SHBA-ja ka përdorur armë në vlerë prej 24 miliardë dollarësh në luftën me Iranin

Gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan, Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, është përballur me pyetje të shumta lidhur me koston dhe zhvillimet e luftës kundër Iranit.
Në dëgjim morën pjesë edhe kryesuesi i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali Dan Caine, si dhe Jules Hurst, nënsekretar i luftës dhe drejtor financiar.
Gjatë diskutimeve, kongresistët kërkuan sqarime mbi shumën që Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar deri më tani për operacionet ushtarake, përfshirë municionet, raketat, sistemet mbrojtëse dhe pajisjet e tjera luftarake të përdorura në konflikt.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, Hurst deklaroi se vlerësimet aktuale tregojnë se SHBA-ja ka përdorur armatim dhe pajisje ushtarake në vlerë prej rreth 24 miliardë dollarësh, apo afro 17.75 miliardë funte britanike, shkruan skynews.
Sipas tij, kjo shumë përfshin një gamë të gjerë armësh dhe municionesh të përdorura gjatë operacioneve ushtarake në rajon.
Deklarata vjen vetëm pak javë pasi Pentagoni kishte pranuar publikisht se kostoja totale e luftës me Iranin kishte arritur në rreth 25 miliardë dollarë.
Shifrat e publikuara kanë nxitur debat të madh në SHBA, ku ligjvënësit po kërkojnë më shumë transparencë lidhur me shpenzimet ushtarake dhe ndikimin financiar të konfliktit.
Seanca dëgjimore u fokusua gjithashtu në efektivitetin e operacioneve amerikane, rezervat e municioneve dhe mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





















































