, nga të cilat 240 ishin për personalitete të mirënjohura. Shumë shqiptarë torturohen, shumë vriten, shumë detyrohen të blejnë armë për të mbetur gjallë e për ta dorëzuar vetëm që familja të shpëtojë e vet të hanin burg.

Josip Broz Tito dhe Aleksandar Rankoviq

Metodat e maltretimit ishin të ndryshme gjatë këtij aksioni: çdo ditë janë thirrur në stacion të policisë, janë fyer, kërcënuar, flakaresha në vende publike e në zyra, mbajtja e tyre në vende të ftohta, qëndrimet në ujë të akullt, tortura me rrymë telefoni, qëndrim lakuriq në borë, rrahje deri në alivanosje e vrasje, detyrim vetëvrasje apo arratisje… Fatkeqësisht, në këtë tortura çnjerëzore merrnin pjesë shumë shqiptarë.

Nga ata që kërkuan shpëtim në Shqipëri, nga këto mizori, ishte rapsodi legjendar Dervish Shaqa, ai i cili pasi iku nga Kosova i shkroi këto vargje: “Moj Kosovë kur ta ktheva shpinën, e lash borë e gjeta dimër”! Sepse, situata nuk ishte e mirë as për shqiptarët në Shqipëri, meqë atje kishte punë të detyruar dhe punë “vullnetare” me nga 16 orë në ditë.

Sadik Selmani, Lukë Rroku e Dervish Shaqa

Planet për shpërnguljen e shqiptarëve nuk ndalen as këtë vit. Thuhet se gjatë viteve ’50-’60 në Turqi u shpërngulën në Turqi 283 mijë shqiptarë. Në anën tjetër në Kosovë vinin një numër i madh i serbëve dhe malazezëve, si nga territoret e afërta, ashtu edhe nga ato të largëta të Serbisë dhe të Malit të Zi, që punësoheshin menjëherë në organizatat dhe institucionet shtetërore, shoqërore, kulturore etj. Vlerësohet se në Kosovë prej vitit 1945 deri me 1965 janë vendosur 12300 familje sllave, ose rreth 64 mijë persona me prejardhje sllave.

Kjo kohë e errët, e njohura pra si Koha e Rankoviqit, përfundon në vitin 1966 me atë që njihet si Plenumi i IV-të i Brioneve, kur u kritikua ashpër shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë së asaj kohe, me pretekstin se ai kishte përgjuar edhe Titon.

Adem, Shaban dhe Hamëz Jashari

Më 24 shkurt 1955 u lind Steve Jobs, njeriu që do të bëjë revolucione teknologjik dhe shoqërore si themelues i firmës Macintosh. Ndërsa, më 28 nëntor 1955 u lind Heroi i Kosovës, Adem Jashari, i cili me familje nuk u gjunjëzua para terrorit policor e ushtarak serb, por u flijua për lirinë dhe mirëqenien e shqiptarëve të Kosovës.

1965: ASGJË E RE…

Shqipëria festonte 20 vjetorin e komunizmit. Këtë vit vdiq intelektuali Fan Noli, që konsiderohet edhe si socialist. Ndërsa, Ballkani, sidomos Kroacia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ishin kapluar nga vërshimet e mëdha.

Fan Noli

Ky vit paraqet 20 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 1961-1965, ditarët e luftës e ushtarakëve të lartë gjerman përpilohen nga historianët. E, në ata ditarë del se Hitleri kishte refuzuar kërkesën bullgare për territore shqiptare. Kjo e forcoi edhe më shumë bindjen se Heta, siç e quanin shqiptarët dikur Hitlerin, fortë i ka dashur shqiptarët.

Në këtë vit Kurt Waladheim përfaqësonte Austrinë në OKB. Për këtë njeri më vonë do dalin dëshmi se ishte nazist dhe në këtë lajm do të kyçet edhe një historian shqiptar, por si e pse, kjo ende saktë nuk dihet.

Shqiptarët, kudo që jetojnë, janë më të shkolluar se më parë. Por, janë edhe tradicionalë. P.sh. në një seri të fotografive të realizuara në Pejë nga artisti i madh i fotografisë, Henri Cartier-Bresson, Çarshia e Gjatë e Pejës është e mbushur me shqiptarë në veshje tradicionale: tirqi dhe lidhsemarhamë!

Shqipëria është ende anëtare e Paktit të Varshavës, nga ku do të largohet pas marshimit të trupave sovjetike në Çekosllovaki, në gusht të vitit 1968. Në këtë vit raportet me Rusinë ishin të acaruara, siç ishin që nga viti 1960, kur në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, Enveri e shan liderin e rus Nikita Khrushchev, e edhe ky i fundit Enverin, madje me nënë. Shqipëria tashti ishte kthyer kah kinezët. Nga kjo kohë lind shprehja “vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë”!

Në periudhën 1945-1965, në Kosovë dhe për Kosovën janë xhiruar 29 filma, 26 dokumentarë dhe tre filma artistikë! Por, asnjëri nuk përfaqësonte brengat reale të shqiptarëve. Shqiptarët ende ishin në Kohën e Rankoviqit.

Në vitin 1965, një 16-vjeçar me emrin Randy Gardner ia doli të rrinte zgjuar për 11 ditë e 24 minuta, në total për 264.4 orë resht. Ndërsa, historitë për UFO që nuk do të ndalen deri në ditët e sotme, nxisin edhe më 1965 kureshtjen e lexuesve.

Këtë vit, presidenti amerikan, Lyndon B. Johnson, jetësoi NEA-n (National Endowment for the Arts) – agjencinë e pavarur që mbështet projektet artistike. Ai atëherë tha: “Arti është trashëgimia më e çmuar e një kombi. Sepse, përmes veprave tona të artit shfaqim tek vetja jonë dhe tek të tjerët vizionin e brendshëm që na udhëzon si komb. E, aty ku nuk ka vizion, populli mbaron”!

Prizreni më 1965 (foto e bërë nga: Henri Cartier Bresson)

Shqiptarët në këtë vit krijojnë art të mirëfilltë, por gjithçka do të degjenerojë për të keq në vitet ’90 dhe pas çlirimit të Kosovës për çka, duke cituar Johnsonin, del se jemi “pa vizion” e se populli po “mbaron”!

Nga viti 1966, ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët, sepse bie nga pushteti Aleksandar Rankoviqi. Atëherë, sidomos pas hapjes së Universitetit të Prishtinës më 1970 e Kushtetutës së vitit 1974, gjërat nisin të normalizohen, për çka edhe sot tek disa shqiptarë të brezit të mesëm e të vjetër do të ketë nostalgji për sistemin komunist jugosllav (mbase faj për këtë ka edhe dështimi i elitës së sotme politike shqiptare).

Qendra e Prishtinës më 1965

 1975: SHQIPËRIA BËHET ME SEMAFOR

Në vitin 1975, një gazetar gjerman viziton Shqipërinë, nga ku bën një reportazh interesant për “Die Zelt”, pjesë të gjata të të cilit mund të lexoni më poshtë, të përkthyera nga Nexhmedin Gerguri.

Ishte kjo koha, kur secilit i binin në sy në Tiranë statujat e Stalinit dhe Leninit, ndërtesat e këqija dhe Komiteti Qendror me ngjyrë trëndafili, që nuk përputheshin me bulevardin e gjerë 38 metra, tërësisht i zbrazur, sepse në Shqipëri nuk kishte vetura në pronësi private.

Gjithçka ishte në gjendje gatishmërie, e madje edhe nxënësit, sepse shqiptarët vuanin shumë për Luftën e Vietnam të nxitur nga imperializmi amerikan “që ishte tigër prej letre”, ndaj slogani kryesor që vërejti gazetari ishte “Luftimi me vendosmëri i ndikimit të ideologjisë borgjeze”!

Radio “Iliria”

“Më naiven e të papajtueshmeve e hasa në një ekspozitë të madhe. Nën veprat e realizmit socialist varej një foto e madhe e një bariu shqiptar. Nën krah nuk mbante ndonjë qengj, por një radio të markës shqiptare ‘Iliria’. Kjo foto flet tërësisht mbi dallimin e komunistëve shqiptarë nga kmerët e kuq dhe mbi besimin e udhëheqjes shqiptare në artin naiv edhe në politikë”, shkruan ai.

“Kur ëndrra e krijimit të shtetit pas 500 vjet sundimi turk u bë realitet më 1912, shteti i ri u sulmua nga grekët, serbët, malazeztë, e u la në mëshirë të fatit nga Mbreti i saj Zog, që ia mbathi jashtë vendit, dhe nga Musolini u shndërrua në koloni. Shqiptarët, jo nga ideologjia, por nga përvojat e hidhura e bën superfuqinë më të largët, Kinën, aleatin e tyre më të afërt. Brenda 15 vjetësh, Pekini ofroi kredi qindramilionëshe pa kamatë. Sot kreditë janë pakësuar. Kina ka kërkuar nga Shqipëria intensifikimin e mëtejmë të përpjekjeve vetanake. Këto përpjekje nuk do t’i bien në sy turistit që vjen për herë të parë në Shqipëri. Lypsari nuk ka qëmoti, por standardi jetësor është ende i ulët; dritaret e dyqaneve janë ende gri dhe pa kolorit për shijen perëndimore. Tirana është i vetmi kryeqytet i Evropës ku dritat e neonit nuk përdoren për të reklamuar mallrat, por për t’i bërë reklama partisë”.

Tirana e vitit 1975

“Atyre që kanë qenë disa herë në Shqipëri u bie në sy bumi ndërtimor në tërë vendin. Aty ku para disa vitesh kishte kasolle të shkatërruara apo tokë baltaçake, janë ndërtuar blloqe katër-pesëkatëshe banimi. Shumica prej tyre janë ndërtuar pa ekskavator dhe pa vinç dhe hërpërhë janë të palyera e pa hapësira të gjelbëruara. Ato nuk kanë as ngrohje me gaz apo ngrohje qendrore. Në ballkone – pranë antenës së televizorit – qëndrojnë deri në pranverë të paluara drutë për ngrohje: një metër kub në muaj për familje. Por, kjo konjukturë e ndërtimit pa lyerje ka ngritur pallate për ata të cilët vijnë nga kasollet e vobekta piktoreske të Shqipërisë së vjetër. Në Sheshin Skënderbeu, në nyjën e Tiranës, është ngritur nga pjesët e gatshme ndërtesa më e lartë e kryeqytetit – një hotel 15-katësh për turistë, i cili do të inaugurohet në fund të vitit 1976. Qiratë e banesave u janë përshtatur të ardhurave minimale. Tatime nuk ka. Punëtori mund ta paguajë qiranë e banimit me të ardhurat e një dite e gjysmë. Po aq i duhet të punojë edhe për blerjen e dy kilogramëve djathë të deles apo të mishit të lopës. Paga e mësuesit apo e inxhinierit është vetëm për një të gjashtën më e lartë sesa ajo e punëtorit. Për një të tretën më të larta janë rrogat e shkrimtarëve, skulptorëve apo piktorëve të cilët të ardhurat e tyre i marrin nga shteti. Furnizimi me gjëra ushqimore, me pemë dhe me mish, ka shënuar përparime të dukshme. Në kapërcyell të vitit, Shqipëria për herë të parë pas luftës importoi banane nga Bahama. Frigoriferë të thjeshtë (nga Anglia) kushtojnë shtatë rroga mesatare mujore – pothuajse po aq të shtrenjtë janë edhe televizorët. Prej tyre ekzistojnë tri lloje, të cilët montohen nga pjesët e importuara në qytetit portual, në Durrës, dhe në Universitetin e Tiranës, si pjesë përbërëse e studimit. Automjete guxojnë të kenë vetëm autoritetet”.

“Fabrika” e televizorëve dhe radiove në Durrës

Në këtë vit është montuar edhe semafori i parë në Shqipëri, në Durrës, ndërsa deviza e Enver Hoxhës ishte se Shqipëria kurrë nuk do të bëhet një republikë e Coca-Cola-s.

Në vitin 1967 Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë i shpallur si shtet ateist. Ndaj, gazetari gjerman vëren se si mbi 2000 xhami e kisha janë shkatërruar e shndërruar në stalla lopësh. Por, siç u pa edhe më lart, gazetari nuk sheh gjithçka zi.

Marshon…

“Ata u shkëputën nga të gjitha traditat. Por, cilat ishin ato para vitit 1945? Gjakmarrje; tri religjionet e vendit si pika peshkimi të interesave të huaja; vetëm çdo i njëzeti që shkonte në shkollë; vetëm gjashtë për qind e të gjitha grave që dinin të lexonin; Burri mund ta lidhte gruan, sepse kështu thoshte tradita e kultivuar ende vetëm disa dekada më parë. Krahasuar me traditat, zor të ketë bërë ndonjë vend përparime më shumë sa i përket emancipimit të gruas: nga numri i gjithmbarshëm i studentëve që është 37 për qind e deri tek metalurget e Metalurgjikut të Elbasanit, të cilat, si edhe të gjitha gratë e tjera të vendit, paguhen njësoj si kolegët e tyre meshkuj. Nënat punëtore mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre disa muaj pas lindjes në çerdhet e ndërmarrjeve. Aty nënat mund t’ju japin gji foshnjave të tyre çdo dy orë dhe atë deri në moshën nëntëmuajshe. Në kopshte janë mesatarisht dhjetë edukatore për 150 fëmijë të ndarë kryesisht në pesë grupe sipas moshës. Më të vegjlit mësojnë herët tregime dhe këngë për Enver Hoxhën dhe Partinë dhe i vizitojnë ndërmarrjet, ashtu siç ju bëjnë vizita kopshteve edhe punëtorët. Edhe pushkën nga druri e ka çdo fëmijë në dollap. Në shkolla, edukimi praktik dhe ushtarak është i obligueshëm. Edhe vajzat dinë ta përdorin pushkën, t’i zdrugojnë filetat dhe t’i thonë parimet kryesore të Partisë. Këto parime nxënësit i mësojnë edhe në anglisht, e cila është gjuha kryesore e huaj para rusishtes dhe frëngjishtes. Ora e anglishtes, të cilën e vizitova në Korçën në jug të vendit, filloi me tregimin social-kritik të migrimit të Jack London-it, ‘The Jungle’. Pastaj mësuesja e re pyeti se çmësojmë nga kjo? Përgjigjet në një anglishte relativisht të pranueshme: ‘Njerëzit në Amerikë jetojnë si kafshët e egra në xhungël… SHBA-të janë vende të bosëve dhe të imperializmit’. Një pyetje tjetër: Dhe çka mund të thuhet sot për Shqipërinë? Përgjigjja: ‘Shqipëri sot është socialiste dhe ka shtëpi dhe kopshte të bukura… në fund do ngadhënjejmë mbi të gjithë’”.

Gazetari përshkruan lidhjen Shqipëri-Kinë, që është vetëm për unitetin anti-BRSS, sepse siç ka thënë Enver Hoxha: “Udhëheqësit sovjetikë duan të na puthin tri herë, siç është zakon në kishat ruse, për të na dërguar te Krishti në qiell, por ne nuk do të pajtohemi asnjëherë me ta”!

Emo, lavdi…

Por, Kina është më e matur se Shqipëria, sepse ata nuk e shajnë Amerikën, as NATO-n, as kapitalizmin e Evropës perëndimore. Në këtë vit madje Gjermania kërkon t’i rregullojë marrëdhëniet me Shqipërinë, por Shqipëria nuk pranon, sepse kërkon dëmshpërblime lufte në vlerë prej miliarda markave. Kjo ndodhte sepse Enver Hoxha i druhej hapjes.

Këtë vit, ishte një hapje e vogël e Shqipërisë ndaj Kosovës, sepse kishte shkëmbime mes artistëve dhe intelektualëve të të dy vendeve. Por, edhe shqiptarët e Kosovës shiheshin me dyshim nga Shqipëria, gjë që është dëshmuar tash vonë me dosjet që dolën në shesh, prej 25-faqeve, të hartuara nga shoqëruesit Odhise Grillo dhe Hamit Boriçi, për udhëtimin 12-ditor të shkrimtarëve Rifat Kukaj, Vehbi Kikaj, Maksut Shehu, Qamil Batalli dhe Agim Deva.

Më 1975, lindi nipi i Enver Hoxhës, Ermali, që më vonë do të arrestohet për krime të ndryshme. Kur lindi Ermali, Enveri kishte thënë: “Nipi do të bëhet dragua”! Madje, ai kishte shkruar edhe një poezi për nipin, të cilën i thotë gruas së tij Nexhmijes ta lexojë teksa pi çaj: “Letrën tënde unë e mora/ Me një etje e këndova/ Çka më shkruaje e mësova/ Me sy hapët ëndërroja/ Te Teuta edhe te djali/ Se aq shumë më mori malli/ Desh Ermali që të vinte/ Të vinte të më pushtonte/ Sa shumë do më gëzonte/ Lum si ne, Nexhmija ime/ Jeta mbushet me gëzime/ Këndon Valbona kristali/ Mrekulli ia kthen Ermali/ Gjyshe, gjysh, shumë ju duam/ Pse në lumenj e në male/ Ku atje juve luftuat/ U njohtë dhe u dashuruat/ Ne atje kemi burimë/ Mëmëdhe kemi Shqipërinë”.

Gjyshi Enver, pranë nipit Ermal…

Në këto vite, amerikanët në një mënyrë parashikojnë fundin e Jugosllavisë, e kjo vërehet nga kabllogramet e ambasadave amerikane, ku shfaqej brenga për shëndetin e Titos, liderit jugosllav, i cili ishte i vetmi që mund të mbante unikë popujt e përçarë të Jugosllavisë. Tito vdes më 1980 dhe menjëherë pas vdekjes, me demonstratat në Kosovë të vitit 1981, do të nis shpërbërja e këtij shteti. Intrigat antishqiptare shpërthejnë edhe më 1979, kur Tito për herë të fundit vjen në Kosovë, e ku përflitej se shqiptarët gjoja po përgatisin atentat ndaj tij.

Shqiptarët e Kosovës, më në fund po përjetonin ditë të mira. Sepse, një vit më herët do të miratohet ajo që njihet si Kushtetuta e ’74-ës. Kosova ishte njësi e barabartë e Federatës jugosllave. Në këtë vit, shqiptarët e Kosovës do të kënaqen me shfaqjen që e bëri Ansambli i Korçës, por ishin të lumtur që Tito dhe Jovanka ishin për vizitë në Kosovë.

Tito dhe Jovanka në Kosovë

Më 20 dhjetor, me ligj të veçantë të Kuvendit të Kosovës, themelohet Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. 40 vite më vonë, do të vdesin shumë akademikë: Esat Stavileci, Engjëll Berisha, Mark Krasniqi, Aleksandër Stipçeviq (anëtar korrespondent) dhe Pajazit Nushi.

1985: VDEKJA E XHAXHIT ENVER DHE SHISHJA E GJORGJE MARTINOVIQIT

Më 11 prill, të burgosurit e Spaçit në Shqipëri, janë të lumtur. Ata shpërthyen në britma dhe duke u hedhur si njerëz të lirë. Gjithçka kishte të bënte me lajmin për vdekjen e Enver Hoxhës. Por, këtë gëzim ata e paguan këtë me 20 ditë izolim.

Nexhmije Hoxha, pranë trupit të pa jetë të Enver Hoxhës

Pra, vdiq Enver Hoxha, njeriu që për 40 vite sundoi Shqipërinë. Andej e këndej kufiri, shqiptarët vuanin. Ky emër ishte një paradoks në vete: po ta lëvdonin në Kosovë shqiptarët hanin burg, po ta shanin në Shqipëri po ashtu shqiptarët do të hanin burg.

Varrimi i Enver Hoxhës

Rreth Enverit ka shumë mendime: disa e cilësojnë njeriu më të keq shqiptar në histori, e disa si burrshtetasin më të madh. Enveri ka shumë të këqija, po ka edhe të mira. Mirëpo, fatkeqësia është se ende nuk ka një studim që do të vë në pah një pasqyrë reale për të, pa anime, por të bazuar në fakte dhe kontekstet historike.

Njeriu më i fortë në Shqipëri, si Sekretar i Parë i PPSH-së, bëhet Ramiz Alia. Këtë vit ndërpritet ndërpritet procesi i bunkerizimit, por Shqipëria vazhdon të mbetet e izoluar, pa çka që nëna e stalinizmit, BRSS, përmes Mikhail Gorbachevit po niste reforma të reja. Shqipëria edhe këtë vit humb një shans të mirë nga gjermanët, duke zgjedhur “forcat vetanake”!

Shqiptarët në Kosovë, që nga viti 1981 jetonin me frikë të shtuar nga represaliet serbe. Nga ky vit ringjallen planet e Serbisë për të sunduar vrazhdë me Kosovën. Këtë ata nisin ta bëjnë me propagandë antishqiptare. P.sh. autori Dimitrije Bogdanoviq me veprën “Libri për Kosovën” thotë se vendosja e shqiptarëve në tokat serbe “nga shekulli XVII” ka lënë “gjurmë të përgjakshme të dhunës në ndërgjegjen historike të popullit serb”. Ai trillon për shtypjen individuale, plaçkitjen, masakrat dhe “dëbimin e serbëve nga toka e tyre”!

Avokati Velimir Cvetiq dhe Gjorgje Martinoviqi

Në linjë me këtë është edhe rasti morbid, i njohur si Rasti Martinoviq. Fjala është për një homoseksual serb, nga Livoqi i Gjilanit, i cili gjatë aktit të onanizmit i ngulet shishja e xhamit në prapanicë. Meqë i frikësohej gruas, ai fajëson shqiptarët, por kot, sepse e vërteta del në pah gjatë ekspertizës së policëve dhe mjekëve. Fatkeqësisht, në krahun e tij del propaganda shtetërore serbe, me gënjeshtrën se ai është torturuar nga shqiptarët. Në fakt, rasti i tij ishte veç një pretekst për ndryshimet kushtetuese që serbët të kenë rol dominant në Jugosllavi dhe që t’i gjunjëzojnë shqiptarët si më herët, para Kushtetutës së vitit 1974. Kjo vërehet një vit më vonë kur 200 gjoja intelektualë serbë nënshkruajnë peticionin se Jugosllavia ka bërë “tradhti kombëtare” me politikën ndaj Kosovës. Në këtë peticion thuhet se “Shqipërisë ngadalë po i jepet Kosova” gjë që do të rezultojnë në “gjenocide” ndaj serbëve.

Më 1986 publikohet edhe Memorandumi i Akademisë Serbe për Kosovën, të cilën e mbështeti Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Jetësimi i këtij Memorandumi del në pah më 1987, pas vizitës së Millosheviqit në Fushë Kosovë, që është momenti kryesor i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe i tmerrit që do të pësojnë kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët në luftërat e shkaktuara nga serbët në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Ditët më të këqija po vinin për shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi…

Ja çfarë lajmesh jepte RTSH gjatë komunizmit

Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Enver Hoxha mban fjalim në Kongresin e 8-të të PPSH-së!

Kur Enver Hoxha kërcënonte Greqinë: Uleni bishtin, se ju ndëshkojmë rënd!

Shqipëria e Enver Hoxhës

1995: DEJTONI, REZISTENCA NDRYSHE…

Në maj Ushtria italiane merr masa për të kufizuar emigracionin e shqiptarëve në këtë vend. Në qershor dënohet edhe Ilir Hoxha, i biri i Enverit, për gjoja urrejtje nacionale kundër liderëve të PD-së. Në korrik, Shqipëria pranohet në Këshillin e Evropës. Ndërsa, në nëntor reduktohet dënimi i Fatos Nanos në katër vite burg.

Shqipëria kishte disa vite në “demokraci”, por demokraci e rend nuk kishte në vend. Kështu, në këtë vit, në rrethana të mistershme zhduket në mënyrë misterioze Remzi Hoxha. Ndonëse kanë kaluar 20 vite nga ky rrëmbim, e vërteta nuk është zbuluar e as trupi i tij nuk është gjetur.

Po ashtu, dyshohet se më 1995 Sali Berisha ka takuar në Tiranë terroristin famëkeq, Osama Bin Laden.

Në Kosovë shqiptarët ishin rreshtuar krah Ibrahim Rugovës dhe lëvizjes së tij paqësore që e proklamonte përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, më 1994 ishte formuar edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe grupet e atëhershme ilegale veç kishin nisur të planifikonin rezistencë të armatosur. Për këtë qëllim, në këtë vit Bahri Fazliu takon Hydajet Hysenin që ishte nënkryetar LDK-së. Hyseni, si një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, perceptohej i afërt me ilegalen dhe si person i duhur për bashkim të grupeve të ndryshme të rezistencës antiserbe. Por, takimi nuk rezulton siç donte, e nga ky takim del një poezi zhgënjimi. Siç dihet, Bahri Fazliu vritet më 7 maj 1998, katër ditë pas arritjes së marrëveshjes mes LKÇK-së dhe UÇK-së për rezistencë të armatosur kundër Serbisë. Ai vritet në Bogiqe të Malit të Zi, në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi.

Në një dokument të Departamentit të Shtetit, në shkurt 1995, nënvizohet se një luftë në Kosovë mund të shtrihet në Shqipëri dhe Maqedoni. SHBA-të shprehin shqetësimin e tyre për lëvizjet e Bujar Bukoshit, kryeministrit në ekzil, si dhe mundësisë së ndezjes së një lufte me përmasa të mëdha gjakderdhjeje në Kosovë që do të mund të shtrihej në Maqedoni e në Shqipëri. Në këtë vit Qeveria amerikane shprehet kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa thekson si zgjidhje kthimin e autonomisë.

Pamje nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit

Por, lufta do të dalë të jetë e pashmangshme, pasi këtë vit do të nënshkruhet edhe Marrëveshja e Dejtonit që i jep fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo marrëveshje dobëson pozicionin e Rugovës (i cili më 1995 fiton Çmimin për Paqe të Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë), meqë askund nuk përmendet Kosova, për çka rezistenca e armatosur nis të shihet si alternativë e rezistencës paqësore të Ibrahim Rugovës. Sulmet e armatosura kundër stacioneve policore serbe me marrje të përgjegjësisë do të ndodhin më 1996, ndërsa më 1997 edhe paraqitja e parë publike e UÇK-së.

Në korrik 1995, Gjykata serbe dënon 68 shqiptarë të Kosovës, të akuzuar se kanë krijuar një forcë policore paralele, të afërt me Bukoshin.

Dokumentari “Tri ditë para fillimit”

Më 1995 ndodhin dy ngjarje me peshë të madhe në Ballkan: Masakra e Srebernicës në korrik (që shtyn presidentin amerikan Bill Clinton të marrë masa me sulme ajrore kundër caqeve serbe në Bosnje dhe Hercegovinë), ku masakrohen tetëmijë myslimanë, si dhe operacioni “Stuhia” më 4-7 gusht, gjatë të cilit munden serbët në Kroaci.

Pas mundjes së serbëve në Kroaci, vazhdon kolonizimi me refugjatë nga Krajina. 10 mijë serbë vendosen, ndërsa në fund të vitit 1995 merret vendimi edhe për 20 mijë të tjerë. Në të njëjtën kohë, veç ndodhte ikja e të rinjve shqiptarë, drejtë vendeve të Perëndimit, për shkak të situatës së pashpresë në Kosovë.

Vendosja e refugjatëve serbë në Kosovë

Në Kosovë Miss zgjidhet Blerta Syla, e në Shqipëri Hygerta Sako. Shqiptarët kudo që janë, janë të kapluar nga shundi dhe kiçi. Nëpër ballkone ata kanë antena satelitore, e në dhoma të ndejës koleksione të video-kasetave nga produksionet kot vendore. Në anën tjetër, në Perëndim shqiptarët vuanin, e këto vuajtje dinin t’i materializonte estrada e Kosovës.

Më 7 prill nis Lufta e Parë Çeçene. Më 24 gusht, Microsoft lanson sistemin operativ “Windows 1995”. E, më 3 tetor për vrasje të dyfishtë shpallet i pafajshëm OJ Simpson, në një prej gjykimeve më kontroverse në historinë amerikane. Bota më 1995 kishte 5,67 miliardë banorë.

 2005: DREJTË NEGOCIATAVE…

Kryeadministrator i Kosovës është danezi Soren Jessen-Petersen. Më 24 janar 2005, Grupi Ndërkombëtar i Krizave publikon raportin “Kosovo: Toward Final Status”, ku konkludohet se pavarësia është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Në nëntor 2005 fillon zyrtarisht procesi për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Këtë vit, slogani “Nano ik” bëhet realitet, sepse në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, të mbajtura më 3 korrik, fiton Partia Demokratike e Sali Berishës. Dhe, pas fitores Salua tha: “Epo, iku, iku Nano”! Në këtë zgjedhje ndodh megjithatë një akt burrëror, sepse Nano e mbajti fjalën që kishte thënë, se në rast të humbjes do ta lëshojë postin e të parit të Partisë Socialiste.

Dhe, Nano iki…

Në Kosovë, trazirat e marsit 2004 bënë që vendimmarrësit ndërkombëtarë të mendojnë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të vendit. Kështu, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit Kai Eide për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë. Pas shumë vizitave në Kosovë dhe në Ballkan, Eide takoi përfaqësues të të gjitha partive, komuniteteve, feve etj. Në tetor 2005 ai i dorëzoi Annanit raportin e porositur.

Më 10 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovon emërimin e Martti Ahtissari – nga Annani – si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zëvendës i Ahtisaarit emërohet austriaku Albert Rohan.

Përmbledhje e protestave të Vetëvendosjes

Kjo ishte hyrja e Kosovës në negociata për statusin që më 2008 rezulton me shpalljen e pavarësisë. Sepse, më 24 korrik 2006, në pallatin Niederosterich të Vjenës filluan bisedimet e para direkte. Në Kosovë ky takim u përshkruan si “takimi i elefantëve”. E, Lëvizja Vetëvendosje protestoi në Prishtinë kundër këtyre bisedimeve. Pasojat e këtyre bisedimeve, sidomos sa i përket decentralizimit, edhe sot i vuan Kosova.

Në vitin 2005, kryeministër ishte Ramush Haradinaj, meqë partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ishte në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës që kishte fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2004. Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij. Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe të nesërmen shkon vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Ai edhe më vonë do të përballet me Hagën, por do të lirohet i pafajshëm.

Në Kosovë, postin e kryeministrit, pas Haradinajt, e merr Bajram Kosumi.

Paraqitja e parë e Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, më 14 mars 2005 në Tribunalin e Hagës

Presidenti i Kosovës, më 26 gusht 2005, së bashku me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopi, vendos gurëthemelin e Katedrales “Nëna Tereze”. Kjo dalje në publik vuri në pah se ai ka probleme shëndetësore. Rugova ishte diagnostifikuar me kancer. Ai do të ndërrojë jetë më 21 janar 2006. Pas vdekjes së tij, kryetar i vendit dhe partisë bëhet Fatmir Sejdiu. Atëherë fillojnë edhe çarjet e brendshme në parti. LDK, si parti më e madhe e fituese e të gjitha zgjedhjeve, pas vdekjes së Rugovës do të jetë partia e dytë më e madhe në vend.

Rugova gjatë ceremonisë së vënies së gurëthemelit për Katedralen e Prishtinës

Në vitin 2005, Rugova dha këtë deklaratë për VoA: “Të njihet pavarësia sa më shpejt, gjë që do të qetësonte popullin e Kosovës dhe do të hapte perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik, demokratik dhe për një stabilitet të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi ecur shumë shpejt gjatë këtyre pesë viteve dhe pavarësia do të hapte perspektiva të reja dhe do të qetësonte këtë pjesë të botës apo Evropës. Ne kemi biseduar, dhe ka ardhur faza kur duhet të marrim kredi dhe garantim të investimeve. Me njohjen e pavarësisë do të kishim më shumë mundësi, pasi shumë institucione ndërkombëtare thonë se çështja e njohjes së pavarësisë i pengon këto procese”.

Në Kosovë gjatë vitit 2005 janë braktisur 84 fëmijë nga prindërit e tyre, ndërsa 77 të tjerë kanë gjetur strehim në familje të ndryshme. E, ky vit ishte edhe viti kur nuk vritet asnjë zyrtar policor. Trend i tillë pozitiv do të shënohet edhe më 2008, 2009 si dhe 2010.

Angela Merkel jep betimin…

Kosova ishte ende nën protektorat ndërkombëtar, UNMIK-u kishte ende fuqi ekzekutive. Kosova kishte shpresa se statusi i saj do të zgjedh shumë probleme. Por, problemet do ta ndjekin Kosovën edhe në 10 vitet e ardhshme.

Më 10 shkurt 2005, Arabia Saudite mban zgjedhjet e para lokale, ku vetëm meshkujt kanë të drejtë të votojnë. Më 2015, ky realitet do të ndryshojë. Më 2 prill 2005, vdes Papa Gjon Pali i II-të. Më 19 prill në vendin e tij do të emërohet Joseph Aloisius Ratzinger, si Papa Benedikti i XVI-të. Ndërsa, më 22 nëntor, Angela Merkel merr postin e kancelarit, si femra e parë në historinë e Gjermanisë e cila më 2015 do të shpallet person i vitit nga revista Time.

Bota këtë vit kishte 6.45 miliardë banorë.

Fillimi i vitit nisi me ikjet masive të shqiptarëve drejtë Perëndimit, një fenomen që nisi në dhjetor 2014. Gjatë fushatës elektorale u premtuan qindra-mijëra vende të punës, por punë s’ka. Madje, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, më 13 dhjetor 2015 tha se janë punësuar mbi 15 mijë punëkërkues. E, numri i atyre që ikën thuhet se ka tejkaluar shifrën 50 mijë. Largimi u përcoll edhe me reagime të shumta nga shtetet perëndimore, se azil për kosovarët nuk ka. Kështu, gjatë vitit 2015 nisi edhe kthimi i atyre që u larguan e që shpenzuan shuma të mëdha parash për të ikur drejtë një jete të re.

Pamje nga protestat e 24 janarit

Janari 2015 e gjeti menjëherë vendin në protesta, për shkarkimin e ministrit serb për Kthim dhe Komunitete Aleksandar Jabllanoviq, pasi ai i kishte quajtur egërsira protestuesit në Gjakovë të cilët – duke pasë parasysh të kaluarën e hidhur të tyre – më 6 janar përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Më 24 dhe sidomos më 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, situata eskaloi në përleshje ndërmjet protestuesve dhe Policisë. Pati edhe të lënduar dhe xhama të thyer në objektin e Qeverisë së Kosovës. Këto protesta kishin edhe për qëllim kthimin e Ligjit për Trepçën. Jabllanoviqi shkarkohet më 3 shkurt, e Trepça sikur harrohet.

Votohet Specialja…

Një prej temave që nxiti shumë debate e tensione gjatë vitit 2015, ishte Specialja. Më 3 gusht, pas një debati të rreptë, me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Veçantë për krime lufte. Të njëjtën ditë u aprovuan edhe dy ligjet e domosdoshme për funksionimin e Speciales. Menjëherë pas miratimit, dolën disa lista me emrat e atyre që mbase do të përndiqen nga kjo gjykatë. Ndërsa, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, tha se aktakuzat e para do të ngriten në fillim të vitit të ardhshëm. Themelimi i kësaj Gjykate, u kundërshtua nga partitë opozitare të cilat e quajtën atë të padrejtë dhe që ka për qëllim denigrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas shumë zhvillimeve të brendshme dramatike, Kosovës i erdhi një lajm i mirë: Bashkimi Evropian vendosi që përfundimisht të nënshkruaj Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën, më 27 tetor në Strasburg. Por, Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO, ndërsa ende nuk dihet qartë se a do të ketë liberalizim të vizave për vitin 2016.

Arrestohet Albin Kurti

Më 25 gusht, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Të njëjtën kohë, Kosova nënshkroi edhe marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit. E, këto dy marrëveshje ishin mollë sherri mes pozitës e opozitës. Opozita i kundërshtoi ato duke kërkuar tërheqjen e nënshkrimeve. Dhe, për t’ia arritur qëllimit, vendosi të pengonte funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës duke hedhur vezë e gaz lotsjellës, si dhe duke pasur protesta në kryeqytet. Reagimet e tilla patën për pasojë arrestimin e disa deputetëve të opozitës.

Për Asociacionin u dha një mendim nga Kushtetuesja, që u interpretua ndryshe nga pozita e ndryshe nga opozita. Asnjëra palë nuk tërhiqet nga pozicionet e saja.

Kështu, viti 2015 ishte jo vetëm sfidues, por edhe kritik. I tillë do të jetë edhe fillimviti 2016, pasi opozita ka paralajmëruar protesta më 9 janar 2016, duke i cilësuar si fundin e Qeverisë Mustafa dhe të koalicionit PDK-LDK.

Se çfarë do të ndodh më 2015, mbetet të shihet. Ajo që dihet është se viti 2015 nisi e mbaroi mbrapsht.

2025: KOSOVA ME…

Shpresa… /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Liria 1.7

Liria 1.7

Kulture
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
S’KA RRUGËDALJE

S’KA RRUGËDALJE

Poezi
DASHURIA ERDHI

DASHURIA ERDHI

Poezi
Unë jam gjeni!

Unë jam gjeni!

Fjala+
Kalo në kategori