LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i jashtëzakonshëm nga Astrit Selmani – Pa vdekjen me sy dy javë më parë, refuzoi Suedinë dy herë për Kosovën si dhe ëndrra e madhe të jetë tandem me Zlatan Ibrahimovicin

Rrëfimi i jashtëzakonshëm nga Astrit Selmani – Pa vdekjen me sy dy javë më parë, refuzoi Suedinë dy herë për Kosovën si dhe ëndrra e madhe të jetë tandem me Zlatan Ibrahimovicin

Astrit Selmani është një nga prurjet më të mëdha te Përfaqësuesja e Kosovës në vitet e fundit.

Sulmuesi mitrovicas pas shkëlqimit në Suedi me Varbergs Bois e pastaj me Hammarbyn, u bë objektiv i Përfaqësueses skandinave, por ai kishte në mendje vetëm Kosovën.


Ardhja e tij te Kosova ka qenë e bujshme, pasi bëhet fjalë për një sulmues shumë të shkathët e me një të ardhme të ndritur që e pret.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Selmani ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij, klubin Hammarby, Zlatan Ibrhaimovicin, Kosovën dhe lëndimin e tmerrshëm që pësoi.

I humbi ndjenjat dy javë më parë, pas pesë ditësh filloi ta kuptoj se çfarë ndodhi

Dy javë më parë, në ndeshjen mes Hammarbyt dhe Ostersunds, Selmani pësoi një lëndim të tmerrshëm.

Ai u përplas kokë më kokë me kundërshtarin, derisa humbi ndjenjat në fushë, për të qëndruar dy javë jashtë fushave.

Sulmuesi mitrovicas tregon për Telegrafin të gjithë ngjarjen , teksa vetëm pas pesë ose gjashtë ditësh kuptoi se çka i ndodhi në fushë.

“E kam goditur kokë më kokë lojtarin kundërshtar dhe prej atij momenti ka qenë krejt zi. Për 10 sekonda kam qenë pa vetëdije. Edhe përkundër se më erdh vetëdija nuk kam ditur asgjë”, thotë fillimisht Selmani për Telegrafin.

“Pas pesë ose gjashtë dite ka filluar të më kthehet kujtesa dhe ta dijë më saktësisht se çfarë ka ndodhur me mua pas atij dueli. Kam qenë në një gjendje shumë të rëndë, por tani fatmirësisht jam mirë”.

“Dua ta falënderojë klubin, mjekët e klubit dhe të spitalit për kujdesin e madh që kanë pasur për mua gjatë kësaj kohe”, tha Selmani.

Ai u rikthye në fushë ditën e sotme, ku startoi ndaj Orebros dhe qëndroi në fushë për 81 minuta.

“Ishte ndjenjë e mirë të rikthehem në fushë sërish, pasi kam përjetuar vërtetë një tmerr. Frikë? Normalisht pas asaj që kam përjetuar njeriu frikësohet, por unë jam një luftëtarë që sa herë jam në fushë jap maksimumin dhe e rëndësishme ishte që fituam sot”, deklaroi Selmani për Telegrafin.

Selmani: I gatshëm për Kosovën, sa minuta të më jepen, gjithmonë do ta jap maksimumin

Ardhja e tij te Kosova ka qenë me shumë bujë, derisa lojtari debutimin e bëri pikërisht në vendin e lindjes, Suedi më 9 tetor.

Ai tanimë e ka harruar lëndimin dhe është i gatshëm për ndeshjet e nëntorit me Përfaqësuesen e Kosovës.

“Tani jam mirë dhe jam i gatshëm për ndeshjet e nëntorit me Kosovën. Është një kënaqësi shumë e madhe për mua sa herë që marrë ftesë nga vendi im dhe vij me plot dëshirë e krenari”, tha Selmani për Telegrafin.

Ai nuk e harroi edhe trajnerin Bernard Challandes, duke e falënderuar për mundësinë.

“Dua ta falënderojë trajnerin Challandes për ftesën dhe mundësinë të debutoj. Gjithmonë do ta kujtojë dhe i urojë më të mirat në jetë”, deklaroi Selmani.

Në dy ndeshje që ka luajtur me Kosovën, Selmani është paraqitur në 24 minuta, derisa synon që të marrë më shumë minutazh.

“Unë gjithmonë vijë për ta ndihmuar Kosovën. Sado që të luaj, sa minuta të më jepen unë gjithmonë do ta jap maksimumin. Natyrisht që secili futbollist dëshiron që të luaj më shumë, por e rëndësishme është që të jemi të bashkuar dhe ta ndihmojmë njëri tjetrin. Vetëm të bashkuar si grup mund të shkojmë përpara dhe të bëjmë gjëra të mëdha”, tha Selmani.

Ndër të tjera, Selmani ka thënë se tanimë njihet edhe me përzgjedhësin Primoz Gliha që do ta drejtojë Kosovën ndaj Jordanisë dhe Greqisë.

Selmani thotë se në kualifikimet e ardhshme do të bëjnë më mirë pasi të gjithë lojtarët janë të bashkuar për një gjë të tillë.

“Normalisht nuk ka shkuar ashtu siç kemi dashur ne, por do të bëjmë shumë më mirë në kualifikimet e ardhshme, në Ligën e Kombeve dhe të tjerat”, tha Selmani.

Rasti i pasaportës dhe mos lejimi të luaj në dy grumbullime me Kosovën

Selmani për herë të parë ishte grumbulluar nga Kosova në muajin qershor, pastaj edhe në shtator, por në asnjërin grumbullim nga luajti.

Në muajin shtator, Selmani kishte qëndruar për tri ndeshje në bankën rezervë, madje edhe ishte nxehur gjatë ndeshjes, por pa pasur të drejtë loje, shkaku i mungesës së pasaportës.

Ai thotë se ka qenë ndjenjë e keqe që të nxehet, por pa pasur mundësi të luaj dhe t’i ndihmojë bashkëlojtarëve të tij.

“Ka qenë e vështirë të jem në grumbullim dhe kur e kam ditë se nuk do të luaj, pasi mungonte vetëm një letër nga Suedia. Një ndjenjë jo e mirë, kur nxehem edhe e di se nuk do të luaj. E falënderojë Bajram Shalën, presidentin Agim Ademi dhe gjithë federatën për ndihmën e madhe që ma kanë bërë për të ma mundësuar të luaj për Kosovën”, tha Selmani.

Debutimi i tij erdhi ndaj Suedisë, teksa Selmani pritet të luaj edhe në ndeshjet e nëntorit ndaj Jordanisë dhe Greqisë.

E refuzoi dy herë Suedinë: Isha i vendosur të luaj vetëm për Kosovën

Cilësitë e Astritit janë të mëdha dhe për to e dinte mjaftë mirë edhe Përfaqësuesja e Suedisë.

Drejtuesit e ekipit përfaqësues të Suedisë dëshironin me çdo kusht ta merrnin në Kombëtare sulmuesin kosovar, por ai e kishte ndarë mendjen dhe priste vetëm ftesën e Kosovës.

Ai ka treguar ekskluzivisht për Telegrafin se ka refuzuar dy herë suedezët pasi dëshironte me çdo kusht të vinte te Kosova.

Kontaktet e para i kishte me menaxherin e Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shalën.

“Interesimi i Kosovës ka qenë shumë herët nga menaxheri Bajram Shala, më ka ftuar edhe Suedia, kam biseduar edhe ta, por i kam refuzuar”.

“Unë i kam treguar edhe Bajramit se jam i vendosur vetëm për Kosovën dhe do t’i presë deri sa të më vije ftesa”.

“Më ka ftuar për herë të dytë Suedia, kemi pasur përsëri bisedime, por përsëri i kam falënderuar për interesimin dhe i kam bërë me dije se jam i Kosovës dhe pres ftesën e vendit tim”, deklaroi Selmani për Telegrafin.

I kënaqur te Hammarby, por edhe klubi i kënaqur me Astritin

24-vjeçari ishte bashkuar me Hammarbyn në janar të këtij viti dhe ka bërë mjaftë mirë deri më tani.

Në 35 ndeshje zyrtare, Selmani ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar në 12 të tjerë, duke arsyetuar shumën prej 800 mijë eurove që Hammarby e kishte shpenzuar për ta blerë nga Varbergs.

Qysh në vitin e tij të parë, Selmani ka fituar Kupën e Suedisë me Hammarbyn, që ishte hera e parë në histori të klubit që arrihet ky sukses.

“Jam i kënaqur pasi klubi kurrë më parë nuk e ka fituar Kupën e Suedisë. Kam qenë pjesë e ekipit që e ka fituar Kupën e parë të Suedisë dhe jam shumë krenar. Këtu po ndihem shumë mirë, të gjithë më duan dhe jam i lumtur që jam në Stockholm”.

“Të gjithë në klub më duan dhe janë të kënaqur me mua dhe kjo më bën të ndihem mirë. Gjithsesi sa i përket golave e asistimeve janë numër i mirë, por unë jam një futbollist që gjithmonë kërkojë më shumë dhe e di që duhet të bëjë edhe më shumë”, deklaroi Selmani.

“Ndjenjë e veçantë ta kesh Ibrahimovicin president, uroj që të jem tandem me të te Hammarby”

Astrit Selmani është pjesë e Hammarbyt, një skuadër me traditë të madhe në futbollin suedez dhe me tifozë të jashtëzakonshëm.

E ky klub është nën pronësinë e njërit nga sulmuesit më të mëdhenj në histori të futbollit, Zlatan Ibrahimovic, aktualisht pjesë e Milanit.

Selmani thotë se është një ndjenjë speciale të kesh president një legjendë të futbollit siç është Ibrahimovic, me të cilin ka biseduar nëpërmjet telefonit para se të transferohej te Hammarby, por edhe kanë festuar së bashku triumfin në Kupën e Suedisë.

“Është diçka speciale kur e ke një president që është legjendë e futbollit. Kur e kam nënshkruar kontratën më ka telefonuar për të më ftuar te Hammarbu, por edhe kur e kemi fituar Kupën ka qenë prezent dhe ishte shumë i gëzuar”, tha Selmani.

Tutje sulmuesi kosovar uron që Ibra ta përfundojë karrierën pikërisht te Hammarby dhe ta ketë tandem në repartin ofensivë.

“Uroj që të vije te Hammarby për ta mbyllur karrierën do të ishte diçka fantastike për mua dhe gjithë klubin. Do të ishte diçka e madhe për mua ta kem tandem në sulm një futbollist të madh si Ibra”, tha Selmani.

Ëndërron që një ditë të luaj në Serie A

Selmani ka kontratë afatgjate me Hammarbyn deri në vitin 2024 dhe është shumë i lumtur tek kjo skuadër.

Ai ka thënë se për momentin është i lumtur tek kjo skuadër dhe gjithë fokusin e ka te Hammarby.

“Për momentin e kam mendjen vetëm te Hammarby. Jam i lumtur këtu, klubi është i lumtur me mua dhe momentalisht jam i fokusuar vetëm këtu”.

“Ka qenë gjithmonë ëndërr e imja të luaj në ndonjë klub më të madh evropian, por jam mirë edhe këtu”.

Ai thotë se edhe klubi dëshiron ta shes në të ardhmen, por vetëm kur të vije oferta e duhur dhe momenti i duhur.

“Edhe klubi dëshiron në të ardhmen të më shes në ndonjë skuadër më të madhe, por do të vije edhe ai moment. Momentalisht jam i lumtur me klubin dhe klubi është i lumtur me mua”, tha Selmani.

Ai kishte oferta të shumta para se të nënshkruante me Hammarbyn, por zgjodhi këtë klub për shumë arsyeje.

Gjithsesi në të ardhmen, Selmani ka deklaruar se ëndërron të luaj në elitën e futbollit italian, Serie A.

“Kampionati italian Serie A gjithmonë më ka pëlqyer dhe më ka tërhequr. Është ëndërr e imja të luaj në Serie A dhe shpresoj se një ditë do të realizohet”, përfundoi Selmani. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Zbulohet favoriti i ri për të fituar Topin e Artë 2024: Haaland mbetet mbrapa në garë

Zbulohet favoriti i ri për të fituar Topin e Artë 2024: Haaland mbetet mbrapa në garë

Ndërkombëtare
Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

Serie A
Leicester City fiton rikthimin në Ligën Premier pa e zhvilluar ndeshjen

Leicester City fiton rikthimin në Ligën Premier pa e zhvilluar ndeshjen

Premier League
Mjafton goli i Guler, Real Madridi arkëton tri pikë në udhëtim tek Real Sociedadi

Mjafton goli i Guler, Real Madridi arkëton tri pikë në udhëtim tek Real Sociedadi

La Liga
Mësohet shuma e parave që Ten Hag do të ketë në dispozicion për blerje gjatë verës

Mësohet shuma e parave që Ten Hag do të ketë në dispozicion për blerje gjatë verës

Premier League
Kalo në kategori