Roberto Martinez i thotë lamtumirë Portugalisë, zbulohet emri që do ta zëvendësojë


Roberto Martinez nuk është më përzgjedhës i Kombëtares së Portugalisë. Eliminimi nga Spanja në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026 rezultoi të ishte edhe ndeshja e fundit e teknikut spanjoll në krye të luzitanëve.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Martínez konfirmoi se cikli i tij te Portugalia ka përfunduar, ndërsa kontrata e tij nuk do të rinovohet.
"Ky është fundi i një cikli. Tani është e rëndësishme që kombëtarja të ketë një trajner të ri dhe është legjitime që presidenti të zgjedhë njeriun e tij. Ju falënderoj për gjithë mbështetjen që kam marrë", deklaroi Martínez.
Trajneri 52-vjeçar mori drejtimin e Portugalisë në janar të vitit 2023, duke pasuar Fernando Santosin pas Kupës së Botës në Katar. Gjatë mandatit të tij, ai udhëhoqi Portugalinë drejt fitimit të Ligës së Kombeve, por nuk arriti ta çonte ekipin drejt suksesit në Botërorin 2026.

Sipas raportimit të A Bola, presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, ka vendosur që pasues i Martínezit të jetë Jorge Jesus.
Trajneri 71-vjeçar është i lirë që nga largimi nga Al Nassr në fund të sezonit të kaluar dhe pritet të takohet me drejtuesit e federatës pas rikthimit të kombëtares në Portugali për të finalizuar marrëveshjen.

Nëse emërimi konfirmohet, Jorge Jesus do të udhëheqë Portugalinë në kualifikimet dhe fazën finale të Euro 2028, si dhe në Kupën e Botës 2030, turne që do të organizohet bashkërisht nga Portugalia, Spanja dhe Maroku. /Telegrafi/











































