LAJMI I FUNDIT:

Samiti i Madridit, i destinuar për të shkruar historinë e re të NATO-s

Samiti i Madridit, i destinuar për të shkruar historinë e re të NATO-s
Ilustrim

Siç dihet, më 28-29 qershor 2022, në Madrid mbahet Samiti i 36-të i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Po çfarë janë Samitet e NATO-s? Duhet thënë që në krye të herës se samitet nuk janë takime rutinore që mblidhen në mënyrë periodike, por ngjarje madhore në udhëkryqet kritike për procesin e vendimmarrjes strategjike së Aleancës.

Nga gjithsej 36 samite, vetëm 11 janë zhvilluar gjatë Luftës së Ftohtë, ndërsa 24 të tjerët, përgjatë viteve 1991-2022. Shifrat e numrit të samiteve mbas 1991 (tre herë më shumë) flasin vetë dhe fortë për “këdo që ka vesh dhe sy”, kjo pasi kërcënimet, sfidat, por dhe pritshmëritë ndaj NATO-s janë më të mëdha se kurrë më parë në historinë e saj 73-vjeçare.

Po pse pikërisht në Samitin e 36-të të Madridit është e destinuar të nënshkruhet historia e re e NATO-s?

Pasi, ky është samiti dytë brenda vitit 2022 dhe për herë të parë mbas viteve 1990 prioriteti dhe fokusi strategjik mbetet rikthimi i Aleancës te zhvillimi i kapaciteteve konvencionale dhe bërthamore, të “frenimit/ deterrances dhe të shpagimit masiv”, të “mbrojtjes së përparuar dhe së zhdërvjellët”, në vijim të dislokimit në kufijtë e NATO-s të më shumë së 40 mijë trupa aktive, dyfishimin e kapaciteteve të luftimit dhe aktiviteteve të fuqisë ajrore dhe detare e Aleancës, për t’u përballuar me kërcënimet e mjedisit të sigurisë dhe garantimin e mbrojtjes kolektive (artikulli 5).

Samiti do të bëjë histori pasi mbahet katër muaj mbas agresionit neonazist të Rusisë, që siç është provuar, jo vetëm kundër sovranitetit territorial të Ukrainës, por edhe si sprovë ndaj solidaritetit, kredibilitetin, status-quosë dhe interesave gjeopolitike të ShBA-së, NATO-s, BE, vendeve Baltike, të Detit të Zi, Evropës Juglindore dhe jo vetëm. Prandaj, në këtë Samit NATO do të duhet të demonstrojë mbështetje të gjithanshme, financiare dhe asistence ushtarake nga ShBA-ja, Britania, Poloni, vendet e tjera të NATO-s (përfshirë Shqipërinë), Suedi, Finlandë etj. Kështu, bashkë me humbjen e luftës për pushtimin e tërësisë territoriale të një vendi sovran, Ukrainës, Rusia do të vijojë të diskreditohet në sytë e botës.

Kështu, bashkë me luftën të do të humbasë rolin dhe peshën gjeopolitike në botë, fatmirësisht përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor, Mesdhe etj. Samiti i Madridit do bëjë histori, pasi do të miratojë konceptin e ri strategjik të NATO-s, që vjen si një domosdoshmëri kritike: Për të adaptuar kursin, mekanizmat si dhe modernizuar kapacitetet e Aleancës në përballjen me kërcënimet e sigurisë konvencionale, terrorizmi, rreziqet kibernetike, krizat e refugjatëve, ekstremizmi i dhunshëm; kohezionit brenda vendeve anëtare; destabilitetin politik si pasojë e demokracive të dështuara dhe shteteve të kapura nga korrupsioni dhe krimi i organizuar; materializimi mbi “ndarjen e barrës dhe rritjen e dy për qind shpenzimeve të mbrojtjes; forcimin e marrëdhëniet transatlantike në mënyrë që NATO të jetë e aftë për t’u përballur me çdo kërcënim, në çdo kohë dhe nga çdo drejtim që të vijnë.

Samiti do të konfirmojë më tej dhe më fort politikën dhe mekanizmat e dyerve të hapura si dhe forcimin e partneritetit jo vetëm me BE, Finlandën, Suedinë, por edhe me Gjeorgjinë, Australinë, Zelandën e Re, të cilat për herë të parë janë ftuar për të marrë pjesë në këtë samit. Samiti sigurisht do ketë mesazhe të forta edhe për rajonin tonë, mbi nevojën e zhvillimit të masave të mirëbesimit reciprok (CSBM) dhe demilitarizimit si parakushte për paqen e qëndrueshme, por edhe për zhvillimin e projekteve dhe kapaciteteve të përbashkëta “smart”, për vëzhgimin e hapësirës ajrore, mbrojtjen kibernetike, luftën kundër terrorizmit, inteligjencës, emergjencat civile etj.

Janë tri definicione brilante, nga tre personalitete të mirënjohura si dhe me kontribute historike për “rendin global të sigurisë”, që veçmas, por sidomos së bashku, i kam përzgjedhur si mesazhe përmbyllëse të këtij samiti historik: NATO është aq e fortë sa hallka më e dobët e zinxhirit të saj; paqe në shtëpi/vend – paqe në botë; si dhe ajo e Ish-presidentit amerikan John Kennedy në hapjen së Konferencës se Munihut, 59 vjet me pare: “Ti hedhim sytë përtej rreziqeve të së sotmes, te shpresat e së nesërmes”!

Prandaj, ky Samit që po zhvillohet në Madrid, qytetin e destinuar të shkruajë historinë e erës së re të NATO-s/2050, pasi, besoj edhe më fortë se do të rikonfirmohet lidershipi, vizioni, përgjegjshmëria e lartë, vullneti, solidariteti si dhe projektet, programet, mbështetja e nevojshme financiare për modernizimin kapaciteteve të afta të përballjen me rreziqet konvencionale, kërcënimet dhe sfidat e sigurisë, paqes, lirisë, prosperitetit dhe stabilitetit demokratik në hapësirën Euroatlantike. Cilat janë disa sugjerime strategjike për qëndrimet dhe angazhimet e RSH në këtë Samit ?

Shqipëria mbetet e vendosur me kohezion dhe konsensus të pakushtëzuar në krah të ShBA-së dhe NATO-s për të gjitha projektet, angazhimet, projektet dhe operacionet e Aleancës në interes të mbrojtjes dhe sigurisë kolektive (artikulli 5); në mbështetje të Ukrainës, por edhe si vend lider me kontribute të spikatura në mbrojtje të sovranitetit, stabilitetit demokratik, interesave gjeopolitike dhe vlerave demokratike në rajon më gjerë. Po ashtu mbështet qëndrimet e Aleancës për një qasje dhe projekte të përbashkëta ndaj të kërcënimeve asimetrike të sigurisë: Terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, pasojat e shteteve të e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, siguria e mjedisit, emergjencat civile, përballimin e krizës së refugjatëve etj., jo vetëm në rajon.

Të rikonfirmojë angazhimin për të arritur në dy për qind të GDP-së, me synimin e zhvillimit të kapaciteteve të afta për përballimin e sfidave të sigurisë së qytetarëve dhe shoqërisë, si dhe përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s.

Mbështetjen e agjendës euroatlantike të rajonit si dhe promovimin e përpjekjeve të dy vendeve të tjera, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, për anëtarësim në NATO, duke konfirmuar se kjo qasje zgjeron hartën e paqes së qëndrueshme, si dhe të mbështesë udhëtimin e këtyre vendeve në rrugën drejt anëtarësimit, projekteve dhe kapaciteteve të përbashkëta.

Të përmbushë të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet që i përkasin vendit pritës (Host Nation), p.sh në Kuçovë etj., që burojnë nga marrëveshja mbi statusin e forcave (SOFA), protokolli i Parisit etj., të nënshkruara nga vendi ynë, në mënyrë që sa më shpejt e më mirë ky projekt e të tjera të ngjashme të bëhen realitet.

E fundit, por mbi të gjitha, në këtë samit Shqipëria do duhet të konfirmojë angazhimin për transformimin e sistemit të sigurisë kombëtare, në përputhje me atë të mbrojtjes kolektive, duke përditësuar konceptin, strukturat, mirëharmonizuar balancat, rritur shpenzimet si dhe modernizuar kapacitetet dhe kulturën Euroatlantike të bashkëpunimit.

Në këtë përpjekje me interesa të larta kombëtare, nuk vlejnë as protagonizmi, as privatizimi i agjendës euroatlantike dhe dashurisë për mëmedhenë, as gajasja cinike me kundërshtarët dhe oponentët e pushtetit, as shpërdorimi i Institucioneve Kushtetuese si ilaçe (pa) shërimi nga sëmundja ballkanike e mbipushtetit, edhe nga mungesa dëshpëruese e opozitës zyrtare, por vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, vizion afatgjatë dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrave shtetërore, përgjegjësia e lartë ndaj interesave mbarë-kombëtare, besimi në vlerat demokratike dhe “bekimi” ndaj partneritetit strategjik me ShBA, NATO.