Shpallen fituesit e garave të Anibar – mbyllet me sukses edicioni i 17-të

U mbyll me sukses dhe edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit - Anibar, pas një jave të mbushur me filma të jashtëzakonshëm, biseda frymëzuese, muzikë, punëtori, ekspozita dhe momente të paharrueshme të ndara mes regjisorëve, animatorëve, artistëve dhe publikut nga e gjithë bota.
Përmes programeve konkurruese dhe jo-konkurruese, festivali i këtij viti i ftoi shikuesit të përjetonin histori që pasqyronin disa nga çështjet më të rëndësishme sociale, politike dhe njerëzore të kohës sonë, duke sjellë njëkohësisht kultura, tradita dhe këndvështrime nga 46 vende të ndryshme të botës.
Si çdo vit, Anibar shpalli edhe fituesit e kategorive garuese, duke vlerësuar krijimet që u dalluan gjatë festivalit, pa zbehur vlerën e çdo filmi tjetër të përzgjedhur, i cili kontribuoi në pasurimin e programit dhe përvojës së publikut.
Në këtë edicion, Anibar prezantoi 217 filma, 11 kategori programore, prej të cilave 6 ishin konkurruese, 5 jo-konkurruese dhe 3 programe speciale, duke sjellë një përzgjedhje të larmishme të animacionit bashkëkohor.

Gara Ndërkombëtare
Mes 18 filmave në Garën Ndërkombëtare, juria e përbërë nga Heta Jäälinoja, Maarten van Gageldonk, Edmunds Jansons, Sara Gunnarsdóttir dhe Joni Männistö shpalli fitues "To the Woods" me regji të Agnes Patron.
Juria e vlerësoi filmin për mënyrën se si zhyt publikun në një marrëdhënie delikate mes motrës dhe vëllait përmes një atmosfere mistike, ku muzika dhe dizajni i zërit luajnë rol kyç në ndërtimin e përvojës emocionale.
Me rrëfimin e tij të hapur, filmi fton shikuesit të rikthehen sërish në pyllin e tij misterioz edhe pas përfundimit të shfaqjes.
International Special Mention iu nda filmit "Klonter" nga Levi Stoops, i cili, sipas jurisë, e çon publikun në një udhëtim që lëviz nga psikologjikja drejt fiziologjikes dhe më pas në një dimension kozmologjik, duke krijuar një përvojë sa intime aq edhe universale.

Gara e Studentëve
Nga 29 filma studentorë, juria e përbërë nga Alexandre Siqueira, Clémence Pun dhe Michael Frei dha vendin e dytë “Children of the black sea” nga Mihaela Mîndru.
“Duam t’i japim vendin e dytë një filmi që vë në pikëpyetje autenticitetin e kujtimeve të fëmijërisë, ndërkohë që ekspozon natyrën arbitrare dhe absurde të rregullave dhe urdhrave që strukturojnë jetën tonë. Filmi përzien pa mundim ngjarje reale me magji shpikëse dhe çudi shpresëdhënëse. Jemi të emocionuar ta shohim këtë regjisore të re të talentuar të vazhdojë të zhvillojë zërin e saj unik.” – deklaroi juria.
Juria zgjodhi si fitues "My Good Boy" nga Sara Priorelli dhe e përshkroi filmin si një kremtim të vetë animacionit – energjik, i guximshëm dhe njëkohësisht plot finesë, duke dëshmuar potencialin krijues që ky medium ofron.

Gara e Ballkanit
Çmimi i Garës Ballkanike iu dha filmit "Paradaïz" nga Matea Radi, i përzgjedhur nga juria e përbërë nga Edmunds Jansons, Heta Jäälinoja, Joni Männistö, Maarten van Gageldonk dhe Sara Gunnarsdóttir.
Gara e Video-Animacioneve Muzikore
Në konkurrencë me 25 video muzikore, juria e përbërë nga Mats Grorud, Sabine Costa-Eysseric dhe Krste Gospodinovski shpalli fitues filmin "Jay & Bee" nga David Kellner.
Juria vlerësoi pamjet freskuese, animacionin plot humor, karakteret ekspresive, ritmin dhe rrëfimin dinamik të filmit, duke e cilësuar atë si një realizim që të argëton nga fillimi deri në fund.

Gjithashtu u ndanë edhe dy Special Mention:
● Special Mention i Parë iu dha filmit "No Disco" nga Angèle Chiodo, për dizajnin lozonjar, animacionin plot energji, ngjyrat e guximshme dhe universin e tij origjinal vizual.
● Special Mention i Dytë iu nda "Larzan Karné" nga Bastien Dupriez, një homazh ndaj një ishulli dhe kulturës së tij, ku animacioni i vizatuar mbi celuloid ndërthuret në mënyrë të shkëlqyer me muzikën.

Gara e Filmave për të Drejtat e Njeriut
Në kategorinë Best Human Rights Animation, ku garuan 12 filma, çmimi kryesor iu dha "At Night" nga Pooya Afzali.
Juria e vlerësoi filmin për rrëfimin mjeshtëror dhe qasjen poetike ndaj luftës, duke treguar jo vetëm shkatërrimin që ajo sjell, por edhe aftësinë e njeriut për të krijuar, imagjinuar dhe shpresuar.
Frymëzuar nga një poezi për dashurinë ndaj Parisit, filmi shndërrohet në një reflektim universal mbi rezistencën dhe mundësinë e një fillimi të ri.
Special Mention iu dha filmit "That Night" nga Hoda Sobhani, për gjuhën e tij poetike kinematografike, realizimin e ndjeshëm dokumentar dhe portretizimin e guximshëm të grave dhe rezistencës së tyre.

Gara e të Rinjve
Nga 24 filma në konkurrim, juria e përbërë nga Yll Avdiu, Sierra Deshishku, Ana Morina, Ronin Bekolli dhe Tiziana Lohja i dha vendin e dytë filmit “Into the forest” nga Antonin Niclass, duke e përshkruar atë si:
“Një reflektim imagjinativ mbi procesin krijues, filmi eksploron bukur atë që ndodh kur personazhet që krijojmë fillojnë të formësojnë botët e tyre, duke festuar lirinë dhe jetën që arti mund të marrë përtej krijuesit të tij.”
Çmimi fitues shkoi për “The Great Dreamscape” nga Rémi Durin.
Sipas jurisë, filmi mbeti gjatë në kujtesën e tyre edhe pas shfaqjes, duke e shndërruar frikën në një peizazh imagjinate dhe duke kujtuar se krijimtaria mund të jetë një burim force dhe guximi për fëmijët dhe të rriturit.
Pitch It!
Një pjesë e rëndësishme e këtij edicioni ishte edhe Pitch It, platforma e Anibar-it për zhvillimin dhe prezantimin e projekteve të animatorëve dhe regjisorëve në zhvillim.
Mes gjashtë projekteve të prezantuara, fitues u shpallën:
● Vendi i parë: Crow Funeral – Durim Klaiqi
● Vendi i dytë: Through the Cracks – Jeta Sokoli
● Vendi i tretë: Gjith Ktu – Hana Kasemi

Çmimi i Publikut Audience Award, i votuar nga publiku i edicionit të 17-të të Anibar-it, iu dha filmit "Wish You Were Ear" nga Mirjana Balogh.
Me përfundimin e këtij edicioni, Anibar konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një pikëtakim i rëndësishëm për animacionin, krijimtarinë dhe shkëmbimin kulturor.
Duke bashkuar regjisorë, animatorë, artistë, profesionistë dhe publik nga vende të ndryshme të botës, festivali vazhdon të dëshmojë fuqinë e animacionit si një medium që frymëzon dialog, reflektim dhe imagjinatë. /Telegrafi/







































































