Serbët ende nuk po mund të pajtohen me faktin që Federata e Hendbollit e Kosovës është pranuar si e barabartë me federatat e vendeve tjera. Presidenti i Federatës së Hendbollit të Serbisë, Velimir Marjanoviq, ka thënë se pengimi i FHK-së për t’u pranuar në EHF ka qenë i pamundur.


“Kemi bërë gjithçka që ishte e mundur, apeluam në të gjitha elementet sportive, duke theksuar rëndësinë e ndeshjeve ndërmjet Serbisë e Kosovës. Mirëpo, vullneti i vendeve anëtare të EHF-së ishte më i fortë. Kemi shpresuar në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), sebep statuti i saj është më i fuqishëm, por edhe kjo do të jetë vështirë pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës. Ne nuk na është marrë Kosova në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në Olimpiadën e Shahut apo në fushën e hendbollit, por na është marrë me dhunë. E vetmja mënyrë për ta kthyer është që ta pranojmë se është e okupuar”, ka thënë Marjanoviq për Tribunën.


Ai ka shtuar se vendimi i EHF-së ka qenë i dhimbshëm, por FHS-ja duhet të vazhdojë të ketë raporte të mira me këtë institucion. “Ishim të pafat që Kosova u pranua si anëtare e përkohshme kur ne ende ishim në bashkësi me Malin e Zi, ndërsa në atë kohë Federata e hendbollit tonë ishte indolente. Pas ndarjes me Malin e Zi, ne kemi bërë luftë të madhe në çdo kongres dhe ia kemi arritur qëllimit”.

“Mirëpo tani në EHF janë bazuar në një argument sipas së cilit në marrëveshjen e Brukselit shkruan se Serbia nuk mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe në letrën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, në të cilën thuhej se Kosova do të pranohet në EHF. Ne nuk pajtohemi me këtë situatë, por jemi të vetëdijshëm se interesi i hendbollit tonë është më i rëndësishëm, ndërsa kjo çështje do të zgjidhet në instanca më të larta”, është shprehur Marjanoviq. /Telegrafi/

telegrafi sport app