Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka komentuar situatën e tij me klubin katalanas, duke theksuar se i nevojitet kohë për të marrë një vendim për të ardhmen, ndërsa fokusi kryesor mbetet te fitimi i titullit në La Liga.

“Ne kemi kohë. Klubi e di saktësisht se çfarë mendoj. Më duhet pak kohë për të reflektuar, kjo është e qartë për të dyja palët”, është shprehur sulmuesi polak.


“Gjëja më e rëndësishme është të dimë se çfarë duam të arrijmë këtë sezon. Nuk dua të flas për oferta apo për të ardhmen. La Liga është prioriteti. Pastaj mund të diskutojmë”.

37-vjeçari është në vitin e fundit të kontratës së tij, e cila skadon në fund të sezonit, ndërsa Barcelona raportohet se i ka ofruar një zgjatje afatshkurtër me ulje page.

Duke folur për eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe objektivat në kampionat, Lewandowski u shpreh:

“Gjithmonë dhemb kur eliminohesh nga Liga e Kampionëve. Donim të luftonim deri në fund dhe të arrinim në gjysmëfinale, por ky është futbolli”.

“Tani duhet të përqendrohemi te La Liga. Duam ta fitojmë. Kemi disa ditë për t’u përgatitur dhe kjo është gjithçka që kemi në mendje”.

Ai shtoi se skuadra ka potencial të madh për të arritur objektivat.

“Futbolli nuk është gjithmonë i drejtë, por ne kemi potencial të madh. Jemi të etur për të fituar dhe për të luajtur futboll të bukur”.

“Nuk mund të ndalemi te ajo që ka ndodhur, e ardhmja është më e rëndësishme. Ka gjëra pozitive, por edhe momente që dhembin më shumë”.

Barcelona mbetet në garë për titullin kampion në La Liga, ndërsa e ardhmja e Lewandowskit pritet të qartësohet pas përfundimit të sezonit. /Telegrafi/

telegrafi sport app