Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për politikat energjetike dhe mungesën e investimeve në kapacitete të reja prodhuese.

Hoti ka thënë se, pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova sot po krenohet me eksportin e thëngjillit, ndërsa në anën tjetër importon energjinë elektrike të prodhuar nga ky burim.


Sipas tij, kjo situatë është rezultat i mungesës së investimeve në kapacitete të reja dhe të qëndrueshme energjetike gjatë viteve të qeverisjes së LVV-së.

“Pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova tash krenohet me eksportin e thëngjillit. E në anën tjetër, importon energjinë e prodhuar nga ai thëngjill”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka theksuar se, sipas tij, për gjatë viteve të fundit nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri energjetik stabil, qoftë me thëngjill apo me gaz, duke e vënë në pikëpyetje konceptin e tranzicionit energjetik të promovuar nga qeveria.

“Kjo ndodh pas 6 vitesh të LVV-së në krye të qeverisë, gjatë të cilave vite asnjë kapacitet i ri energjetik stabil nuk është ndërtuar, as me thëngjill e as me gaz. Ky na qenka ‘tranzicioni energjetik’ i Kosovës nën udhëheqjen e VV-së”, është shprehur ai.

Hoti ka argumentuar gjithashtu se eksportimi i lëndës së parë dhe importimi i produktit të gatshëm, sipas tij, dëshmon mungesën e një strategjie të qëndrueshme ekonomike dhe energjetike.

“Kushdo që merr vesh në ekonomi, e di se vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar plotësisht nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim. Sa të padijshëm e sa të mbrapshtë”, ka deklaruar Hoti. /Telegrafi/